SHKUP- Kryeministri Nikola Gruevski dhe kryetari i LSDM, Branko Cërvenkovski pritet që nesër të zhvillojnë takimin për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. 
Në këtë takim të iniciuar nga kryeministri Gruevski nuk janë ftuar partitë politike shqiptare për të qenë pjesë e dialogut politik, për shkak se dy partitë opozitare shqiptare PDSH dhe DR po bojkotojnë punimet e parlamentit.

Plotësimi i kushteve për zgjedhje demokratike, zhbllokimi i llogarive bankare të televizionit A1 si dhe ndarja proporcionale e mjeteve qeveritare për reklamim për mediat e vendit janë kërkesat e LSDM-së. Lideri i kësaj force politike Branko Cërvenkovski ka deklaruar për mediat maqedonase se nëse qeveria nuk i plotëson këto kushte opozita do të bojkotojë zgjedhjet.

Kryetari i DR-së, Imer Selmani gjithashtu ka kritikuar takimin midis Gruevskit dhe Cërvenkovskit dhe mungesën e ftesës për partitë shqiptare.

“Derisa pozita dhe opozita maqedonase ranë dakort të nisin bisedimet dhe të bien dakort për procesin zgjedhor dhe zgjedhjet e parakohshme, është e pakuptueshme që partitë politike shqiptare të mos ulen dhe të mos bisedojnë për procesin zgjedhor në një frymë demokratike. I ngelet kryetarit të BDI-së si parti në pushtet të caktojë kohën dhe formën për tu ulur dhe për të bërë një kod zgjedhor të besueshëm para së gjithash për votuesit shqiptar ku ne mbizotërojmë si parti politike shqiptare”:- theksoi kryetari i DR Selmani.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaci deklaroi se fakti që kryeministri Gruevski ka dërguar ftesë vetëm deri te kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, nuk është anashkalim i shqiptarëve, por anashkalim i PDSH-së, për shkak se siç tha ai kryeministri është i vetëdijshëm për kërkesat kombëtare të kësaj partie. 

(e.m/ina/BalkanWeb)