Kanë mundur të marrin nga në pikë Manchester Unitedi dhe West Bromwich Albion në ndeshjen e zhvilluar dje. Kështu, Manchester Unitedi i ka shpëtuar humbjes nga West Bromwich Albion duke barazuar në minutat e fundit (2-2). Zhvillohej minuta e tetë në The Hawthorns, kur ekipi mikpritës kaloi në epërsi përmes Stephane Sessegnon. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e lojës. 

Në minutat e para të gjysmës së dytë, miqtë barazuan. Barazimi i rezultatit erdhi sapo u angazhua në lojë Marouane Fellaini (48’), pas harkimit të Di Marias. Megjithatë, ekipi vendas e riktheu avantazhin. Saido Berahino shtoi telashet e Djajve të Kuq (66’). Pas presionit të madh, Unitedi arriti të shënojë golin e merituar dhe të barazojë sërish rezultatin (87’). Realizues ishte Daley Blind. 

Mesfushori shqiptar që mbron ngjyrat e Belgjikës, Adnan Januzaj, u angazhua nga minuta e parë në këtë takim dhe e zhvilloi gjithë ndeshjen. Manchester Unitedi është në vend të gjashtë në tabelë, me 12 pikë, një pikë larg vendit të katërt, të cilin e mban West Hami. 

(o.d/BalkanWeb)