Takimi dje midis ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço dhe homologu maqedonas, Valon Saraçini


Maqedonia kërkoi dje nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shqiptare lejimin e daljes së mallrave maqedonase në Portin e Durrësit. Deklarata erdhi nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraçini, gjatë një takimi me homologun shqiptar Nasip Naço. Pala maqedonase ka pohuar se po has probleme serioze në pikat doganore të Selanikut dhe, për këtë arsye lejimi i kompanive maqedonase në Portin e Durrësit do të ishte një zgjidhje që do të ndihmonte dy vendet në shkëmbimet tregtare dhe rritjen ekonomike. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet të jetë e ardhmja e rajonit. Bashkëpunimi i madh ekonomik që duhet të bëhet mes dy vendeve tona mike, do të zvogëlojë dhe importin që dy vendet kanë nga shtete të tjera. Dua të theksoj faktin se, po qe se zhvillimi ekonomik mes dy vendeve zhvillohet në drejtimin e duhur, atëherë kompanitë e Republikës së Maqedonisë duhet më në fund edhe të shohin Portin e Durrësit si një alternativë tjetër, për të anashkaluar Portin e Selanikut, ku kemi pasur probleme me bllokadën e doganave, u shpreh Saraçini. Gjatë takimit, ministri Naço tha se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë kanë qenë shumë të mira dhe shprehu bindjen e thellë se ato mund të jenë edhe më të mira në të ardhmen. Për tremujorin e parë të vitit 2011, marrëdhëniet tona tregtare janë rritur me 30 për qind, pra ne kemi eksportuar rreth 22 milionë euro, por edhe importet e Maqedonisë në drejtim të Shqipërisë janë rreth 46 milionë euro, gjë që tregon se ndryshe nga një vit më parë, për shkak edhe të krizës globale, ekonomitë e dy vendeve tona kanë filluar të kenë më shumë zhvillime tregtare, më shumë eksport dhe import mallrash, u shpreh Naço.

Procesi i privatizimit të aseteve shtetërore ka qenë pjesë e diskutimeve të tryezës midis ministrave të ekonomisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ministri Nasip Naço ka ftuar biznesin maqedonas që të konkurrojë në garën që do të behet për 1200 objekte shtetërore që do të privatizohen. Në këtë kuadër, ministri Naço përmendi ligjin Për mbrojtjen e investimeve të huaja, sidomos ato mbi 10 milionë euro, ku shteti shqiptar merr detyrimeve ndaj të tretëve për këto investime që bëhen në Shqipëri.


FATION BINJAKU