Kohë ka, por rezultatet nuk mund të vonojnë shumë. Projekti është i ri, durimi duhet gjithmonë, por gabime të tilla për Milanin si ulje të përqendrimit apo mosvlerësim i duhur duhet të zhduken menjëherë.


Mesazhi i Paolo Maldinit është i dretjpërderejtë: një koncept i thjeshtë e i qartë, të cilin e kishte shprehur pas barazimeve fillimisht me Cagliarin, e më pas me Atalantën. Ish-kapiteni tha se ekipit i duhet ende kohë për të shprehur potencialin maksimal.


Nevojitet kohë për tu rritur, shpresojmë ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur. Mungon akoma një lojtar i nivelit të lartë si dhe duhet një rritje në mentalitet. Objektivi ynë është Championsi, ne besojmë dhe të njëjtën gjë duhet të bëjnë lojtarët, i kemi mundësitë për ta arritur këtë gjë.


Aktualisht Milani gjendet në vendin e 13-të në kampionat, me një ndeshje më shumë për të luajtur. Në 4 takime kuqezinjtë kanë marrë një fitore, dy barazime e një humbje, ndërkohë që ndeshja e ardhshme do të jetë kundër Empolit, ditën e enjte. 7 herë kampionët e Europës i mungojnë Championsit prej 4 vitesh e me blerjen e Higuainit klubi italian shpreson të rikthehet aty ku i takon.


25 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)