SHKUP- Në Maqedoni sot 1 821 122 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur për të votuar për përbërjen e re parlamentare. Votuesit duhet të zgjedhin 123 deputetët e Kuvendit republikan nga gjithsej 679 kandidatë të 18 subjekteve politike që garojnë në zgjedhje. Kutitë e votimit u hapën në ora 07.00 dhe do të mbyllen në ora 19.00. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se të gjitha vendvotimet në mbarë vendin janë hapur në kohën e duhur dhe votimi ka ecur i qetë. Ndërkohë KSHZ ka njoftuar pjemarrje të madhe në votime edhe ne  diasporë. Në oren 19.00 është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

VMRO-DPMNE dhe BDI në epërsi në 23% e materialit votues
Ora 21:53 Sipas informacioneve të para jozyrtare në zgjedhjet e sotme kanë votuar 64, 63 % e votuesve.
Nga të dhënat e përpunuara nga votimi në 706 qendrat e votimit , përkatësisht 23, 72 për qind të numrit të përgjithshëm të vendeve të votimeve në vend, VMRO-DPMNE kryeson me 52.631 vota, LSDM 42.588, BDI 9782, PDSH 4868 , VMRO-Popullore 3075.

OSBE/ODIHR: PROCESI ZGJEDHOR PA INCIDENTE
Ora 19:10 Drejtori i misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve, Janez Lenarcic ka deklaruar se procesi i votimit në Maqedoni deri tani po rrjedh pa probleme.
“Deri tani votimet po zhvillohen pa probleme, mirëpo duhet të presim fundin”, deklaroi Lenarcic, gjatë vizitës së një qender votimi në shkollën fillore “Koço Racin” në Shkup.
Ai theksoi se vëzhguesit e këtij misioni nëpër tërë vendin po vëzhgojnë votimet dhe do te vezhgojne numërimin e votave.
“Këto janë zgjedhjet e 11-ta që po i vëzhgojmë këtu. Ne kemi mbi 300 vëzhgues afatshkurtër si dhe vëzhgues afatgjatë, që kanë mbërritur këtu para një muaji”, theksoi Lenarcic.
Sipas tij, të dhënat përfundimtare mbi procesin zgjedhor do të dërgohen pranë zyrës në Shkup dhe do të japin në një raport preliminar nesër në një konferencë me mediat.

MAQEDONI, PËRFUNDON PROCESI ZYRTAR I VOTIMIT
Ora 19:00 Në Maqedoni në ora 19.00 është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja e votuesve deri në ora 17.00 ka qenë rreth 54 për qind.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko deklaroi se nuk ka pasur probleme dhe parregullësi serioze gjatë procesit të votimit. Sipas tij, procesi në përgjithësi u zhvillua në mënyrë të qetë, korrekte dhe qytetarët kanë shprehur lirshëm të drejtën e votimit.
Kutitë e votimit u hapën sot në orën 07.00, pa vonesa në 2.976 qendra votimi në mbarë vendin, ku nga 1,8 milion qytetarë me të drejtë vote, mbi 54 për qind prej tyre shprehën të drejtën e tyre të votimit.
Partitë politike pas një ore pritet të kenë rezultatet e para nga qendrat e votimit, për të publikuar më pas edhe shifra paraprake për votat dhe mundësinë e mandateve të fituara të deputetëve në gjashtë njësitë zgjedhore.
KSHZ deri në mesnatë pritet të jap rezultate paraprake për disa zona votimi dhe rezultatet e partive politike për fitoren e mandateve të deputetëve, raporton Ina.

KSHZ: NË DIASPORË TRE MANDATE VMRO-DPMNE
Ora: 18:34  Komisioni Shtetëror Zgjedhor publikoi rezultatet e votimeve deri në orën 17.00, ku kanë votuar 53, 86 për qind.
Sipas të dhënave nëpër njësi ka ndryshime rreth votimeve nëpër njësi deri në orën 17.00.
Në njësinë 1 - 57, 77 për qind
Në njësinë 2 - 49,69 për qind
Në njësinë 3 - 61,23 për qind
Në njësinë 4 - 58,80 për qind
Në njësinë 5 - 53,47 për qind
Në njësinë 6 - 42,28 për qind

KSHZ shpalosi edhe rezultatet nga votimet në diasporë në tre njësitë zgjedhore, mirëpo duke mos konfirmuar fituesit e mandateve të deputetëve. Në njësinë e 7 Evropë kanë votuar 53 për qind, në njësinë e 8 Amerikë-Kanada 68 për qind si dhe Australi-Azi 77 për qind. Në diasporë tre mandatet bëhet e ditur se i ka fituar VMRO-DPMNE dhe se përjashtohet mundësia e fitores së ndonjë kandidati shqiptar.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko deklaroi se nuk ka njoftime serioze për probleme dhe parregullësi gjatë procesit të votimit. Sipas tij, procesi po zhvillohet në mënyrë të qetë, korrekte dhe qytetarët po shprehin në mënyrë të lirshme të drejtën e votimit.
"Shpresojmë se deri në fund të ditës do të kemi një proces të tillë dhe qytetarët do të dalin të shprehin të drejtën e tyre të votës", deklaroi Boris Kondarko. Raportoi Ina.

KK: DERI NË ORA 17.00 PREJ 36-63 PËR QIND KANË VOTUAR
Ora17:00 Sipas rezultateve të Komisioneve Komunale deri në ora 17.00, në zonat shqiptare ka pasur pjesëmarrje të vogël të votuesve nga 30- 40 për qind, ndërsa në zonat e banuara me popullësi maqedonase në votime kanë dalë mbi 60 për qind të votuesve.
Në rajonin e Tetovës është regjistruar shifra e votuesve deri në 40 për qind, në rajonin e Gostivarit mbi 30 për qind, në Dibër 36 për qind, në komunën e Likovës, Haraçinës, Kumanovës 46 për qind, në ]air mbi 35 për qind. Në njësinë e 5 zgjedhore që përfshin Strugën, Dibrën gjithashtu ka një fluks jo të kënaqshëm të votuesve prej rreth 30 për qind.
Ndërkaq, komisionet komunale në zonat 3 dh 4, 5 kryesisht me popullsi maqedonase ka një fluks në rritje të daljes së qytetarëve në votime. Në Strumicë pjesmarrja e votuesve ka arritur 60 për qind, Kavadarc 60 për qind, Prilep mbi 46 për qind,Manastir mbi 50 për qind, Gjevgjeli 63, Shtip 63, Radovish 55, raporton INA.

KSHZ: DERI NË ORA 13.00 MBI 35% PJESMARRJA E VOTUESVE
Ora13:00 Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 13.00 kanë votuar 35,08 % të votuesve. Kryetari i këtij komisioni, Boris Kondarko theksoi se deri tani nuk janë vërejtur incidente të mëdha, përvec disa parregullësive të vogla. Sipas të dhënave të KSHZ-së të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 612.814 votues në gjashtë njësitë zgjedhore. Pjesmarrja e votuesve në njësinë e parë është 39,10 %, në të dytën 31,89 %, në të tretën 40,82 %, në të katërtën 37,20 %, në të pestën 34,93 % si dhe në të gjashtën 27,60 %. Krahasuar me zgjedhjet e fundit, deri në orën 13 pjesmmarrja e votuesve ka qenë rreth 28 %, raporton INA.

NE ZONAT SHQIPTARE VOTIMI I QETE; SHENOHEN PARREGULLSITE E PARA
Ora 12. 02 Në të gjitha zonat shqiptare po vijon procesi i rregullt i votimit, pa ndonjë parregullësi dhe incidente. Janë evidentuar edhe parregullësitë e para, por që nuk kanë penguar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Këto kanë ndodhur në një vendvotim në Kavadarci dhe në një vendvotim tjetër në Shtip, ku janë vërejtur persona që me telefona celular kanë fotografuar fletëvotimet. Dy fletëvotimet e zbuluara janë kapur dhe janë eliminuar të pavlefshme, dhe se më pas ka vijuar procesi i votimit pa ndonjë problem, raporton INA.
DERI NE OREN 10:00 PJESEMARRJA 14. 2 %, PJESEMARRJE E ULET NE QYTETET KU BANOJNE SHQIPTARE
Ora 12:00 Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) bëri të ditur se pjesëmarrja e votuesve deri në orën 10 është 14, 02 %.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko deklaroi se deri në orën 10.00 kanë votuar 224.837 votues, informon nga Shkupi gazetarja Zerijeta Jajaga. Pjesëmarrja e votuesve në njësinë e parë dhe atë të dytë që përfshijnë Shkupin dhe rrethinën është 16,4 % dhe 13,21,% ( te njësia e dytë) në të tretën 18, 61 %, një njësinë e katërt 16,27, në njësinë e pestë 13,81%. Në njësinë numër 6 që përfshin Tetovën Gostivarin dhe Dibrën, pjesën e banuar kryesisht me shqiptarë pjesëmarrja është 7,9 për qind. Kryetari i KSHZ tha se se procesi zgjedhor po ecën pa probleme dhe parregullësi po ca problemeve te vogla teknike të cilat janë shmangur për pak minuta. Ai ka bërë thirrje që qytetarët të dalin dhe lirshëm të shprehin votën e tyre.
"Fakti që në garë janë 7 parti shqiptare për elektoratin shqiptar ekziston rreziku i madh që në parlament të humbasë një ose dy deputetë, nga ana tjetër krijimi i shumë partive të vogla ka futur një risi të re, një shtensionim kundrejt njëra tjetrës ndërkohë që tension është më i madh brenda bllokut politik maqedonas"- raporton gazetarja Jajaga. 

VOTIMI VAZHDON NORMALISHT
Ora 11.20 Në të gjitha komunat dhe zonat e tjera të vendit procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme dhe pa ndonjë parregullësi, njoftojnë nga komisionet komunale. Vëzhguesit vendor dhe të huaj janë të pranishëm në vendet e votimeve për të ndjekur procesin e votimit, ndërsa pranë qendrave të votimit në një distancë të përcaktuar ligjore janë të pranishme edhe forcat e rendit për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.


PERBERJA E RE PARLAMENTARE
Qytetarët do të deklarohen për 21 lista të partive, koalicioneve dhe lista qytetare që garojnë në këto zgjedhje. Në garën zgjedhore konkurrojnë 7 parti shqiptare: BDI, PDSH, RDK, DR, BDSH, PPD dhe BDK. Ndërsa, në kampin politik maqedonas janë dy koalicionet e mëdha: ai i udhëhequr nga VMRO-DPMNE e kryeministrit të deritanishëm Nikolla Gruevski dhe koalicioni i partive opozitare me Lidhjen Socialdemokrate (LSDM), të cilat përfshijnë të gjitha partitë e tjera të pakicave.

Dje kanë votuar diaspora, të sëmurët dhe invalidët, të burgosurit si dhe personat e shpërngulur brenda vendit.

Diaspora për herë të parë ka shfrytëzuar të drejtën për të zgjedhur tre deputetët e saj në tre njësi të reja zgjedhore. Votim dje është zhvilluar në 36 përfaqësi diplomatike të Maqedonisë jashtë vendit, ndërsa të drejtë vote kanë pasur vetëm 7258 votues.

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Çikago bojkotoi zgjedhjet dhe ka tërhequr kandidatin e saj me akuzat për manipulime dhe eliminimin të trupit të tyre votues të regjistruar. Të drejtën e votës dje e shfrytëzuan 2222 të burgosur si dhe 407 persona të shpërngulur brenda vendit. Procesi zgjedhor vëzhgohet nga 3700 vëzhgues vendor dhe 489 vëzhgues të huaj, kryesisht nga misioni OSBE/ODIHR.

Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë të gjitha masat për sigurimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Mbi 7 mijë policë janë trajnuar për të zbatuar detyrat për të ndjekur dhe siguruar në një distancë prej 100 metrave procesin zgjedhor dhe evitimin e parregullsive të mundshme. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se janë kryer të gjitha përgatitjet për zgjedhjet dhe se materiali zgjedhor është dorëzuar tek organet përgjegjëse për zbatimin e procesit të votimit.
(s.g/e.m/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Maqedonia si shkoi në zgjedhje dhe çfarë pret pas ditës së sotme