Makthi i Firences, bandën e grabitësve shqiptarë i nxjerr zbuluar telefoni

Dymbëdhjetë shqiptarë, të moshës midis 20 dhe 47 vjeç, u arrestuan dje nga policia e Firences, me akuzën e vjedhjeve të shumta. Shqiptarët ishin të gjithë anëtarë të një bande të specializuar në plaçkitjen e apartamenteve. Deri më tani, policia ka dokumentuar 29 vjedhje në Toscana, në krahinat e Firences (10 vjedhje), Livorno (4), Pisa (12), Pistoia (2), Siena (1).


Banda vepronte gjatë natës, kur pronarët flinin, duke u futur në banesë në shumicën e rasteve nga dritaret e hapura për fresk gjatë natës. Në raste të tjera ata ngjiteshin nga ulluqet e banesave. Për të mos u identifikuar, vjedhësit lëvizin me transport publik, si trena ose autobusë, me fytyrat shpesh të mbuluara pjesërisht dhe gjithmonë me doreza. Vjedhjet, në pothuajse të gjitha rastet, ndodhnin në praninë e pronarëve të banesave, të cilët nuk dëgjonin asnjë zhurmë. Kur zgjoheshin ata përballeshin me lajmin e hidhur.


Kishte episode ku kriminelët nuk merrnin vetëm atë që ndodhej brenda apartamenteve: shpesh gjenin çelësat e makinës së pronarit dhe ngarkonin sendet e vjedhura. Pas disa orës e kthenin automjetin sërish aty ku e merrnin.


Para se të hynin në veprim, ata gjithmonë i fiknin telefonat ose, me qëllim që t’i pengonin hetuesit, i linin të ndezur në një shtëpi të improvizuar. Sipas asaj që u shpjegua, agjentët e ekipit celular e identifikua bandën në saj të një telefoni celular. Njëri prej hajdutëve kishte harruar telefonin në një makinë, gjithashtu e vjedhur dhe pastaj e braktisur nga kriminelët pas goditjes.







Gazeta Shqip


Reklama

Lajmet e fundit

Reklama