TIRANE-Maturantët që do t'i nënshtrohen këtë vit procesit të Maturës Shtetërore do të kenë rregulla të reja. Sidomos përsa i përket cilësisë së administrimit të mbarë procesit, duke nisur nga hartimi i pyetjeve, shpërndarja e testeve, procesi gjatë zhvillimit të provimeve, por edhe vlerësimi. Detajet e ndryshimeve që do të ketë Matura Shtetërore 2014 janë zbardhur nga zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, e cila nëpërmjet "Gazeta Shqiptare" u jep një lajm të mirë mijëra maturantëve se, kërkesa e tyre për ndarjen e provimeve me zgjedhje është marrë parasysh. Pra, këtë vit ata do të mund t'i zhvillojnë dy provimet me zgjedhje në ditë të veçanta.
Zonja Malaj, çfarë por ndodh me Maturën Shtetërore? U fol për një kohë të gjatë që gjuha e huaj nuk do ishte provim me detyrim, por u vendos. Do ketë surpriza të tjera?
Udhëzimi i firmosur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit është bërë në mbështetje të plotë të ligjit të Arsimit Parauniversitar.
Edhe pse nga takimet që kam pasur me maturantë, ata janë shprehur kundër futjes së gjuhë së huaj në listën e provimeve me zgjedhje. Por ne nuk mund të dalim mbi ligjin. Pasi ka dy nene që përcaktojnë se në provimet e Maturës Shtetërore të këtij viti duhet të futet si lëndë me detyrim dhe gjuha e huaj, ndërsa për shkollat 9-vjeçare ajo do të futet si lëndë e detyruar në provimet e lirimit në 2015. Duke pasur parasysh këtë gjë, u vendos që të mos penalizohet asnjë maturant, duke bërë që nota e gjuhës së huaj me detyrim të futet vetëm në certifikatën e maturës, por nuk do të futet në pikëzim. Pra, kjo notë nuk do të ketë peshë në formulën e Maturës Shtetërore. Ata që kanë njohuri dhe ndihen të sigurt në gjuhë të huaj, kanë mundësinë që ta përzgjedhin dhe si lëndë me zgjedhje, ku do të kenë vlerësimin maksimal me 10 kredite.
Në udhëzim caktohet se niveli i gjuhës së huaj me detyrim është A2. Po për gjuhën e huaj me zgjedhje çfarë shkalle vështirësie do të ketë?
Shkalla e vështirësisë për gjuhën e huaj me detyrim është e ulët, ka nivel A2 ku futen njohuri mbi elementaren, në mënyrë që të mos penalizohet asnjë nxënës. Në diplomë rezultat do të përcaktohen me notë. Ndërsa provimi i lëndës së gjuhës së huaj me zgjedhje ka shkallë vështirësie më të lartë, niveli është B2, por në rezultate do përcaktohet me notë.
A do të njihen si mbrojtje, rezultatet e provimit të gjuhës së huaj me detyrim?
Rezultatet do të njihen nga institucionet, sepse me këtë nivel hynë në sistemin Bachelor. Por për sa i përket masterit, ligji i Arsimit të Lartë ka përcaktuar se si kriter dalës është gjuha e huaj angleze në një institucion të njohur ndërkombëtarisht. Edhe jashtë shtetit dëftesa njihet, po ashtu edhe programi i gjuhës, por çdo vend ka rregulla e veta. Ndaj nëse një kandidat dëshiron të shkojë në Gjermani, edhe pse e ka marrë këtë provim, do të testohet në lidhje me këto njohuri të gjuhës.
Maturantët janë në pritje të programeve të orientuese. Kur do t'i kenë në duar këto programe?
Programet orientuese do të publikohen në fillim të shkurtit. Nuk ka vonesa, edhe në udhëzimin e maturës si kohë është e përcaktuar për publikimin e tyre fundi i janarit, fillimi i muajit shkurt.
Nga takimet me maturantë, cilat kanë qenë kërkesat e tyre kryesore? Dhe a do merren parasysh këtë vit?
Dy kanë qenë kërkesat kryesore të nxënësve, ndarja e provimeve me zgjedhje, pra që të mos jenë më në një ditë si dhe rritja e peshës së notës mesatare. Dhe të dyja këto do të merren parasysh. Pra, këtë vit maturantët, provimet e lëndëve me zgjedhje do t'i bëjnë të ndara, pasi do zhvillohen në ditë të ndryshme. Ndërsa notës mesatare i kemi dhënë më shumë peshë se vitet e mëparshme.
Dhe sa është pesha e notës mesatare të viteve të gjimnazit?
Këtë vit është vendosur që të jetë 10% më shumë se sa ka qenë më parë. Me këtë gjë ne i japim rëndësi formimit të përgjithshëm të çdo maturanti dhe jo vetëm lëndëve me detyrim dhe me zgjedhje. Pasi një qytetar i mirëformuar është një qytetar më aktiv, më i realizuar.
Çfarë ndryshimesh do të ketë në procesin e maturës? Është folur shumë për problemet në menaxhimin e këtij procesi. A janë vendosur hapat konkrete që do të preken?
Problemi më i madh i Maturës Shtetërore ka qenë vlerësimi dhe administrimi. Ideja ime është që ta monitorojmë online të gjithë procesin e maturës. Por është ende herët për të thënë nëse do jetë e mundur. Në lidhje me këtë gjë do të nisim një inspektim javën tjetër, ku do të bëhet dhe trajnimi i të gjithë mësuesve të informatikës. Pas tyre do të ketë trajnimi për të gjithë mësuesit që do të jenë pjesë e procesit administrator gjatë provimeve. Si dhe ata që do të hartojnë testet e provimeve. Do zhvillojmë takime me titullarët e institucioneve për të informuar çdo nxënës edhe në skajin më të largët. Hartimi i testeve dhe tezave nuk do jetë në ato çfarë nuk kanë bërë, por çdo pyetje do të përputhet në programin bazë. Pasi shpeshherë nxënësit kanë pasur ankesa se një autor nuk është bërë te klasa e tyre. Do u jepet mundësia nxënësve që të marrin kurse falas në shkollë për lëndët që ata kanë nevojë. Do të krijohen grafikë për zhvillimin e konsultave për provimet e maturës. Dhe kjo nuk do jetë një gjë që do të mbetet në letër, pasi çdo titullar duhet të dijë se vlerësimi që merr shkolla nga matura në 2015 do të jetë një indikator cilësie për çdo institucion arsimor.
Dalja e tezave dhe kopjimi ka qenë një problem në provimet e maturës. Cila është zgjidhja që do i jepet?
Është e vërtetë, sidomos këto dy vitet e fundit kanë qenë të shumta rastet kur administratorët bëhen pjesë e abuzimeve. Ndaj paralajmërojmë se do të ketë proces penal të të gjitha rasteve që do të ketë abuzime. Ka pasur probleme dhe me sekretimin, ndaj do të gjendet një tjetër formë shpërndarjeje. Mendojmë se posta shtetërore mund ta sigurojë këtë gjë, pa krijuar problemin e nxjerrjes së tezës. Do ketë monitorim rigoroz të procesit, sepse standardi do jetë gjithëpërfshirës. Do t'u jepet mundësi si të dobëtëve dhe të mirëve, pasi testi do t'i përmbajë të gjitha nivelet, ku secili të ketë mundësinë e shprehjes. Por duhet të bëhet e qartë për këdo, se shkolla fitohet dhe nuk dhurohet. Në sallat ku do zhvillohen provimet mund të sigurojmë edhe kamera sigurie. Por për këto elemente është herët diskutimi.
(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)