Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku u paraqit sot para deputetëve në Komisionin e Ligjeve për të raportuar mbi analizën vjetore të institucionit.


Mbledhja shkoi ashtu siç ishte parashikuar, me deputetët e opozitës që artikuluan se Marku nuk e ka tagrin të prezantohet si Prokurore e Përgjithshme dhe të majtët që kërkuan një raportim në bazë të pyetjeve pa ndërhyrje nga PD që mund të prodhonin kaos në sallë.


E teksa qetësia nuk u ruajt për asnjë çast, deputetët e PD e akuzuan Kryeprokuroren se mbylli çështjen Tahiri duke lënë të lirë ish-ministrin e Brendshëm. Nënkryetari i PD, Edi Paloka i drejtoi Markut disa pyetje për çështjet më të nxehta si ajo për Agron Xhafajn dhe lëvizjet e prokurorëve që hetonin çështjen Tahiri, por kryeprokurorja tha se kishte zbatuar ligjin dhe nuk kishte informacion për çështjet gjyqësore.


Në një moment tensioni në sallë, kur deputeti demokrat Klevis Balliu po i drejtonte disa pyetje Kryeprokurores Marku, kreu i Komisionit Ulsi Manja mbylli mbledhjen duke thënë se opozita po thyen kodin e etikës.


Por pikërisht me këtë mbyllje në të tillë mënyrë të mbledhjes nga Manja nuk ishte dakord Paloka, i cili në një deklaratë për mediat tha se kreu i Komisionit të Ligjeve po sillet në të njëjtën mënyrë si kryeparlamentari Gramoz Ruçi në mënyrën si kryen detyrën e tij.


Mbylli në mënyrë të parregullt komisionin ndërkohë që ishin në kulmin e pyetjeve. Të njëjtën gjë që bën Ruçi në seancat e parlamentit bëri dhe Manja sot duke mbyllur në mënyrë arbitrare komisionin, tha Paloka.


Ai shtoi më tej se veprimi i Manjës lidhet me faktin që Ulsiu ka një lidhje pak më të ngushtë se të tjerët me zonjën, dhe duke parë që zonja ishte në vështirësi, bëri një hap duke kërkuar ti mbyll gojën opozitës edhe njëherë.


Ndër të tjera Paloka e cilësoi Kryeprokuroren Marku si zonja PPP që zbaton vetëm urdhrat politikë të kryeministrit.


Seanca e sotme kishte rëndësi të madhe dhe për këtë arsye ne si deputetë të opozitë ishim të pranishëm aty, jo sepse njohim një prokurore që nuk ka asnjë tagër kushtetues, por sepse pikërishrt  shpresonim që të paktën zonja PPP do të jepte përgjigje disa nga skandaleve më të mëdha. Askush prej deputetëve të opozitës nuk mori përgjigje. Asaj nga sot mund t’i themi edhe Zonja nuk e di, pasi ka vajtuar aty dhe zbaton vetëm urdhrat dhe porositë e partisë e asgjë tjetër, deklaroi nënkryetari i PD.


Sipas tij ata që shkelin përditë rregulloren dhe Kushtetutën, duhet të jenë të bindur se një ditë do të japin llogari para drejtësisë së vërtetë.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)