Rreth 4400 pronarë mjetesh në të gjithë territorin e qarkut të Gjirokastrës rezultojnë debitorë karshi Drejtorisë së Transportit Rrugor për shkak të taksave të pashlyera vjetore.


Një pjesë e tyre nuk i kanë shlyer detyrimet që prej vitit 2012, çka i ngarkon ata edhe me kamatë- vonesa dhe gjoba. Kjo kategori lidhet me emigrantët apo drejtuesit e mjeteve në zonat rurale, që kanë informacion të paktë mbi procedurat, thotë drejtori Dino Selimi, i cili shpjegon gjithashtu se me ligjin për çregjistrimin dhe fshirjen e detyrimeve para vitit 2012, qarku i Gjirokastrës pati një numër të lartë përfituesish.


520 qytetarë u paraqitën vetë për të çregjistruar mjetet deri në fund të vitit 2017, ndërsa automatikisht me hyrjen në vitin 2018 në total 4550 mjete iu larguan listës prej vitesh fiktive të automjeteve në nivel qarku. Qindra mjete të amortizuara, karroceri dhe mjete të rënda pune bujqësore, mjete të amortizuara nga 43 subjekte shtetërore dhe 11 institucione nuk do të mund të rikthehen më në qarkullim pas ç`regjistrimit.


Ndërkaq penaliteti prej taksave të prapambetura pengon në një masë të madhe regjistrimin e mjeteve të reja dhe përpilimin e kontratave të shit-blerjes. Emigrantët janë ata që shpresojnë në një falje të re për taksat e papaguara pas vitit 2012. Sistemi sipas specialistëve lokalë ka nevojë të çlirohet edhe më tej nga barra fiktive për një pjesë të mjeteve që nuk kanë qenë në funksion pas 2012 sidomos prej atyre që kanë shkuar për skrap.


Në të gjithë qarkun e Gjirokastrës, pas çregjistrimit të fillim vitit figurojnë të regjistruara rreth 15 000 mjete nga rreth 19300 vitin e kaluar. 10500 prej tyre i kanë shlyer detyrimet. Më parë falja e detyrimeve e realizuar për periudhën 2003-2010 nxori nga qarkullimi dhe çregjistroi rreth 2200 mjete.


Sipas parashikimeve lokale, në fund të 2018-ës qarku i Gjirokastrës pritet të ketë në qarkullim jo më shumë se gjysmën e numrit të mjeteve të vitit 2000.


3 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)