Një krim i zakonshëm ndez sherrin etnik, digjen pronat e banorëve shqiptarë


shkup sherrProtesta të dhunshme me sulme ndaj shqiptarëve shpërthyen natën duke u gdhirë e martë në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, pasi një i ri maqedonas u vra me thikë në çastin kur ai dhe babai i tij po ndiqnin një hajdut, i cili i kishte vjedhur biçikletën. I dyshuari për vrasjen u arrestua nga policia, e cila e identifikoi atë si Naser E. Ai dyshohet se vrau Angel P., i lindur në vitin 1995, pasditen e së hënës.


Pasi u bë publik emri i të dyshuarit që tregon për origjinën e tij shqiptare, shpërthyen demonstratat në lagjen Gjorce Petrov, të cilat më pas u shndërruan në demonstrata të dhunshme.


Protestuesit rrëzuan kazanët e plehrave dhe bllokuan rrugën kryesore rreth 8 kilometra larg qendrës së qytetit.


Forcat speciale policore u zbarkuan dhe raportuan se ia kanë dalë mbanë që të ndalojnë protestuesit e zemëruar që të kalojnë urën dhe të hyjnë në lagjen fqinje Saraj, të banuar kryesisht me shqiptarë.


Pas dezinformatave se edhe dy persona të tjerë ishin implikuar në vrasje dhe po fshiheshin në Saraj, erdhën sulmet kundër disa dyqaneve dhe restoranteve në pronësi të shqiptarëve. Njërit prej dyqaneve iu vu zjarri. Situata u qetësua, pasi zyrtarë të lartë policorë vizituan lagjen, dhe zyrtarët komunalë dhe shtetërorë apeluan për qetësi.


Rruga për në Shkup, që kalon përmes Gjorce Petrov, ishte e mbyllur në mëngjesin e së martës, si dhe rrugët e tjera ku u mbajtën protestat.


Vrasjet dhe protestat kanë shtuar sërish frikën për përtëritjen e dhunës etnike në rrugë. Në vitin 2012 dhe 2014, kishin shpërthyer protesta të ngjashme në Shkup, përfshirë edhe sulme grupore në rrugë dhe autobusë, të cilat u konsideruan si të motivuara etnikisht.


Lajmet u përhapën në Facebook dhe Twitter dhe disa përdorues mediash shprehnin urrejtjen dhe disa të tjerë bënin ftesë për qetësi dhe bashkëjetesë.


Nuk është koha për kritika, por për apele për paqe, sepse e njëjta gjë mund të ndodhë edhe gjatë ditëve të ardhshme, kishte shkruar një maqedonas në Facebook.


Vrasësi është vrasës – përkatësia etnike nuk ka rëndësi, thuhet në Twitter.


Ky shkrim Maqedonasit sulmojnë shqiptarët në Shkup u publikua me pare te Gazeta SHQIP.