Majlinda Kelmendi ka udhëtuar të martën drejt Vjenës, ku do ta marrë pjesë në Kampionatin Evropian të xhudos për seniorë. Xhudistja pejane është e vetmja që merr pjesë në këtë garë nga Kosova, ngase edhe kësaj radhe, sikurse vitin e kaluar në Tbilisi të Gjeorgjisë, niveli i kësaj gare është tepër i fortë.



Ajo do të garojë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në gara të nivelit evropian, Majlinda përfaqëson Shqipërinë, edhe pse nga ky vend, kampionia e botës për juniore, nuk ka marrë përkrahje financiare.



“Shpenzimet materiale do të kryhen nga Majlinda dhe nga unë. Sa i përket gjasave për medalje, është vështirë të arrihet ndonjë sukses, por jo edhe e pamundur”, ka thënë trajneri i Kelmendit, Driton Kuka. Në këtë garë, favorite në kategorinë e Majlindës janë spanjollja Karraskosa, rusja Kuzjutina dhe garuesja nga Belgjika, Heylen.



“Dëshira ime si trajner është që Majlinda të mos ketë fat të keq në short, që të ndeshet në xhiron e parë me njërën nga këto 3 garuese. Nëse jo, atëherë gjasat për medalje do të rriten”, vazhdoi Kuka. Kryetari i Federatës Kosovare të Xhudos, Agron Kuka, do jetë mysafir i kryetarit të Federatës Evropiane, rusit Sergej Solovecnik.



Ky do të jetë një rast për të diskutuar rreth pjesëmarrjes së Kosovës në gara evropiane, sikur në garat botërore, si dhe shumë tema tjera për ngritjen e xhudos kosovare edhe më shumë. Majlinda Kelmendi pritet të garojë në evropian ditën e enjte.