Punonjësit e administratës së ministrisë së Integrimit, u kanë dërguar një letër deputetëve socialistë të Kuvendit, ku akuzojnë ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, për fshehje të raporteve të ekspertëve të BE-së lidhur me inspektimet në terren dhe të dikasterit të saj në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë.
Marr shkas nga ngjarjet e fundit, sidomos nga paraqitja e turpshme e ministres Bregu përpara Komisionit të Integrimit. Aty u duk shumë qartë se si zonja Bregu e aplikoi shumë mirë sulmin ndaj opozitës për tu mbrojtur. E gjithë përgatitja e saj ka qenë vetëm një fasadë, pasi ka kaq kohë që merret vetëm me retushim, me censurim të materialeve, duke kërkuar të jemi sa më subjektivë dhe të paraqesim sa më shumë progres edhe pse ky i fundit mungon ose është sipërfaqësor. Sa herë mendohet për ndonjë komunikim, çdo gjë është e censuruar më parë nga një staf shumë i ngushtë i ministres, e cila ka filluar dhe aplikimin e policimit sekret brenda stafit, ku njerëz të etiketuar si jo bashkëpunues vëzhgohen në mënyrë intensive dhe spiunohen sistematikisht nga njerëz të ngarkuar me këtë punë, thuhet në letrën e punonjësve të ministrisë së Integrimit, raportoi e përditshmja Shqip.
Gjithashtu, letra e akuzon ministren Bregu edhe për fshehjen e materialeve të KE-së, në lidhje me procesin e monitorimit në terren.
…ministrja është duke censuruar çdo komunikim me parlamentin dhe komisionin. Rasti më flagrant është edhe fshehja në mënyrë të turpshme e aktiviteteve të MISIONEVE TË VERIFIKIMIT, të dërguar nga BE-ja për të parë stadin e përmbushjes së 12 rekomandimeve, për të parë në terren se çpo ndodh. Këto të fundit ishin katër dhe erdhën në Tiranë nga data 23 deri më 26 maj. Ato evidentuan një sërë problemesh dhe i paraqitën në një raportim final në rang eksperti të pavarur të kontaktuar nga BE-ja, shkruan letra dhe shton se të gjitha raportet u mbajtën të fshehta qëllimisht, pasi në shumicë shfaqnin probleme dhe se asnjë nga këto raporte nuk u punua me Komisionin e Integrimit, por di që nga Ministria e Integrimit u punua agresivisht që nga ekspertët e pavarur të merrej diçka sa më pozitive, madje u kalua çdo normë etike duke u insistuar, dhe e gjitha u bë në fshehtësi të plotë.