Nga Express më 11 mars 2011 në ora 12:41

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ) thotë se është duke ndjekur me brengosje rrjedhën e zhvillimeve të fundit në Japoni, pas katastrofës natyrore që goditi sot këtë shtet.



Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, pas marrjes së informatës, ka kontaktuar menjëherë Ambasadën e Kosovës në Tokio për të siguruar informata rreth gjendjes së përgjithshme dhe në veçanti rreth gjendjes së shtetasve të Kosovës që jetojnë atje.



MPJ ka të evidentuar se aktualisht në Japoni gjinden pesë shtetas të Kosovës, përfshirë Ambasadorin dhe dy zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.



Të gjithë shtetasit kosovarë të identifikuar janë jashtë zonave të rrezikut dhe janë nën përkujdesjen e Ambasadës së Kosovës në Tokoi.



MPJ njofton të gjithë shtetasit të cilët kanë të afërmit e tyre në Japoni të kontaktojnë shtabin e krizave të Ministrisë së Punëve të Jashtme në numrat: +381 38 200 11034; +377 44 414 377; 377 44 355 292 ose në email: consullore.mpj@ks-gov.net