Sipas policisë ndërkombëtare Interpol, mafia serbe është më e fuqishme se mafia shqiptare. Në rangimin e bërë nga Interpol, mafia serbe gjendet në vendin e tetë në mesin e organizatave më të fuqishme mafioze, kurse mafia shqiptare në vendin e nëntë.




Në listën e Interpolit gjenden 350 shtetas serbë, për të cilët besohet se janë bashkëpunëtorë të afërt me liderët e narkokarteleve më të mëdha botërore. Si organizatë më e njohur mafioze serbe llogaritet organizata kriminele “Pink Panter”, e cila gjatë dhjetë viteve të kaluara ka realizuar disa vjedhje spektakulare në shumë vende botërore.




Pas mafisë serbe radhitet mafia shqiptare, e cila sipas Interpol-it ka filluar të “lulëzojë” në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar. Specialitet i mafisë shqiptare konsiderohet tregtia ilegale me mjete narkotike, armë dhe qenie njerëzore. Kriminologët e Interpol-it kanë vlerësuar se pjesëtarët e mafisë shqiptare respektojnë kodin e vjetër gjashtë 6 shekuj (Kanunin e Lekë Dukagjinit).




Ndryshe, Interpol e ka vendosur mafinë ruse në vendin e parë të organizatave më të mëdha dhe më të rrezikshme mafioze, sepse numëron rreth 500 mijë anëtarë, të cilët kontrollojnë afër 70 për qind të ekonomisë ruse.




Kriteri sipas të cilit Interpol e ka bë listën e dhjetë organizatave më të fuqishme është niveli i ndikimit të krimit të organizuar në shoqëri, kurse si kritere plotësuese janë marrë edhe numri i vrasjeve, tregtia me drogë dhe armë, si dhe “vjedhjet e suksesshme”.




Sipas të dhënave të policisë ndërkombëtare, mafia italiane si organizatë më e vjetër mafioze në botë, është radhitur në vendin e dytë. Besohet se mafia italiane posedon rreth 65 miliardë euro rezerva “kesh”, kurse brenda çdo viti realizon profit prej 100 miliardë eurove.




Në vendin e tretë radhiten narkokartelet kolumbiane. Ngjitja e tyre në majën e listës së zezë botërore ka filluar me shitjen e drogës në Amerikë, në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar.




Triadat kineze, të njohura për kontrabandën e emigrantëve ilegalë dhe për të cilat besohet se kontrollojnë dy të tretat e kokainës në botë, gjenden në vendin e katërt të listës së organizatave mafioze.




Me 110 mijë anëtarë, grupet mafioze kineze të njohura si “jakuza” gjenden në vendin e pestë. Ata janë të njohur me kontrollin që kanë mbi prostitucionin, kumarin, pornografinë, kontrabandën me qenie njerëzore, kamatat dhe larjen e parave.




Mafia meksikane, e cila është formuar në burgjet amerikane dhe numëroin 30 mijë anëtarë, është radhitur në vendin e gjashtë. Mafia meksikane kryesisht merren me tregti tejoqeanike të drogës dhe armëve, por edhe me organizimin e prostitucionit.




Mafia izraelite është radhitur në vendin e shtatë dhe konsiderohen si “lojtarë të pamëshirshëm”, që posedojnë monopol mbi eksportin e hashashit.




Në vendin e dhjetë të kësaj liste të turpshme (pas mafisë serbe dhe shqiptare), radhitet mafia e Jamajkës, e njohur për tregtinë me drogë dhe për vrasjet e pamëshirshme. /Indeksonline/