Një makinë u vodh sot në kryeqytet duke vënë në lëvizje autoritetet. Efektivët mësuan se autori po lëvizte drejt Bulqizës dhe njoftuan kolegët në Dibër, të cilët u vunë në ndjekje.


Menjëherë është organizuar puna, ku shërbime të policisë kanë ngritur një pikë kontrolli në Qafën e Buallit me qëllim ndaljen e këtij automjeti.


Në momentin që është afruar makina tip Benz me targa AA 186 EE, nga shërbimet e policisë i është bërë shenjë ndalimi, por automjeti është larguar me shpejtësi duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë.


Ndodhur në këto kushte policia ka qëlluar në ajër me qëllim që automjeti të ndalej. Shërbimet e policisë kanë vijuar ndjekjen e automjetit ku në hyrje të qytetit të Bulqizës, dy persona ende të paidentifikuar kanë braktisur automjetin duke u larguar me shpejtësi në këmbë.


Policia e Bulqizës vijon krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e personave si dhe vijojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.


23 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)