Kryeministri Berisha ka deklaruar se pas përfundimit të afatit për deputetët socialistë të cilët nuk kanë bërë betimin në Kuvend do të zbatohet Kushtetuta. Në një intervistë për VOA-n kryeministri Berisha theksoi se vendet e deputetëve socialistë nuk do të mbeten bosh.
"Kushtetua do të zbatohet. Dhe të jem i sinqertë. Në këtë çështje është bërë një interpretim shumë i gjerë i situatës. Kushtetuta thotë se mandate humbet kur deputeti nuk bën betimin. Eshtë shumë e qartë, shumë e prerë dhe është pika e parë kur deputeti humbet mandatin. Rregullorja e parlamentit e cila në vetvete është kushtetua e parlamentit ajo përcakton 6 muaj mungesë për t'u paraqitur dhe në këtë rast në opsionin më posibilist, është pranuar ky variant i dytë për t'u llogaritur. Por kushtetuta do të zbatohet" theksoi Berisha.
Ndërkohë Berisha në lidhje me situatën politike në vend dhe me deklaratat e ndërkombëtarëve për bashkëpunim mes dy palëve theksoi se këto deklarata janë një apel i qartë për opozitën.
"Ajo është një apel për opozitën sepse unë kam bërë një ofertë publike, prapë e ftoj të vij, prapë e ftoj të bëjmë komisionin hetimore, prapë garantoj t'I jap mazhorancën sic nuk e parashikon ligji, por është një çështje mes nesh dhe ka një mekanizëm për t'ja lënë atij mazhornacën në dorë" theksoi Berisha. Ai shtoi gjithashtu se e fton opozitën të hetojë
çdo gjë tjetër për këto zgjedhje por jo vendimin e gjykatave.