Nga Julian Kasapi


Trajneri i verdhejeshilëve, Saimir Malko, ka shumë besim se të tijtë do të arrijnë fitoren e 8-të radhazi në ndeshjen me Adën


Lushnjarët nuk mendojnë rezultat tjetër veç fitores në takimin e fundit në shtëpi për këtë fazë. Ndeshja e sotme me Adën konsiderohet e lehtë nga gjithë opinioni futbolldashës në Lushnjë, por vetë futbollistët dhe stafi teknik janë të kujdesshëm në deklaratat e tyre.


Ata kanë punuar me shumë seriozitet gjatë gjithë javës stërvitore, duke e vlerësuar kundërshtarin, që në letër mund të duket i lehtë, por lushnjarët e kanë pësuar sezonin e fundit nga Ada dhe nuk mund të bëjnë të njëjtin gabim tani, kur janë brenda objektivit për ngjitjen në superligë.


Malko Stafi teknik lushnjar i ka në dispozicion të gjithë futbollistët, përveç mesfushorit Gjoni, i dëmtuar në ndeshjen me Gramozin. I vetmi ndryshim në formacion do të jetë spostimi i  Ruços në krah dhe ndoshta aktivizimi i Mërtirit. Do të luajë Renato Sula, i cili është riaftësuar, ndërsa sulmi do të përbëhet nga dyshja e zakonshme Sefa-Canka.


Trajneri Saimir Malko llogarit në bllokun e tij vetëm 3 pikët, pasi është i bindur se djemtë e tij do të dinë ta fitojnë këtë ndeshje: Nuk kam dyshime se nesër (sot), në ndeshjen e fundit të kësaj faze përpara tifozëve lushnjarë, do të marrim fitoren e 8-të radhazi. Eshtë një ndeshje e vështirë, por kam besim te ky ekip i mrekullueshëm që drejtoj, – ka thënë dje trajneri Malko.


Rivalët Lushnjarët në këtë takim do ti kenë veshët edhe nga ndeshja e Gjirokastrës, ku përballen dy kryesuesit. Luftëtari pret Kukësin dhe Lushnja, me një fitore, mund të marrë vendin e dytë. Javën e fundit e pret transferta e Kukësit, ndeshje që do të zhvillohet ditën e mërkurë.


Për të gjithë në Lushnjë do të ishte mirë sikur kryesuesit të ndanin nga një pikë në përballjen e tyre, por gjithcka i mbetet fushës së blertë. Së pari, Lushnja duhet të fitojë ndeshjen e saj, për të qenë më e qetë dhe më e motivuar për sfidën me Kukësin.