Ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, është emri më i përfolur për të marrë "timonin" e grupit parlamentar. Burimet partiake sqaruan se Majko mund të ketë edhe mbështetjen e kreut në detyrë të Partisë Socialiste, Edi Rama. Nisur edhe nga prononcimet dhe rreshtimet politike të Majkos brenda partisë në ditët e fundit, mendohet se ai do ta ketë të lehtë të mbështetet nga Rama. Po sipas burimeve brenda partisë kryesore të opozitës, rikandidimi i Valentina Leskajt shikohet si jo shumë i favorshëm. Teksa flitet për një emër tjetër alternativ përballë Majkos, ende ekziston një dilemë se kush mund të jetë. Sipas rregullores së funksionimit të grupit në zgjedhjen e Kryesisë së grupit, duhet të marrin pjesë jo më pak se 2/3 e anëtarëve të kësaj strukture. Kryetari, nënkryetari dhe sekretari zgjidhen me votim të fshehtë me kandidatë alternativë. Sipas rregullave, ata duhet të propozohen nga Kryesia e Partisë Socialiste ose nga 1/3 e deputetëve. Sipas numrave që ka aktualisht grupi, duhet që në zgjedhjen e kryetarit të jenë prezentë 43 deputetë, ndërsa mund të bëjnë propozime për kandidatë një grup prej 21 deputetësh. Kushti që sanksionon statuti i partisë për grupin parlamentar ka të bëjë me faktin se kryetari duhet të jetë edhe anëtar i Kryesisë së partisë. Dilema që ekziston lidhur me kreun e grupit parlamentar pasohet edhe me funksionet e tjera në këtë strukturë parlamentare. Paralelisht me kryetarin e grupit, socialistët do duhet të zgjedhin edhe nënkryetarët dhe sekretarin e këtij organizmi. Pesha politike që mbart kreu i ri i grupit parlamentar është shumë e madhe. Ai do të jetë drejtuesi i një grupi prej 65 deputetësh socialistë. Mbajtja e tyre të bashkuar në një moment krize brenda partisë është sfida e parë shumë e rëndësishme. Objektivi tjetër ka të bëjë me ushtrimin e rolit opozitar dhe debatin parlamentar. Në sallën e Kuvendit, në mungesë të kryetarit, lideri i grupit parlamentar do të jetë "violina" kryesore e opozitës. Deri në legjislaturën që u mbyll, postin e kryetarit të grupit e mbante Valentina Leskaj. Nënkryetarët ishin deputeti Erion Braçe dhe deputeti Arben Isaraj. Burimet brenda selisë rozë e shohin të vështirë që Braçe të pranojë postin e nënkryetarit, nëse Majko zgjidhet kryetar. Ky i fundit mbajti postin e kryetarit të grupit parlamentar dhe sekretarit të përgjithshëm deri në ndryshimet statutore të prillit 2007. Teksa u pozicionua përballë Ramës në betejën e ndryshimeve statutore që suprimonin edhe postin e sekretarit të përgjithshëm, Majko pranoi humbjen në kongres. Një ditë më pas, përmes një konference shtypi deklaroi tërheqjen nga posti i sekretarit dhe nga ai i kryetarit të grupit parlamentar. Pas këtij momenti, në krye të grupit u ngjit anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, dhe nënkryetar ishte Petro Koçi. Votimi i gjashtë deputetëve socialistë për zgjedhjen e Bamir Topit në krye të shtetit shkaktoi dorëheqjen e Blushit nga posti i kreut të grupit parlamentar. Pas largimit të tij, Kryesia e re e grupit kishte katër drejtues. Valentina Leskaj do të caktohej kryetare, Erion Braçe dhe Arben Isaraj nënkryetarë, ndërsa Musa Ulqini sekretar.