Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi mendon se dorëzimi i mandateve të deputetit është rruga e fundit që mund të ndërmerrte opozita.


Në emisionin I Ftuari në A2 CNN, ai ka thënë se gjykon se kanë marrë një vendim të duhur, pasi vendi nuk qeveriset, por sundohet.


Duke iu përgjigjur pyetjes, se kush vjen në pushtet pasi të largohet qeveria Rama, Shehi tha se atë e pason një qeveri tranzitore, që do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.


Ditën që nuk kemi më Ramën Kryeministër do të duhet të zgjedhim një qeveri tranzitore, që nuk përjashton të majtën, e cila do të marrë përsipër disa detyra: në radhë të parë të krijojë një ambient të ri për zgjedhje të lira e të ndershme. Të pastrojë ambientin politik dhe ekonomik për zgjedhje të ndershme. Për ligjin e ri zgjedhor nuk ndaj mendimet e mia me kolegët opozitarë, por kjo është tjetër gjë. Por e rëndësishme është të pastrohet oborri dhe të hymë në garë pa ndikimin e parave dhe të pistoletës, tha Shehi.


Por sipas kreut të LZHK-së, idealja për ti dhënë fund krizës politike në vend dhe për të anëtarësuar Shqipërinë në BE do të ishte një qeveri me bazë të gjerë, që duhet të bekohet edhe nga ndërkombëtarët.


Gjykoj që Europa përtej deklaratave, rastin më ideal për të integruar Shqipërinë është me një qeveri të përbashkët. Europa ka vite që e kërkon një qeveri të përbashkët dhe ky është momenti më i mirë për të arritur integrimin. Ditën që Europa do të shohë këtë qeveri tranzitore, çështja e integrimit do të zgjidhet brenda vitit pa asnjë lloj problemi, theksoi ai.