SHKRUAN: Jeton Selimi 11-07-2011 11:42

Mos e prekni Leo Mesin se “edhe unë përpara botërorit të vitit ’86 nuk shihesha me sy”. Është mesazhi i fortë dhe i qartë i Diego Armando Maradonës që ka vendosur t’u përgjitet tifozëve të shumtë argjentinas që në Copa America kanë fërshëllyer dhe kritikuar si rendimentin e “Seleçion” ashtu edhe “Pleshtin”. “Ju kërkova që të më kontaktoni sepse në këtë moment, më i trishti në jetën time, dua të mbroj Leon”, ka thënë Maradona për të përditshmen “Ole”, duke kujtuar dhimbjen për shtrimin e nënës së tij “Donja Tota” në një klinikë të Buenos Airesit, arsye për të cilën ka shtyrë nisjen për në Dubai. Pyetjes në lidhje me gjendjen e saj shëndetësore Maradona përgjigjet: “Mjekët thonë se është në “manos del Dios”. E putha shumë, i fola te veshi për të parë nëse do të mund të më dëgjonte. Sa herë që zbrisja në fushë, mamaja ime ndizte qirinjtë për të gjitha Virgjëreshat, lutej për fanellën, për mua, për të gjithë. Kërkoj vetëm që Zoti t’i japë një mundësi më shumë. Kur shkova në klinikë për ta parë, dëgjova këta ‘bulodos’ (budallenj) në radio që flisnin për MEsin dhe nuk arrij ta besoj këtë. Në çdo moment Leo do të japë gjithçka pa asnjë problem. E them – saktëson ish-trajneri i kombëtares – sepse e njoh mirë. Kam folur me të gjatë kësaj jave dhe i kërkova që të qëndrojë i qetë. Është lojtari më i mirë në botë, një djalë i jashtëzakonshëm dhe ne argjentinasit nuk mund të sillemi kështi. Nëse fiton Champions e bëjmë më të mirin e të gjitha kohërave, por nëse Seleçion nuk arrin të fitojë dy ndeshje është faji i tij,” nënvizon Maradona në mbrojtjen plot pasion që i bën sulmuesit të Barcelonës.


Mbrojtje që shndërrohet në një kritikë të rëndë për skuadrën dhe “trashëgimtarin: e tij, trajnerin Serxho Batista. “Në të vërtetë kombëtarja nuk ka sulmuar kurrë seriozisht”, shton duke iu referuar edhe temës që ka shpërthyer se cili duhet të jetë lojtari që mund të luajë krah Mesit. “Nuk do të jem unë ai që do ta ndërtoj skuadrën e Batistës… Mund të nënvizoj se e ka kapur në mënyrë idiote me Havier Pastoren, që për mua është një partner ideal për Mesin”. Maradona saktëson më pas sesi mund të funksionojë më mirë Mesi në “Seleçion”. “Nuk është e vërtetë se skuadra e bën të luajë keq, por nuk i jep shumë opsione… duhet bërë një skemë e tillë që kombëtarja të ketë një lëvizshmëri të tillë që kur Leo të ketë topin, të ndeshet vetëm me dy lojtarë kundërshtare, jo me tre apo me katër. E vërteta është se numri 5 real në skuadër është Maskerano sepse Kambiaso dhe Banega nuk rekuperojnë”, përfundon Maradona, që prononcohet edhe në lidhje me polemikën që ka shpërthyer së fundmi nëse duhet të luajë ose ju Argjentina si Barcelona. “Është e pamundur. Barcelona ka pasur fatin që ta bëjë një skuadër në një moment të shkëlqyer për të gjithë lojtarët. Ne duhet të luajmë si Argjentina, le t’ia lëmë Barcelonën Pep Guardiolas.”