Shumica e akademikëve maqedonas kanë deklaruar se nuk do të tërhiqet "Enciklopedia Maqedonase", por do të bëhet korrigjimi në pjesët kontestuese të saj. Ky vendim është bërë i ditur nga Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), ku shumica prej 48 anëtarëve të këtij institucioni kanë anashkaluar vendimin e kryesisë që të tërhiqet "Enciklopedia". "Botimi nuk do të tërhiqet. Ne biseduam për gjithçka, por nuk kemi miratuar asnjë qendrim. Disponimi në këtë moment është që të bëhet gjithçka që të tejkalohen të gjitha paqartësitë të cilat shkaktuan tensione. Kjo mund të ndodh vetëm nëse bëhen ndërhyrje të caktuara që shkaktuan animozitet ndaj Akademisë", ka deklaruar kryetari i ASHAM, Georgi Stardellov. Ndërkohë, dilema dhe shqetësime nga kjo mbledhje ka dhënë akademiku shqiptar, Ali Aliu, i cili ka theksuar se gjatë debatit tre orësh ka pasur diskutime që ishin në drejtim të amnestimit të redaksisë dhe kryeredaktorit të saj, akademikut Bllazhe Ristovski. Ndërkohë, kryeredaktori i redaksisë së enciklopedisë, i pyetur nga agjencia e lajmeve INA ka theksuar se ai është i palënkundër në qëndrimet e tij dhe se sipas tij, nuk duhet asnjëherë të mbisundojë bindja për të tërhequr "Enciklopedinë". Sinjalet e para nga ASHAM kanë shtuar shqetësimet për epilogun e kësaj vepre kontestuese, që nxiti reagime nga shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare për faktet e shpalosura fyese dhe etiketuese.