SHKRUAN: Jonida Tashi 13-10-2011 11:52

Ministria e Arsimit publikon Formularin A3, duke detajuar edhe procedurat e konkurrimit për 3500 kuotat e raundit të dytë të pranimeve në universitete. Sipas udhëzimit të MASH-it, do të regjistrohen në universitetet publike, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, sipas programeve përkatëse të studimit, maturantët/kandidatët që shpallen fitues nga rishpërndarja e kuotave të parealizuara, pas përfundimit të regjistrimeve në të dyja fazat të raundit të parë të konkurrimit me Formularin A2. Kandidatët do të aplikojnë vetëm për programet e studimit dhe kuotat e shpallura nga MASH në Formularin A3. Fituesit përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (Drejtoria e Pranimeve), në bazë të dy parimeve: Parimi i Meritës, përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara nga secili maturant, përllogaritur këto mbi bazën e rezultateve të shkollës së mesme, provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi që parashikojnë konkurse edhe pikëve të grumbulluara nga konkursi; Parimi i preferencës, pasqyrohet nëpërmjet përzgjedhjes së vullnetshme të jo më shumë se 10 preferencave në Formularin A3 dhe shprehet nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese.


Kandidatët


Kanë të drejtë të plotësojnë Formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët kanë plotësuar ose jo Formularin A2 dhe: nuk kanë arritur të përfshihen në listat e fituesve të fazës së parë dhe të dytë të konkurrimit me Formularin A2, dhe për rrjedhojë nuk janë regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011-2012; janë shpallur fitues në listën paraprake ose përfundimtare të garës me formularin A2 dhe nuk janë të regjistruar në universitetet publike për vitin akademik 2011-2012; rezultuan mbetës në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore (qershor 2011) dhe arritën rezultate kaluese në provimet e vjeshtës (sesioni i dytë); janë regjistruar në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 nëpërmjet plotësimit të Formularit A1Z dhe rezultojnë kalues në të katër provimet. Drejtoria e Pranimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) do t’u shpërndajë DAR/ZA-ve Formularin A3 nga data 16-17 tetor. Kurse DAR/ZA-të duhet ta shpërndajnë Formularin A3 në shkolla në datën 17 tetor. Maturantët duhet ta tërheqin Formularin A3 në shkollat respektive ku kanë tërhequr edhe Formularin A2 dhe ta kthejnë atë të plotësuar me preferencat e tyre brenda datës 20 tetor. Maturantët që nuk kanë plotësuar më parë Formularin A2, e marrin Formularin A3 pasi të bëjnë pagesën prej 2000 lekësh pranë zyrave të Postës Shqiptare. Për këtë kontingjent, drejtoritë e shkollave i dorëzojnë mandat-pagesat përkatëse së bashku me Formularët A3 në DAR/ZA. Drejtoritë e shkollave t’i dorëzojnë Formularët A3, të plotësuar dhe të pa plotësuar me procesverbal pranë DAR/ZA-ve përgjegjëse brenda datës 21 tetor. Më pas, DAR/ZA-të duhet t’i dërgojnë Formularët A3 në Drejtorinë e Pranimeve pranë AKP-së nga data 22.10.2011 deri në datën 23.10.2011.




Fituesit dalin më 31 tetor, dokumentet e regjistrimit


Regjistrimi i fituesve do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1 deri 4 nëntor 2011



Emrat e maturantëve që do të fitojnë një të drejtë studimi nëpërmjet Formularit A3 do të publikohen në datën 31 tetor. Sipas udhëzimit të MASH-it, Drejtoria e Pranimeve në AKP, pasi të përpunojë të dhënat e marra nga Formularët A3 do të shpallë në datën 31 tetor listën përfundimtare të fituesve, të ndara sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe sipas preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në Formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht ta dorëzojë këtë listë në MASH. Regjistrimi i fituesve do të bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve në datat 1 deri 4 nëntor 2011, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrim, kandidati fitues duhet të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të mëposhtme: Diploma e Maturës Shtetërore, Dëftesë pjekurie (në mungesë, listë notash me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë Arsimore Rajonale/ drejtori i zyrës Arsimore, ose listë notash të lëshuar nga Arkivi i Shtetit); Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë), origjinalin dhe fotokopjen e tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre dorëzohet certifikatë personale me fotografi; Dy fotografi; Mandat-arkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1.550 lekësh të lëshuar nga zyrat e Postës Shqiptare.


Sekretaria mësimore duhet ta pajisë kandidatin fitues me fletë-regjistrimi ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit fitues, data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi duhet të jetë e nënshkruar dhe e vulosur nga titullari i institucionit publik të arsimit të lartë/i njësisë kryesore që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor. Për maturantët/kandidatët që e kanë likuiduar tarifën e regjistrimit në një nga fazat e regjistrimit me Formularin A2, nuk është e nevojshme të bëjnë pagesë të re. Tarifat e regjistrimit prej 1.550 lekësh, e arkëtuar nga maturantët/kandidatët në fazat e mëparshme, të kalojë me xhirim nga llogaria e Degës së Thesarit ku Institucioni publik i Arsimit të Lartë ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e Thesarit të Institucionit tjetër publik të Arsimit të Lartë, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i maturantët/kandidatët me Formularin A3.