Jolanda Kodra mund të vendoset në një radhë me një bashkësi zonjash me emër, që hynë thuajse njëherësh në kulturën shqiptare, në vitet 1930, duke u bërë bashkërisht faktor emancipimi të shumanshëm të shoqërisë. Nga shekulli i romantizmit, përveç Elena Gjikës, nuk u shfaq ndonjë zë tjetër, zë femëror arti. Në shekullin e realizmit ndodhi ndryshimi i dukshëm: Tefta Tashko, Jorgjie Truja e Marije Kraja në muzikë; Androniqi Zengo në pikturë; Musine Kokalari në letërsi e studime, së bashku me Jolanda Kodrën, përbëjnë të parën brezni zonjash që sollën konfirmimin e tyre në jetën shpirtërore të shoqërisë shqiptare.


Veprimtaria e Jolanda Kodrës u zhvillua në tri periudha: para, gjatë dhe pas luftës antifashiste. Secila periudhë pati shenjat e veta. Ajo u përqendrua në studimin dhe promovimin e tre prej autorëve më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore që krijohej në Shkodër, dy prej të cilëve mjeshtra të shkollave letrare që kryesuan, franceskane e jezuite: At Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjeda; plus Migjenin, shkrimtar i një dukurie të re letrare, i letërsisë qytetare; po edhe Naimin, të cilin gjithashtu e studioi dhe e përktheu. Interpretimi i letërsisë shqipe në gjuhët e kulturave të mëdha, duke përfshirë italishten, është një dukuri e re, pak më shumë se gjysmëshekullore, duke përjashtuar rastet kur autorët vetë, për rrethana të jetës së tyre krijuese, shkruan në dy gjuhë. E para që provoi të hartonte një antologji të letërsisë shqipe në italisht ishte Musine Kokalari, dhe kjo antologji është ende dorëshkrim, e pabotuar dhe e pastudiuar. Jolanda Kodra provoi dhe arriti të botonte italisht disa prej veprave parësore të letërsisë shqipe. Këto prova shenjojnë përpjekjet e para të kësaj letërsie për t’u paraqitur edhe në anën dhënëse të saj.


Migjeni, një autor të cilin Jolanda Kodra e përktheu thuajse tërësisht, u nda prej kensave të kësaj bote pa e parë të botuar as në shqip veprën e vet. Platonicus, Kristaq Tutulani dhe Gjikë Kuqali, që do të kujtoheshin nga të parët për artin e tij, humbën jetën gjatë luftës. “Vargjet e lira” do të çliroheshin në prag të çlirimit, prej kujdesit të Olgës, motrës së Migjenit, dhe gjuhëtarit të njohur Kostaq Cipo. Por vepra e Migjenit u botua për herë të parë e plotë, poezi dhe prozë, vetëm dy dekada pasi “Vargjet e lira” të tij ishin ndaluar. Një përpjekje e Gjovalin Lukës, mik i poetit; i vetmi përfaqësues i Comintern-it që ishte rikthyer në Shqipëri nga Perëndimi dhe ndoshta për këtë arsye dhe i padashur nga autoritetet e kohës, nuk dihet mirë se ç’fat pati. Në vitin 1957, në 20-vjetorin e vdekjes së autorit, Skënder Luarasi, një personalitet i mendimit shqiptar, do ta rikthente në qarkullimin letrar këtë vepër, që do të ishte teksti bazë mbi të cilin punoi Jolanda Kodra për përkthimin e saj italisht, të botuar në Tiranë më 1962, me titullin “Poesie e prose”. Kjo është pak a shumë e gjithë krijimtaria e Migjenit, siç del dhe nga krahasimi me botimin më të përkujdesur, atë të Cetis (2002), nën vëmendjen e zonjës Angjelina Ceka, më 2002. Mungojnë vetëm “Kanga e fundit” (një distih), shënimet nga leximet, si dhe letrat e zbuluara më vonë; gjithashtu dhe nëntitujt e disa poezive (“Dityramb Nietzsche-an”, “Melodisë kombëtare”) dhe dedikimet (“Nji grupit”, A. Sh.). Botimet e viteve 1960, shqip, italisht, rusisht dhe në ndonjë gjuhë tjetër, janë bërë një rrallësi bukinistike. Duket qartë se parimi themelor i ndjekur prej përkthyeses në botimin e Migjenit italisht ka qenë besnikëria kuptimore dhe sa të ishte e mundur edhe ajo figurative ndaj origjinalit. Kjo e dyta ka qenë e vështirë, sepse duhej kthyer në italishten e të gjithëve një krijimtari e shprehur me mjete gjuhësore me theksim të fortë ngjyrimesh lokale, që në këto raste nuk mbetej veçse të shmangeshin ose të rishpreheshin me mjete të tjera. Nuk bëjnë përjashtim as titujt, të cilët më së shumti janë kalkime të përpikta të atyre shqip në italisht. Ndryshimet në tituj janë shumë të rrallë. “Hidhet e përhidhet” shenjohet italisht me titullin “Sull’altalena del fato” - një perifrazë e gjysmës së dytë të vargut të parë: “Në shrregullën e fatit”. “Ngjarje pa lëvizje” jepet italisht e rititulluar bukur në pajtim me përmbajtjen: “L’uomo e il cavallo”. “Mollë e ndalueme” çohet saktësisht në idiomën biblike: “Il frutto proibito” (në Shkrimet fruti i ndaluar nuk ka emër). Po ashtu dhe titulli i skicës “Bukën tonë t’përditshme falnae sot” çohet te formula kanonike ungjillore “Dacci oggi il nostro pane quotidiano”. Me të drejtë “Studenti në shtëpi” interpretohet italisht “Lo studente torna a casa”. Të përkthesh fjalën apo traditën? Ky është një shqetësim që ka dalë vonë para shkencës së hermeneutica-s. “Traduzione, tradizione” është një prej botimeve të fundme universitare italo-shqiptare kushtuar përvojës së përkthimit të letërsisë shqipe italisht. Në kohën që përktheu Jolanda Kodra, sundonte miti i besnikërisë. Kjo është arsyeja pse frazeologjia, idiomatika, eufemizmat e shkrimtarit, ndonjëherë e kanë penguar përcjelljen e ngjyresave të origjinalit, si në rastin e “Storia di una di quelle” - “Historia e njenës nga ato”, ku “ato” është thjesht një eufemizëm për “gratë popullore”, siç njiheshin në ligjin e atëhershëm shqiptar; ose në rastin e “Il bacio del bandito” - “Puthja e cubit”, ku duket se ka një shmangie emocionale (më shumë se banditin, autori portretizon trimin, siç është kjo fjalë në kuptimin tradicional). Pak a shumë e njëjta arsye, ngjyresa emocionale, bëhet shkas edhe për një asimetri kuptimore në rastin e kthimit italisht të titullit të skicës “Idhuj pa krena” në “Idoli decapitati”, fjalë për fjalë “idhuj me krye të prerë”, kur autori ka pasur për qëllim të theksojë rrejshmëninë e idhujve.

Me shumë interes është të vërehet interpretimi italisht i titullit të poezisë jashtë cikleve, “Parathanje e parathanjeve”, e cila edhe në studimet shqiptare është interpretuar gabimisht, si hyrja e hyrjeve, apo parafjala e parafjalëve, ngjashmërisht me canticum canticorum, kënga e këngëve. Po edhe në përkthimin italisht të Jolanda Kodrës trajtohet me të njëjtin kuptim dhe jepet në formën “Preambolo dei preamboli”. Nuk është faji i italishtes, dhe as i përkthyeses, që ky titull është interpretuar në këtë formë. Keqkuptimi vjen prej përftimit tjetërsoj të mendimit të autorit nga vetë studiuesit dhe lexuesit shqiptarë. Pavarësisht se kjo poezi hap vëllimin, nuk e ka aspak funksionin e një parathënieje, as në kuptimin formal të saj. Në fundin e përkthimit italisht shprehet, ashtu si dhe në shqip, kuptimi i vërtetë që kishte në mendje autori, kuptimi i profecisë së profecive, i të parathënës së të parathënave, një idiomë tjetër tipike biblike që shumë shpesh pëlqehet në titullime në poezi prej Migjenit:


“Ed un tempo è venuto,
In cui s’indendono gli uomini,
Perfettamente
Per costruir la Torre di Babele.
In cima a quella torre, sull’estremo pinnacolo,
L’uomo un dì salirà,
E quindi griderà,
Dio! Dove sei?”


Pikërisht kjo është jo parathanja, jo preambola, por profecia e poetit. “Poesie e prose”, vëllimi që përktheu, përgatiti e botoi më 1962 Jolanda Kodra, shoqëruar me një parathënie të Skënder Luarasit, e cila nuk është e njëjta me atë të botimit shqip, si dhe redaktuar prej tij, e shtypur në një tirazh të kufizuar dhe në një kohë mbylljeje politike, ideologjike e kulturore ndaj Perëndimit, nuk e ka përmbushur qëllimin e vet, për të mundësuar leximin e një prej poetëve më reformues të vjershërimit dhe prozës shqipe në një mjedis tjetër letrar. Një ribotim i këtij libri në kushtet e sotme, kur Migjeni i është paraqitur tashmë lexuesit italian pak a shumë me disa vjersha e proza antologjike të përfshira në “Antologia della letteratura albanese” të prof. Nasho Jorgaqit (Luigi Pellegrini Editore, 2007), do t’i jepte vlerën e parashikuar punës së përkthyeses. Në antologjinë e përmendur, Jolanda Kodra zë një vend qendror si përkthyese, me këta tituj nga Migjeni: “Noi, giovani”, “Preambolo dei preamboli”, “Che nasca un uomo”, “L’estasi primaverile”, “Una note insonno”, “La bellezza che uccide” dhe “Lo studente torna a casa”. Janë përfshirë në këtë antologji dhe disa përkthime të tjera të Jolanda Kodrës, si “L’esiliato” nga Mjeda; “Il cuore”, “La nostra lingua” e “Pastorizia e agricoltura” prej Naimit.








#