Nga Drini Pilkati


DEDIKIM


“Armenët janë një popull shumë i mençur dhe punëtorë. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që me një xhelozi parahistorike, perandoria otomane e mbyti këtë popull me gjak. Armenët trashëgojnë sot një kishë shumë të vjetër Apostolike dhe Autoqefale, e cila është bërë gjithmonë baza e solidaritetit dhe logjistikës për këtë popull. Në sajë të këtij solidariteti, që nga periudha e Gjenocidit, ajo ka krijuar nëpër botë komunitete të tëra Armenësh, të cilët ndjekin me përkushtim deri në vdekje të gjithë bashkatdhetarët e tyre kudo që të jenë. Më i madhi nga këto komunitete është në Rusi, por nuk ngelen mbrapa edhe ato në SHBA, Francë dhe Itali. Në të gjithë këto shtete, armenët janë personifikimi i integrimit dhe një nga shembujt me tipikë ishte në Francë kryeministri Eduart Balladur, i cili ka qenë me origjinë armene. Në ishullin e San Lazaros, në Venecia, Napoleon Bonaparti i ka dhuruar murgjve armenë paratë për ngritjen e një manastiri, shtypshkronje dhe konvikti, ku strehohen studentë të familjeve Armene që studiojnë në atë zonë. Manuskritet” e saj, janë nga më të vjetrat në botë dhe kjo sot është kthyer në një pikë turistike për gjithë botën.


Sot në 100 vjetorin e gjenocidit armen, (pasi shkrimin e kam shkruar ne datë) mua nuk më ngelet gjë tjetër, përveçse: “Të falenderoj të gjithë përfaqësuesit e popullit Armen në Shqipëri, të cilët dhanë këtu shembullin e tyre, të urtë dhe të mençur. Veçanërisht familjen Poturlian (Mokin) në Tiranë, të cilës po i dedikoj këtë Krono-histori familjare, të cilët i kam njohur edhe personalisht. Pikërisht tre breza të kësaj gjenerate mjekësh, i kanë shërbyer popullit shqiptar me profesionalizëm, devotshmëri dhe përulësi.


Mbas një vit e gjysmë, këtë shkrim kompletova dhe ja dedikoj mikut tim të dashur, Vahe Mokin, i cili sot gjendet i shtruar në spital në Itali, duke luftuar me vdekjen, mbas një hemorragjie cerebrale. Pas kurave të mjekëve italianë dhe falë kujdesit të djalit të tij, Zherarit, ai është përmirësuar së tepërmi. Ndërkohë që ky mjek luftonte me vdekjen në Itali, në Tiranë barbarët i boshatisën apartamentin e tij nga gjithçka që ai kishte me vlerë, midis tyre, pikturat dhe gjithë kujtimet e paraardhësve te tij të të ndritur.


Falenderoj motrat e tij për disa foto, por më shumë gruan e Vahes, Loretën, e cila më ndihmoj me foto dhe profesionalizëm për realizimin e kësaj iniciative, pasi vetë jam amatorë dhe fillestarë në këtë fushë./ Me nderime dhe respekt, Drini Pilkati


MOKIN POTURLIAN


Origjina e familjes Poturlian ka qene nga Armenia, por si intelektual të njohur ato ishin shpërngulur prej kohësh në Stamboll. Mokin Poturlian u lind në Stamboll në vitin 1898,ku vazhdoj edhe shkollën, deri edhe universitetin në fakultetin e mjekësisë. Specialiteti i tij ishte Gjinekologjia dhe për këtë arsye me kalimin e kohës ai ishte bërë shumë i njohur në këtë qytet. Klientët e tij, ishin një pjesë e mirë e elitës të shoqërisë së atëhershme të Stambollit, pasi edhe studion e tij ai e kishte në sheshin Taksim, ku edhe banonte.


Screenshot_3


Mokin Poturlian në Stamboll


Pas vitit 1915, perandoria Turke bëri në armeni një represion të pa parë dhe pa dëgjuar deri në atë periudhë dhe kjo pati lënë gjurmë të mëdha edhe në jetën e familjes Poturlian. Në fillimet e një epoke moderne, ky represion përfaqësonte gjenocidin e pare dhe më të madh Etniko- Religjioz mbi këtë popull. Ai po realizohej në një heshtje të plotë nga Talat dhe Enver Pashai, të cilët po masakronin dhe shpërngulnin nga vëndet e tyre këtë popullsi të lashtë. Armenët jetonin në krahinat e thella të Anadollit, pikërisht në veri – lindje të perandoris Osmane. Ata ishin një popull shumë i lashtë dhe i njohur për mënçurinë e tyre dhe diferenca kulturoredhe pasuroreme Turqit ishte bërë tepër e dukshme. Me këto cilësi, ato kishin krijuar ndër vite një standard të lartë ekonomiko – profesional, duke u vendosur kështu edhe një pozicion dominant në jetën ekonomike të perandorisë Otomane. Kjo ishte bërë objekt i smirës dhe xhelozisë së autoriteteve të larta të kësaj perandorie. Si shumë intelektual të tjerë Armen edhe doktor Mokini ishte informuar për këtë gjenocid,nëpërmjet autoriteteve të larta të perandorisë, të cilëve ai i shërbente. Në mënyrë të fshehtë, së bashku me shokë të tjerë, ata shkuan në këto zona, për të verifikuar situatën që po përjetonte populli i tyre. Në një gropë të përbashkët dhe shumë të madhe atje panë qindra e qindra trupa pa jetë, të cilët ishin hedhur mbi njëri – tjetrin. Në një cep të kësaj morie te vdekurish, ata panë një djalë të vogël, i cili po qante mbi trupat e prindërve të tij, tashmë pa jetë. Kjo skenë makabër e turbulloj mendjen e këtij mjeku human, i cili menjëherë hidhet brenda në atë gropë të madhe, e rrëmben djalin në krahët e tij dhe e merr atë me vete në Stamboll.


Djali quhej Bedros Kolejan dhe që nga ai moment, ai do të ishte edhe vëllai i vogël i doktor Mokinit. Në vitin 1916, Mokini martohet me një vajzë Armene që jetonte në stamboll, e cila quhej Kohar. Në vitin 1917 ata patën fëmijën tyre te pare që ishte djalë , të cilin e quajtën Vazken. Se bashku me Vazkenin, doktor Mokini mbante në shtëpinë e tij edhe Bedrosin, të cilin me pas për ta shkolluar e futen në një kolegj të njohur të Stambollit, duke i paguar rregullisht të gjitha shpenzimet. Për intelektualët Armen që jetonin në Stamboll, u krijua një situatë e tensionuar dhe kjo nga reagimet e tyre te hapura kundrejt autoriteteve të asaj perandorie.Edhe Doktor Mokini kishte filluar të shprehesh lirisht me klientët e tij, të cilët ishin pjesë e shoqërisë së lartë të Stambollit. Dashje pa dashje kjo ra në sy të autoriteteve të perandorisë Otomane, prej te cilëve pritej një reagim. Në Stamboll doktor Mokini ishte lidhure dhe me disa intelektual dhe patriotë Shqiptarë, të cilët bënin pjesë aktualisht në këtë elite. Midis tyre ishte edhe Mihal Shani (Tepelena)


Screenshot_4


Mihal Shani (Tepelena)


Që në vitin 1908, Mihali kishte qenë pronari dhe drejtori i Gazetës Bashkimi në Stamboll, ku botonte shkrimet e tij patriotike, por edhe të patriotëve të tjerë Shqiptarë. Jepte edhe mësim në gjuhën Shqipe për komunitetin Shqiptar atje. Për aktivitetin e madh patriotikë dhe propagandën, ai ra shumë në sy të autoriteteve të kohës në Stamboll. Shkrimet e tij “Ardhja e Ismail Qemalit”, “E enjte e Shenjtëruar” ,”Ca për fqinjët tanë”, “Grerërit dhe Shqiptarët” , Në kufijtë e Shqipërisë dhe Malit të zi” u kthyen në auza kundër tij. Në vitin 1919, Mihal Shani, së bashku me Halil Pashën dhe Fuat Dibrën, ishte pjesëtar i delegacionit në konferencën e Traktatit të Varshavës, ose siç njihet ” Traktati i paqes”. Aty ai mbrojti me këmbëngulje çështjen Shqiptare, nga pretendimet e fqinjëve për coptimin e Shqipërisë. Në Stamboll Mihali kishte njohur shoqërinë intelektuale Armene, midis tyre edhe doktor Mokinin. Miqësia e tyre u forcua më shumë, pasi ai u martua me një grua Armene , të quajtur Armenui. Shani kishte studiuar edhe rrobaqepsi në Stamboll dhe më pas edhe në Paris si stilist. Ai u kthye në Tiranë një vitë para doktor Mokinit dhe u bë shumë shpejt rrobaqepës i Ahmet Zogut. Klientët e tij ishin edhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, si dhe intelektual të njohur të asaj kohe. Madje Faik Konica si sqimtarë dhe modern i madh, u shndërrua nga klient ne mikun e tij më i mirë. Në bllokun e punës së Mihalit edhe sot gjënden emrat dhe përmasat trupore të elitës Shqiptare të asaj periudhe, të cilët e çmonin shjmë Mihalin si patriot, por edhe si stilist. Ai ishte mik i Fishtës, Asdrenit, Ismail Qemalit, Hil Mosit, Dervish Himës, Parashevi Qiriazit dhe të tjerë.


Screenshot_5


Stampa në rrobat e konfeksionuara nga Mihal Shani


Ishin vitet e fundit të perandorisë osmane, kur Qemal Ataturku ishte në kontradikta me Sulltanin Mehmetin e VI. Kunder tij ai kishte krijuar Gazi (Asamblenë e famshme nacionale) e cila në fundin e vitit 1922 shpalli mbarimin e kësaj perandorie. Duke përfituar nga kjo situatë, Doktor Mokini vendos që të largohet nga Turqia. Miqtë e tij shqiptarë, e kishin rekomanduar që të emigronte në Shqipëri, duke i shpjeguar atij se populli shqiptarë ishte shumë mikpritës dhe se në gjithë historinë e tij, ai kishte qenë shumë bujar me emigrantët.


Kështu në vitin 1923, doktor Mokini kishte mbërritur i vetëm në Shqipëri dhe fillimisht në Burrel, duke lënë vetëm në Stamboll gruan e tij Koharin. Në gjuhën Armene, Kohar do të thotë Brilant dhe me të vërtetë brilante do të ishte jeta e kësaj gruaje, e cila edhe pse e vetëm arriti të risë në mënyrë të përsosur djalin e saj Vazkenin.


Aftësia profesionale e doktor Mokinit si Gjinekollog, bëri që ai të dallohet edhe në këtë qytet, duke ulur në mënyrë të dukshme vdekjen e fëmijëve në lindje. Në atë periudhë në këtë qytet banonte familja e kryeministrit të qeverisë së I-rë shqiptare, Ahmet Zogut. Vëllai i tij, Princ Xhelali, ishte shumë i sëmurë nga një kancer në lëkure, pothuajse i pashërueshëm sipas mjekëve të asaj kohe. Falë kurave të veçanta të doktor Mokinit, gjendja shëndetësore e tij u përmirësua pa masë. Nëpërmjet Princ Xhelalit, Doktor Mokini brenda një viti u bë mjek personal i nënës dhe motrave të shumta të tij. Në atë periudhë Zogu kishte vendosur të sistemonte familjen e tij në Tiranë dhe për këtë ai urdhëroj transferimin e tyre. Por përgjigjja e familjarëve të tij në Burrel ishte, se pa doktor Mokinin ne nuk vimë në Tiranë. Kjo ishte arsyeja që në vitin 1924, mbas kthimit të Zogut nga Sërbia, doktor Mokini transferohet në Tiranë. Menjëherë ai emërohet si mjek në spitalin civil të Tiranës, por impenjimi kryesor ishte kujdesi për shëndetin e princ Xhelalit dhe motrave të tij. Doktor Mokini u kujdes deri në momentet e fundit të jetës së nënës së Zogut dhe që nga ai moment ai ishte konsulenti më i rëndësishëm mjekësor i kësaj familje.


Screenshot_6


Foto M. Bali. Doktor Mokini me motrat e Zogut


Madje ai ishte një nga tre mjekët që asistuan mbretëreshën Geraldina gjatë lindjes së Princ Lekës dhe këtë moment e pasqyron shumë bukur edhe Ismail Kadare në librin e tij “Përballimi”, ku siç ai tregon Direkt mbas lindjes se princit doktor Mokini zbriti shkallët e katit dyte duke i dhënë Zogut, sihariqin e lindjes së djalit të tij. Ishte po Doktor Mokini që e shoqëroi Geraldinën deri në Follorinë të Greqisë, pak ditë pas lindjes së djalit të vetëm. Pas kurimit të infeksionit doktor Mokini kthehet përsëri në Tiranë, ndërsa familja e Zogut vazhdon rrugën e saj për në Angli. Që nga periudha që vuri për herë të parë këmbën në tokën Shqiptare ai nuk e ndërronte kurrë atë me ndonjë shtet tjetër. Kështu në letrat që në atë kohë doktori i shkruante bashkëshortes së tij në Stamboll, ai i thoshte:


“E dashur grua, Tirana është një qytet i pastër, i gjelbër, dhe me trëndafila . Tiranasit janë njerëz shume bujar dhe paqësorë dhe i mbajnë portat e shtëpive të tyre hapur. Këtu nuk e ndjej veten aspak Jabanxhi, prandaj te pres krahë hapur të vish në këtë vend”.


Në atë periudhë Doktor Mokini ishte integruar plotësisht në Shqipëri, madje ai bënte pjesë edhe në elitën e shoqërisë së lartë të saj kohe. Për këtë arsye ishte i bindur se edhe gruaja e tij ta ndiqte me siguri atë më pas.


Pasi u bind në sistemimin e djalit në fakultetin e mjekësisë në Romë, Kohari u nis në vitin 1938 në Tiranë. Fillimisht ata u sistemuan me banim në rrugën e Kavajës, në shtëpinë e mikut të tij të Stambollit, Mihal Shanit (Tepelena), i cili e kishte rekomanduar për vendin e emigrimit. Gjatë periudhë së pushtimit italian, doktor Mokini njihet me një sipërmarrës krutan, i quajtur Faik Merlika, i cili kishte filluar të ndërtonte një pallat me tre kate në rrugën e Durrësit. Pallati kishte ngelur në katin e tretë, pasi kredia që kishte marrë nga Banka e Napolit në Tiranë, nuk i kishte mjaftuar. Per ta ndihmuar, Doktor Mokini i merr atij me qera dy apartamentet në katin e dytë, përballë njëri tjetrit. Njërën prej tyre ai e përdor për studio mjekësore, ndërsa tjetrin për banim për familjen e tij. Për këtë doktori i paguan në dorë qeranë për shumë vite, deri sa të konkludonin për ndërtimin e apartamenteve në katin e fundit, të cilët me ndihmën e tij do të ndërtoheshin. Por kjo marrëveshje nuk u bë asnjëherë, pasi Tirana u çlirua dhe komunistët e shtetëzuan këtë pallat, pasi Faiku figuronte ishte debitorë i Bankës së Napolit. Në atë periudhë të gjitha pronat e italianëve qe kishin në Shqipëri, ju falën qeverisë komuniste, si dëmshpërblime të luftës.


Screenshot_7


Foto M. Bali. Doktor Mokini në studion e tij


Ndëkohë Bedrosi ishte rritur dhe kishte dale në jetë, por ai nuk e kishte harruar asnjëherë shpëtimtarin e tij dhe për këtë mbante kontakte të vazhdueshme me Doktor Mokinin,deri para lufte. Mbas luftës së dytë botërore, regjimi komunist i mbylli dyert e Shqipërisë me botën dhe Bedrosi nuk pati më mundësi të takonte doktor Mokinin. Ai bëri disa tentativa të vinte në Shqipëri nëpërmjet Greqisë, por ato nuk patën sukses dhe kontaktet midis tyre filluan të humbnin.


Doktor Mokini kishte krijuar një emër të madh në Tiranë edhe për periudhën e luftës, për faktin se atë kohë kishte mjekuar edhe njerëz nga lëvizja nacional çlirimtare. Ishte i lidhur me Myslym Pezën dhe çetën e tij, por ndihmonte edhe njerëzit e thjeshtë duke i mjekuar gratis, pavarësisht ideve te tyre. Mbas çlirimit, ai vazhdoi punën në spitalin civil të Tiranës, por xhelozia dhe e kaluara e tij pranë Zogut kishte të vetën, prandaj burokratët komuniste e transferonin nga një qytet në tjetrin nëpër Shqipëri. Edhe pse tashmë i moshuar, ai vitet e fundit kishte shërbyer si mjek në Peqin dhe Shkodër. Në Shkodër ai ka jetuar në shtëpinë e poetit Filip Siroka, sot restoranti “Gegë e Toskë”. Miqtë e Doktor Mokinit ishin familjet më me emër në Shkodër, si Kraja, Shiroka, Koliqi, Kurti, Radovani. Shkodranët ruajnë edhe sot me respek të madh kujtimet më të bukura për doktorin Mokinin, pasi ai mjekonte si parinë e qytetit ashtu edhe të vobektit me të njëjtin kujdes. Në vitin 1952 , doktor Mokini ndërron jetë në shtëpinë e tij në Tiranë, në një dhomë të katit të fundit të Pallatit të Merlikes, për të cilën ai kishte derdhur aq shumë djersë dhe para. Qysh në gjallje të tij, biografia e doktor Mokinit dhe familjes së tij, figuronte në Enciklopedinë e madhe të popullit armen. Por edhe pas vdekjes, emri i tiji mirë u trashëgua nga gjithë familja, duke filluar nga djali i tij, Vazkeni, të cilin e thërrisnin po doktor Mokini, falë trashëgimisë brilante që la pas ky mjek tepër human.


VAZKEN MOKIN (POTURLIAN)


Situata shumë e trazuar e armenëve edhe në Stamboll, detyroi doktor Mokinin që të emigrojë për në Shqipëri. Por familjen e tij ai e la në gjendje shumë të mirë ekonomike, ndërsa djalin e vetëm, Vazkenin,vetëm në moshën 6 vjeçare. Para se të nisej ai e futi Vazkenin në një kolegj prestigjioz në qytetin e Stambollit, ku paraprakisht kishte sistemuar edhe Bedrosin. Shkollën fillore Vazkeni e kishte mbaruar në këtë kolegj Armel, ku përveç Armenishtes dhe Turqishtes që i njihte fare mirë, ai mësoi edhe Arabishten.


Screenshot_8


Vazkeni në kolegj


Më pas Vazkeni i vazhdoj me lart studimet në një kolegj te njohur po në Stamboll Edhe pse tashmë i ri, Vazkeni ishte bërë një intelektual i komletuar dhe model. Paralel me shkencat e tjera që ai studionte në kolegj , ai ishte edhe një sportist shumë i talentuar. Në këtë periudhë ai përfaqësoj edhe ngjyrat e Turqisë në sportet e gjimnastikës dhe peshëngritjes, ku arriti rezultate të larta dhe mori edhe medalje.


Screenshot_9


Vazkeni me skuadrën në Stamboll


Ishte një djalë tepër i talentuar,një poliglot i vërtetë. Kishte njohje të madhe për muzikën dhe më i preferuari i tij ngelej Bethoveni. I binte shumë mirë trombonit dhe për këtë merrte pjesë edhe në bandën muzikore të Stambollit. Mbas mbarimit të Gjimnazit, përveç Armenishtes, Turqishtes dhe Arabishtes, Vazkeni zotëronte fare mirë edhe 4 gjuhë të tjera, Gjermanishten, Frëngjishten, Anglishten dhe Italishten.


E ëma e tij, Kohari, kishte dëshirën të afrohej pranë burrit të saj në Tiranë dhe duhet të largohej patjetër fillimisht nga Stambolli, tashmë i trazuar për Armenët. Por përpara ajo donte të sistemonte djalin e saj në universitet perëndimore dhe për këtë të dy së bashku me Vazkenin zgjodhën Vjenën.


Screenshot_10


Vazkeni në Vjenë


Aty ai filloi vitin e parë të fakultetit të mjekësisë, por pa lënë mënjanë edhe hobin e tij për muzikën. Për të plotësuar shpenzimet e mëdha të familjes së tij, ai u paraqit në konkursin që orkestra frymore e filarmonis së Vjenës kishte organizuar atë vitë. Në këtë konkurs, Vazkeni u paraqitë duke frymuar me trombonin e tij, Hymnin Rus, i cili ishte shumë i vështirë për këtë vegël frymore, pasi duhet ti binte në oktavën më të lartë. Kjo provë e vështirë,doli me sukses të plotë dhe i hapi atij dyert e orkestrës fizarmonike të Vjenës, ku ushtroj pasionin e tij, për më tepër se një vit. Edhe sot në Vjenë ekzistojnë dokumenta, ku Vazkeni figuron si rekord në gjininë e tij, pasi është i pari muzikant jo vendas pranë kësaj Filarmonie. Deri atëherë ishte e paimagjinueshme që në vendin e Moxartit të ndodhte një gjë e tillë.


Në Vjenë klima ishte e ftohtë dhe kjo po influenconte për keq për shëndetin e nënës së tij. Vazkeni sapo kishte filluar vitin e parë në fakultetin e mjekësisë, prandaj me sakrifica e ëma u desh ta kalonte edhe atë dimër atje. Mbasi mbaroj vitin e parë të mjekësisë në Vjenë, me nota shumë të mira, Vazkeni u transferua me nënën e tij në Romë.


Screenshot_11


Vazkeni me nënën e tij, në Romë


Edhe në Romë, Vazkeni u regjistrua në vitin e dytë të fakultetit të mjekësisë. Tashmë jeta e tij marrë drejtimin e duhur, prandaj Kohari ishte e lire të vazhdonte rrugën e saj për në Tiranë, pranë të shoqit. Rruga Romë-Tiranë ishte e hapur dhe Vazkeni çdo vit e kishte mundësinë të kalonte pushimet e verës pranë familjes së tij në Tiranë. Por edhe familja e doktor Mokinit kishte një gjendje shumë të mirë ekonomike, prandaj edhe e shoqja e tij, Kohari shkonte shpesh në Rome për të parë djalin e saj dhe njëkohësisht edhe për të bërë pazarin për shtëpinë e tyre.


Ishte fundi i qershorit të vitit 1944, kur Vazkeni si çdo vit po kthehej nga Roma në Tiranë për pushimet verore. Ishte në vitin e fundit të fakultetit të mjekësisë dhe duhej të nisej me tren për në Bari, prej ku do të merrte anijen e tij për në Shqipëri. Lufta ishte në përfundim e sipër dhe shoqëritë ajrore i kishin ndërprerë udhëtimet e tyre për në Shqipëri. Porti i Barit, ishte asokohe linja e vetme nga mund të niseshin anijet për në portin e Durrësit. Dhe aq më shumë edhe Stacioni i hekurudhori Romës ishte një nyje shumë e rëndësishme,nga e cila niseshin të gjithë trenat për drejtimet e ndryshme të Italis. Në këtë stacion Vazkenit i takonte të priste pak orë, deri sa të merrte trenin që shkonte për në drejtimin e tij. Gjate kësaj pritje të gjatë, ai e kishte zakon të lëviste andej – këndej nëpër stacion, në kërkim të ndonje shoqërie momentale. Ishte djalë energjikë por eshe shumë i shoqërueshëm dhe vetmia nuk i kishte pëlqyer asnjëherë në jetën e tij. Në shëtitje e sipër, Vazkeniti bën shumë përshtypje një burrë i gjatë, me tiparet e një nordiku, i cili mbante mbi supet e tij një majmun të vogël. Dukej shumë i bëshëm në trup, por kjo binte ndesh me gjendjen e tij shpirtrore, pasi rrinte pak i kërrusur në mendimet e tij. Binte në sy, pasi ishte veshur elegant dhe lëvizte shumë i tensionuar rreth bagazheve të tij. Të dy këta udhëtarë kishin rreth disa orë që prisnin trenat e tyre, që me siguri dukeshin se kishin drejtime të kundërta.


Vazkeni ishte një poliglot i vërtetë për gjuhët e huaja. I ndihmuar edhe nga alfabeti indoeuropian i gjuhës armene, gjuhët e shumta që ai dinte, rrëshqitnin pa pengesë nga goja e këtij djaloshi. Lufta ishte në përfundim e sipër dhe njerëzit ishin të përmalluar të llafoseshin me njëri tjetrin, madje edhe prania e Majmunit ishte një kuriozitet më vete. Me këtë arsyetim, Vazkeni mori iniciativën për t’ju afruar burrit në fjalë. Ishte i bindur që në çfarëdo lloj gjuhe, ai nuk do ta kishte të vështirë të komunikonte fare mirë me burrin që kishte përballë tij. Me mendimet që i kishin bllokuar trurin dhe majmunin në krahë, i panjohuri burri nuk e vuri re aspak afrimin e Vazkenit, i cili nuk nguroj të hynte në bisedë me të. E pyeti fillimisht në gjermanisht për majmunin, i cili ishte argumenti më interesant në atë moment. Germanishtja e pastër e Vazkenit, bëri që ai burrë i tulatur, por i bëshëm në trup, të përmendej nga trishtimi dhe letargjia që e kishte pllakosur. Menjëherë trupi i tij i gjatë u drejtua dhe fytyra i mori menjëherë shenja jete. Kështu ai menjëherë nuk nguroj ti përgjigjet Vazkenit për pyetjen e tij dhe në vijim ai e pyeti edhe atë për destinacionin që ai do të merrte. Pamja e këtij djaloshi i ofroj atij shumë besim dhe shpresë, duke filluar ti tregojë udhëtarit të panjohur që tashmë kishte përballë edhe jetën e tij, me një afrimitet sikur të njiheshin prej një jete të terë. Gjatë bisedës ai i shpjegoj Vazkenit,se po kthehej nga lufta, ku kishte qenë oficer madhor në ushtrinë gjermane. Vinte nga jugu i Italisë dhe ishte larguar nga autokolona gjermane, vetëm e vetëm për të shpëtuar jetën e majmunit të tij. I thotë Vazkenit se po priste trenin që shkonte për në veri të Italisë, nga do të vazhdonte rrugën për në Gjermani. Familjen e tij e kishte në Berlin, prandaj po shkonte që ti takonte ata, pasi kishte shumë kohë që ishte larguar prej atje. Në atë periudhë Berlini ishte shndërruar në arenën e fundit të luftës, pasi ushtria gjermane ishte tërësisht në tërheqje.


Sapo kishte marrë energjinë e një ushtaraku, por zëri i tij e tradhëtonte teksa e quante veten të pashpresë, për faktin se nuk ishte më i sigurt si do të rridhte më tej jeta e majmunit të tij. Sipas tij, Majmuni që kishte në qafë ishte i vetmi problem që i kishte ngelur tashmë në këtë jetë. Ishte i vetmi mik që i kishte ngelur dhe problemi qëndronte në pamundësinë që shikonte për ta marrë atë me vete në Berlin dhe për këtë ishte shumë i demoralizuar. Interesi për bisedën dhe ndjeshmërinë që pa tek ky djalosh, e bindi plotësisht gjermanin që ti besonte Vazkenit, duke ju lutur për ti lënë amanet majmunin e tij. I premtoj Vazkenit se po të kishte ndonjë shpresë për jetën, ai do të kthehej në Shqipëri ta merrte atë përsëri. Të dy udhëtarët biseduan aq gjatë midis tyre, sa që Vazkeni u bind për motivin e vetëm që e mundonte oficerin gjerman. Ky ishte amaneti i fundit i një njeriu edhe pse nazist, e cila mund të konsiderohej edhe fjala e fundit e tij, para dënimit që po i jepte Historia. Megjithatë Vazkeni nuk po i besonte akoma vetes, i dukej shumë e çuditshme ajo skenë që kishte para syve të tij. Filloj ti bënte pyetjen vetes, se si ishte e mundur që një oficerë gjerman, të cilin shtypi i kohës e përshkruante si kriminel të njerëzimit, të kishte kaq dhimshuri vetëm për një majmun.


Fjalët që pasuan oficerin Gjerman ishin të përlotura, ku ai me hidhërim nuk hezitonte të pohonte se luftai kishte bërë të ashpër, në fund të fundit ai ishte vetëm një ushtarakë por dhe njeri si gjithë të tjerët. Ai i shpjegonte Vazkenit se prania e Majmunit kishte qënë vendimtare në mbajtjen e ekuilibrit të tij mendor gjatë luftës dhe ky ishte një borxh që i kishte vënë majmuni i tij. I përsëriste me insistencëatij, se po të kishte ndonjë shpresë jete, do të vinte në Shqipëri të merrte përsëri majmunin, duke shtuar se do ta shpërblente pa masë për këtë xhest tepër human. Kjo bisedë e gjatë më Gjermanin e vuri shumë në pozitë dhe dilemë Vazkenin, i cili pa u menduar me fare, e mori majmunin në krahë dhe me të i nis për në Shqipëri. Nuk mendoj fare për reagimin e prindërve të tij, të cilët ishin vetë jabanxhi në Shqipëri dhe as për ambientin që ata i rrethonte. Ndarja e miqve të ri, në këtë stacion hekurudhor ishte tepër e vështirë. Shikimet midis njëri-tjetrit u shtangën dhe fytyrat e tyre morën një pamje trishtimi,gati të një funerali.


Ndërkohë treni i Vazkenit kishte mbërritur në Stacion dhe ishte gati për nisje. Menjëherë oficeri gjerman filloj ta ndihmonte atë për bagazhet e tij, pasi duart i kishte të zëna me majmunin. Para se hypte në shkallët e vagonit, gjermani e përqafoj shumë fort Vazkenin dhe me lot në sy i futi atij në xhep një pistoletë të vogël. Ishte një pistoletë shumë e bukur e markës Valter,tepër e vogël dhe e kromuar, të cilën Vazkeni do ta mbante për kujtim në gjithë jetën e tij.


Me majmunin në krahë Vazkeni mbërrin në Durrës dhe më pas vazhdon rrugën e tij për në Tiranë, ku asokohe banonte familja e tij. Pamja e tij me majmunin mbi shpatulla ju dukë shumë e çuditshme prindërve të tij, të cilët nuk nguruan ta pyesnin atë gjerë dhe gjatë. Ai u shpjegoj atyre historinë e pazakontë të oficerit gjerman dhe majmunit të tij, i cili që nga ajo periudhë do të bëhej pjesë e pandarë e familjes së tyre. Të gjithë u shtangën nga historia e majmunit dhe kjo do të ngelej e pa treguar për shumë kohë në Tiranë, për faktin se pronari i tij kishte qenë oficer gjerman. Vetë majmuni i tij, dashje pa dashje do të bëhej një legjendë e humorit tiranas . Ai do të bëhej aq i famshëm, sa që në letrat që vinin nga jashtë, sipër zarfit, postierit nuk i shkruanin adresën, por vetëm Doktor Mokinit, tek shtëpia e Majmunit. Me gjithë çudinë që përcillte prania e majmunit, ai u mirëprit me gëzim në familjen Putrulian (Mokini), e cila i vuri atij emrin Xhek. Xheku u bë pjesëtar i familjes me të drejta të barabarta me të tjerët, madje edhe kanakari i të gjithëve. Më shumë Xheku u lidh me Koharin, nënën e Vazkenit, e cila ishte më e pranishme në këtë familje. Kohari ishte pianiste dhe për këtë arsye majmuni Xhek, djali tashmë i adoptuar, kërcente në tingujt e melodive të luajtura prej saj.


Screenshot_12


Kohari me Xhekun


Acarimi i luftimeve në Tiranë, bëri që Vaskeni të ndërpresë përkohësisht studimet e vitit të fundit të fakultetit të mjekësisë në Romë. Ishte hera e dytë që ai i ndërpriste studimet, së pari në Vjenë për arsye shëndetësore të nënë së tij dhe tanimë në Romë për shkak të luftës, pasi rrugët ishin përfundimisht të mbyllura. Për këto arsye ai vendosi të ndihmoj të atin në studion mjekësore, pasi punët tashmë ishin shtuar më shumë edhe nga lufta. Me të atin ata shkonin për të ndihmuar të plagosurit nëpër spitale, pa dallim idesh. Siç tregonte kohet e fundit Vazken Mokini.


Në fund të vitit 1943 kishin arrestuar disa komunistë dhe midis tyre edhe Nexhmije Hoxhën. Siç e ka pohuar shumë vite më pas edhe kjo e fundit, kishte qenë vetëm një certifikatë mjekësore që i kishte dhënë Doktor Mokini, që ajo të shpëtonte nga arrestimi dhe vetëm nga besimi që italianët kishin për doktorin, ata e kishin liruar menjëherë Nexhmijen.


Në fillim të vitit 1945, Vasken Poturlian (Mokin)u emërua si mjek në spitalin ushtarakë të Tiranës, në pavijonin infektiv, megjithëse akoma nuk ishte diplomuar. Tanimë Mokinët, babë dhe birë kishin krijuar një çift ideal mjekësh, por që për diktaturën komuniste nuk mund të punonin më së bashku. Aftësia e këtij mjeku të ri, bie menjëherë në sytë mirë të autoriteteve komuniste dhe pa humbur shumë kohë, atë e emëruan si përgjegjës në këtë Pavion. Njëkohësisht me ngjitjen e shkallëve të hierarkisë mjekësore, ai ngjiti edhe atë ushtarake dhe kështu për një kohë relativisht të shkurtër ai mori edhe gradën e “Kapitenit të parë”.


Screenshot_13


Vazkeni me punonjësit e spitalit ushtarakë infektivë.


Në vitin 1948, Vazkeni martohet me një vajzë të quajtur Katerina Shani. Nga i ati ajo ishte me origjinë nga Shtëpëzi i Tepelenës, ndërsa e ëma armene. Ishte pikërisht vajza e mikut më të afërt të babait të Vazkenit, Mihal Shanit.


Screenshot_14


Katerina Shani


I ati i saj, Mihali, kishte qenë stilist dhe rrobaqepës me emër i mbretërisë Shqiptare, megjithatë Katerina nuk ndoqi shembullin e tij. Ajo kishte kohë që ishte bërë bashkëpunëtorja e Vazkenit në Spitalin ushtarak, por njëkohësisht edhe gruaja e tij e ardhshme. Tashmë ata kishin krijuar një kopje model ish-sportistësh, pasi edhe Katerina në rini kishte qenë teniste dhe patinatore e shkëlqyer. Ajo ishte shumë e prirur edhe pas letërsisë, por mjeksia do te ishte pasioni i fundit i saj si dhe foleja e dashurisë së tyre. Ardhja e Katerinës në shtëpinë e Vaskenit, krijoj një shqetësim të madh për majmunin Xhek. Ai filloj të bëhej xheloz për Katerinën, duke humbur qetësinë, pasi i dukej se ajo tashmë po i merrte një pjesë të mirë të interesimit dhe kujdesit të mëparshëm të familjes Mokin. Ky ishte edhe fillimi i peripecive psiqike të Xhekut në këtë familje.


Paralel me afirmimin dhe gradimin e Vaskenit edhe majmuni Xhek, fillon të rrisë ndjeshëm nivelin e tij të jetesës. Kujdesi ndaj tij do të ngelej përsëri një model më vete, pasi siç e thërisnin të gjithë me humor, Xhek Mokin kishte veshjet e tij me modë, por ngelej gjithnjë edhe pak qesharak si majmun. Kjo ishte arsyeja që në Tiranë, në atë periudhë qarkullonte një fjalë tashmë popullore, e cila ka ngelur një nga shprehjet më të bukura urbane të këtij qyteti. Kur dikush vishej me kostum paksa të ekzagjeruar, tiranasit e saj periudhe thonin: “Më je vesh dhe je bo si majmuni i doktor Mokinit “


Në vitin 1960, mbas hapjes së fakultetit të mjekësisë në Shqipëri, Vazken Mokini mbrojti edhe diplomën, megjithëse tashmë ishte një mjek shumë i afirmuar. Xhelozia e kolegëve të tij, bëri që atë ta sorollatin edhe ca kohë për marrjen e diplomës, megjithatë, në atë periudhë ai emërohet shef i repartit të infektivit dhe neurologjisë në spitalin ushtarakë. Më pas ai krijon vetë laboratorin Biokimik dhe Klinikë, po në spitalin ushtarakë, duke e kthyer atë në laboratorin më të mirë në Shqipëri.


Screenshot_15


Vazken Mokini në laboratorin klinikë


Të gjithë reagentët për laboratorin, doktor Mokini i porosiste jashtë shtetit, tek një firmë gjermane e quajtur “Merck”. Jeta rridhte mirë dhe miqtë e tij shtoheshin, midis tyre intelektual të njohur armenë dhe shqiptarë, si kirurgu dentar Agop Markarian, tregtari Diran Cakmaxhian, doktor Zyma, doktor Shiroka, doktor Papavrami, doktor Koliqi, farmacisti Telemak Goga, inxhinier Dhimitër Mihali si dhe shumë të tjerë. Me këtë shoqëri kaq të madhe, ata ndanin gëzimet dhe hidhërimet e familjeve të tyre, por puntuale ishte festa kombëtare të Armenisë si dhe karnavalet.


Vitet tek Xheku po bënin punën e vet, pasi tek ai u shfaq sëmundja e Alzhaimerit. Kjo sëmundje ishte organike për majmunët, pasi ata kanë kafkën e kokës të vogël dhe zhvillimi i madh i trurit në këtë sipërfaqe, jep komplikacionet e tij. Xheku filloj të mos kontrollohej si më parë, duke reaguar egërsisht me kafshime dhe ndukje të miqve të shtëpisë. Në familjen Mokin, ai kishte tanimë rreth 15 vjet që jetonte dhe nga mplakja edhe sëmundja kishte filluar të avanconte. Filloj të bëhet i padurueshëm dhe agresiv dhe objekt i kësaj sjellje ishte gjithnjë xhelozia ndaj Katerinës. Vetëm Kohari ishte në gjendje ta mbante, për ta larguar atë nga prapësirat, por edhe kjo ishte një imprezë e vështirë edhe për të. Atë vit familja e Vazkenit u shtua me një djalë, të cilin e quajtën Vahe. Ndaj Vahes, Xheku nuk kishte reagime negative, pasi ai e kishte kuptuar që ishte mashkull si ai.


Mbas 3 vjetësh familja e Vazkenit u shtua edhe me dy ajza binjake, të cilave ata i dhanë emrin Veda dhe Vilma. Kjo ishte periudha kur Xheku u bë i papërmbajtshëm, megjithatë Kohari ishte ajo që mund ta komandonte dhe ti vinte akoma pas. Vetëm një qortim i ashpër i saj, bënte që Xheku megjithëse i nervozuar, ta kuptonte që sjellja e tij e kishte kaluar cakun. Kishin kaluar shumë vite që jetonin bashkë dhe tanimë të dy ishin në moshë të thyer, prandaj si për çudi,këtë e kishte kuptuar edhe Xheku.


Screenshot_16


Xheku i papërmbajtshëm


Fëmijët e familjes Mokin ishin bërë tre dhe mundësia e kontrollit të Xhekut ishte bërë tashmë e pamundur. Kjo ishte arsyeja që bashkëjetesa e Xhekut, me këtë familje kishte ardhur në udhëkryq. Kishte filluar të thyej çdo gjë dheishte bërë i padurueshëm për Katerinën dhe fëmijët e saj. Ajo ishte e detyruar të merrte kudo që shkonte vajzat e saj binjake me vete.


Screenshot_17


Katerina me Vedën dhe Vilmën


Fillimisht Xhekun filluan ta mbanin të lidhur në një kënd të shtëpisë, me shpresën se Vazkeni do të arrinte ta kuronte, në mënyrë që Xheku të vazhdonte prapë jetën e tij normale pranë familjes Mokin.


Screenshot_18


Xheku i lidhur në cep të dhomës


Të gjithë tentativat për kurimin e Xhekut po rezultonin të kota, pasi sëmundja e tij tashmë ishte bërë terminale. Për këtë arsye familja Mokin u detyrua ta largonte Xhekun nga shtëpia dhe Vazkeni e mori atë në laboratorin e spitalit ushtarakë.


Screenshot_19


Xheku në Spitalin Ushtarak


Në laborator vazhduan përsëri kurat për Xhekun, për tu bindur plotësisht për pamundësinë e shërimit të tij. Vazkeni i bëri atij një grafi të kokës dhe pas saj u kunkludua se zhvillimi i madh i trurit dhe kafka e vogël, bënte të pamundur jetesën e mëtejshme të Xhekut. Vazhdonin ti bënin morfina, për ti eliminuar sa të mundnin dhimbjet atij. Përfundimisht ngordhja e tij ishte tashmë shumë e afërt dhe për këto arsye Vazkeni vendosi ti bënte një injeksion letal, pasi vetëm në këtë mënyrë ai mund të prehej i qetë dhe në paqe në botën tjetër.


Në ceremoninë mortore të Xhekut mori pjesë e gjithë familja Mokin dhe ajo Shani dhe trupin e tij e varrosën me nderime në një shtëpi të Mihal Shanit, e cila ndodhej (pas Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë). Deri në atë kohë, Xheku kishte qenë pjesëtar i pandarë i familjes Mokin dhe do të ngelej përgjithmonë i tillë. Sipas një proverbe shqiptare Amanetin nuk e tret as dheu dhe kjo kishte vlerë të madhe për Vazkenin, i cili mbas pak vitesh hapi përsëri varrin e Xhekut, për të pastruar kafkën e tij. Kjo do të qëndronte e ekspozuar brez pas brezi në një kristalierë antike të Vazken Mokinit. Mbas 16 vjetësh Vazkeni kishte plotësuar përfundimisht amanetin e gjermanit, i cili edhe pse nuk ishte parë më kurrë me të, ishte i ndërgjegjshëm se amanetin e tij e kishte çuar deri në fund dhe tashmë kishte edhe prova. Madje Xheku kishte ngelur i gjallë në kujtimet e popullit të Tiranës dhe në fjalorin e tyre humoristikë.


Screenshot_2


Kafka e majmunit  Xhek ne shtëpinë e Zherarit ne Monza të Italisë


Pas humbjes së Xhekut, një tragjedi më e madhe pllakosi në familjen Mokin. Në vitin 1963, ndahet befasisht nga jeta gruaja e Vazkenit, Katerina dhe kjo ishte një fatkeqësi shumë më e madhe për të dy familjet , Mokin dhe Shani, por shumë më e rëndë do të ishte ajo për bashkëshortin e saj, Vazkenin. Ai kishte vlerësuar dhe respektuar gjithmonë mjekët, aq më tepër kolegët e tij dhe për këtë nuk ndërhyri në vendimet e tyre për operacionin e gruas. Por kishte gabuar, pasi pikërisht nga pakujdesia e tyre, gruaja e tij ndërroj jete dhe këtë Vazkeni nuk do t’ja falte më asnjëherë vetes së tij. E kam jetuar edhe unë atë situatë tragjike të kësaj familje, pasi pikërisht atë vit edhe familja ime kishte ardhur me banim në atë pallat, pikërisht një kat më poshtë familjes së doktor Mokinit. Në vitin 1968, ne u larguam nga ai pallat, kështu që unë i humba deri diku kontaktet me atë familje, por për mua ajo familje ngelet një ndër ndriturat e Tiranës.


Deri vitet e fundit të jetës së tij, doktor Vazken Mokini ka punuar si shef i laboratorit Bioklinik dhe klinik të spitalit ushtarakë, me gradën e Kolonelit. Edhe i moshuar, ai e ruante gjithmonë elegancën e tij prej sportisti. Pamja e tij me kostum të zi, syzet metalike ngjyrë ari dhe ecja e tij prej ushtaraku, të impononte gjithmonë një respekt të veçantë.


“Trashëgimia e të atit dhe aftësia e lartë profesionale i kishin dhënë Vazkenit nderin e merituar, si një nga përfaqësuesit më të denjë të një populli shumë të vuajtur, por shumë të mençur”.


Vazken Mokin (Poturlian) ndahet nga jeta në vitin 2003, në moshën 86-vjeçare, por edhe me humbjen e dy brezave të saj të ndritur, mjekësia do të mbetej akoma e gjallë në familjen Poturlian.


VAHE MOKIN (POTURLIAN)


Vahe Mokin u lind në Tiranë në 6 mars të vitit 1949. Në vitin 1974 ai u diplomua në fakultetin e mjekësisë së përgjithshme , duke rritur në tre gjneratën e mjekëve të familjes së tij. Fillimisht ai filloj punën si mjek në pavijonin e pediatrisë. Më kujtohet që edhe ai ashtu si dhe paraardhësit e tij, kishte shkëlqyer në këtë pavion dhe këtë ma kishin konfirmuar mjekë të vjetër dhe me eksperiencë. Më pas në vitet 1981 84 ai kishte filluar specializimin e tij jashtë shtetit, në Torvergata të Romës, në fushën e gjenetikes.


Sot më shumë se 110 kërkime të tij, në këtë fushë janë njohur edhe në vendet e Europës. Vahe Mokin është iniciatori i parë i depistacioneve të Betatallasemisë dhe sëmundjeve të tjera të trashëgueshme. Sot ai është shef i shërbimit të gjenetikës , në spitalin publikë Nënë Tereza dhe pedagog në fakultetit e mjekësisë.


Screenshot_20


Vahe në laboratorin e tij.


Gruaja e Vahes, Loreta, ka mbaruar universitetin per Frengjisht dhe ka punuar si producente filmi dhe dokumentarësh në institutin nacional Audiovisuel në Paris. Ka punuar edhe si korrespondente e anal France Internacional për 15 vjet dhe sot po bashkëpunon me një koproducion filmi RusoShqiptar, me skenar të Ismail Kadaresë.


Me doktor Vahe Mokinin unë i kam mbajtur gjithmonë kontaktet e mia, pasi ishte i palodhshëm dhe vinte te vizitonte 2 vajzat e mia ne çfarëdo ore. Mbas rënies të regjimit komunist, kontaktet tona ishin më të rralla, pasi unë që prej viti 1993 jam shpërngulur në Itali, pasi gruaja time është me origjinë italiane. Siç kam dëgjuar nga shumë shokë e miq të tij edhe mbas degradimit të mjekësisë shqiptare, Vahe ka mbetur njëlloj dhe me plot gojën mund të them se është ndër të paktët mjek të pa korruptuar. Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për para, por ai është i gatshëm që të paguajnë nga xhepi për ti shërbyer miqve të tij. Edhe kush ulej në tavolinë me të , duhet ta bënte në mënd të mos fuste duart në xhep, pasi do të prishej me të. Kam pasur rastin ta ftoi në Treviso të Italisë ku unë banoj aktualisht, por vizita e tij ishte vetëm një orëshe, pasi do të shkonte tek djali i tij që studionte në Venecia.


ZHERAJR POTURLIAN (MOKIN)


Ishte viti 1996, kur doktor Vazken Mokin kishte mbushur 79 vjeç. Kohët e fundit ai qëndronte shpesh në shtrat,pak nga mosha e thyer, por më shumë nga shqetësimet e shëndetit. Gati çdo ditë sapo kthehej nga shkolla nipi i tij, Zherari, vinte dhe ulej në krevatin e gjyshit, për ta përqafuar dhe rinte orë dhe orë të tëra duke biseduar me të.


Screenshot_21


Kishin krijuar një lidhje special midis tyre, më shumë se një raport gjysh nip, pasi diskutonin gjatë e gjerë për çdo problem, sikur të kishin qenë koleg pune. Zherari u lind në 1 prill 1981 dhe atë vit mbushte plot 15 vjeç. E ashtuquajtura Demokraci ato vite kishte sjellë me vete një varfëri mentale dhe ekonomike në Shqipëri . Kjo situatë kishte influencuar në humbjen e vlerave njerëzore dhe traditave dhe kjo pikërisht për të rinjtë. Kjo mvarej nga niveli kulturor i familjes tyre dhe për Zherarin ajo ishte një vlerë e shtuar. Gjyshi i tij, Vazkeni ishte një njeri shumë i madh për nga kultura, po ashtu mjekë i shquar prej dy gjeneratash. Zherari ishte në klasën e tetë dhe ishte tamam momenti më delikat për një të ri, duke shtuar këtu edhe vështirësitë politike dhe ekonomike që po kalonte vendi i tij. I ati, Vahe, ishte gjithmonë i zënë me punë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, prandaj ishte detyra e gjyshit të ndiqte nipin edhe nga shtrati, për ritjen e tij të shëndetshme dhe mentale.


Kështu nën kujdesin e vëmendshëm të gjyshit, ato vite Zherari u formua si një djale serioz dhe i aftë për jetën e tij. Ai i kishte premtuar gjyshit të tij se do ta vazhdonte traditën e familjes së tij të ndritur, për të rritur në katër gjeneratën e mjekëve të kësaj familje,dhe kështu nisi i sigurtë rrugëtimin e tij drejt dijes dhe profesionit human të mjekut. Si Armen që ishte, ai shkoi në ishullin San Lazaro të Venecias, ku vazhdojë kolegjin e njohur Armen, të arsimit të mesëm, me emrin Murat Rafail. Atje ishte përgatitur tamam si gjyshi i tij, pasi në mbarim të kolegjit ai zotëronte fare mirë Anglishten, frëngjishten dhe italishten, përveç armenishtes dhe shqipes qe ishin gjuhet e prindërve të tij.


Me mbarimin e kolegjit, Zherari vazhdoj studimet në universitetin e Chietit të Italisë, në degën e mjekësisë, të cilën e mbaroj me rezultate të shkëlqyera në vitin 2004. Më pas kreu edhe specializimin në spitalin San Gerardo të Monzës për anestezi dhe animacion. Për kulturën komplete të këtij të riu dhe aftësitë e veçanta profesionale, ky spital e mbajti Zherarin si mjek në repartin e Urgjencës.


Screenshot_22


Zherajr Mokin (Potrulian)


Mund të numërohen vetëm me gishtat e dorës, që në Itali të mbahen në punë mjekë jashtë komunitetit europian edhe pse mund të kenë studiuar brenda saj. Ja pra një nga ata ishte edhe Zherar Mokin (Potrulia), gjenerata e katërt e mjekëve të kësaj familje të ndritur armene. Sot edhe kafka e majmunit Xhek, ndodhet në Itali, e vendosur mbi një mobilie antike të familjes tij, ashtu siç mund të ishte antike edhe historia e këtij majmuni dhe ky ishte amaneti i fundit që i kishte lenë gjyshi tij para vdekjes.