Zgjedhjet e 28 qershorit, të bekuara nga pjesëmarrja e qytetarëve dhe certifikimi i ndërkombëtarëve

Kryeministri Sali Berisha përsëri edhe njëherë se zgjedhjet e qershorit ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë. Berisha theksoi se votën e lirë e bekuan qytetarët shqiptarë me pjesëmarrjen e tyre si asnjëherë tjetër. “Qytetarët votën e tyre të lirë e bekuan me pjesëmarrjen e tyre. Votën e lirë e bekuan mbi 20 mijë komisionerë të PS-së, të cilët me përgjegjësi me ligjore, me përgjegjësi të madhe demokratike firmosën çdo procesverbal. Votën e lirë e bekuan mediat vendase dhe ndërkombëtare. Çdo gazetar dhe media në vend, u bënë dëshmitarë të procesit më të mirë, më të qetë, më ligjor që, vendi ka njohur në historinë e tij. Pas zgjedhjeve Edi Rama pretendoi se kishte krijuar një dosje të madhe me falsifikime, mashtrime, dhunime. Por ishin mediat shqiptare ato që qeshnin dhe përqeshnin paçavuren e tij”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit zgjedhjet u certifikuan nga 15 mijë vëzhgues të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të Këshillit të Evropës. “Kupola punisto-mafioze, tha Berisha, nuk pati asnjë provë manipulimi. Zgjedhjet u certifikuan nga qeveria e SHBA-ve, e cila deklaroi në Vjenë se këto zgjedhjet pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Këto zgjedhje u bekuan nga kryesia e radhës e BE, Presidenca Suedeze, e cila e bazuar në raportin e OSBE, theksoi se zgjedhjet janë më të mirat e zhvilluara ndonjëherë dhe i kërkoi opozitës të zërë vendet në parlament. Parlamenti Evropian i certifikoi zgjedhjet dhe i kërkoi opozitës përmes një rezolute të ndalë menjëherë bojkotin”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha nënvizoi se “zgjedhje nuk i njohin një grusht individësh dhe kjo është vetëm njëra arsye. Një kupolë mafioze, e cila ka ndërtuar në pronat e këtij kryeqyteti dhe ka vendosur një pasuri prej 750 milionë eurosh”, u shpreh kreu i qeverisë.
Shefi i ekzekutivit nënvizoi se ky mandat do të jetë mandati i dorëzimit para drejtësisë të Aldo Bareve të politikës. “Nëse në mandatin e parë ia dolëm t’i eliminojnë një nga një nga Aldo Baret e Dritan Dajtat, ky është mandati i dorëzimit të Aldo Bareve të pushtetit, i Aldo Bareve që kanë vendosur miliarda euro pasuri krimi. Kjo nuk është e shumta, kjo është e pakta. Ndaj dhe këta zotërinj, thërrasin të mos hiqen vizat. 5 ditë më parë i deklaronin përfaqësuesve të KE-së se nëse liberalizojnë vizat do gjallohet krimi shqiptar drejt Bashkimit Evropian. Garantoj kupolën e mafias se darët e ligjit do të çmontojnë tërësisht predominimin e tyre të krimit. Vullneti i kësaj qeverie është i hekurt. Vullneti im është i hekurt. Kërcënimet dhe ultimatumet, Rama t’ia çojë Gramozit, Kokëdhisë, Dulakut, Tom Doshit”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Sali Berisha.

...