Vërejtja e bërë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës kolegjeve private që të mos thirren si universitete, por ashtu siç janë akredituar- kolegje, nuk ka bërë punë. Këto kolegje nuk po maniplulojnë vetëm me të rinjtë që duan të bëhen studentë, por edhe me institucionet më të larta shtetërore në Kosovë, tani dhe Shqipërisë.


Para syve të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë dhe institucioneve tjera të Kosovës, me apo pa vetëdije presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka rënë pre e këtyre manipulimeve. Nishani do të mbajë një fjalë rasti në kolegjin AAB, por që në ftesën e dërguar zyrtarëve të lartë të shtetit, i shkruhet titulli Universiteti AAB.


Krerët e këtij kolegji e quajnë këtë një gabim teknik i bërë në ftesa nga administrata. Në ftesë, një kopje të së cilës dërguar institucioneve ka siguruar gazeta, përmban këto fjalë: Kemi kënaqësinë e veçantë tju ftojmë të merrni pjesë në solemnitetin e organizuar me rastin e vizitës së Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani , në Universitetin AAB. Ky solemnitet organizohet të premten, më 31 gusht…. Ndërkaq, në fund të ftesës shënohet Institucioni i Arsimit Universitar AAB. Gazeta përmes telefonit ka kontakuar dhe Ambasadën e Shqipërisë.


Nga zyra e ambasadorit, Andi Gjoji i është përgjigjur gazetës përmes telefonit se ambasada nuk ka marrë ftesë me shkrim për këtë ceremoni. Madje, ai ka theksuar se i kanë marrë në telefon nga AAB-ja për ti pyetur nëse do të jenë në këtë ceremoni dhe kush do të marrë pjesë. Gjoji ka thënë se është e natyrshme të jenë në këtë ceremoni pasi do të jenë dhe në shoqëri të Presidentit gjatë gjithë ditës bashkë me ambasadorin. Ai ka thënë se ftesë nuk kanë marrë as me email./Zeri