Nicolas Maduro, presidenti venezuelas i braktisur nga perëndimi, ka falënderuar Turqinë, Rusinë dhe Kinën për mbështetjen e tyre kundrejt shpalljes së kreut të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës dhe liderit opozitar Juan Guaido, si president i përkohshëm i vendit.


Në një postim në mediat sociale, Maduro theksoi se Venezuela nuk është e vetme. “Jam mirënjohës ndaj Rusisë, Kinës dhe Turqisë si dhe qeverive dhe popujve të tjerë botërorë për shkak të deklaratave të forta të mbështetjes ndaj qeverisë së themeluar ligjërisht të Venezuelës. Faleminderit për mbështetjen e vendosur”, ka shkruar ai.


Mitingjet e mbështetësve të opozitës dhe qeverisë ditë më parë në Venezuelë shkaktuan zhvillime të rëndësishme në aspektin e vendit dhe rajonit.


Guaido u vetëshpall president i përkohshëm, ndërsa ky hap u njoh nga SHBA, Kanadaja, Kolumbia, Peru, Ekuadori, Paraguai, Brazili, Kili, Panamaja, Argjentina, Kostarika dhe Guatemala.


Ndërkaq, Nicolas Maduro, gjatë një fjalimi nga ballkoni i pallatit presidencial Miraflores në Karakas, duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të Venezuelës, njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me SHBA-në dhe u dha afat prej 72 orëve diplomatëve amerikanë të largohen nga vendi.


Gazeta Shqip