Të tjera rreth shkrimit Letra e Dritëro Agollit për Margarita Xhepën

Sytë e kaltër të Margarita Xhepës janë bërë edhe më të bukur dje në ditëlindjen e saj. E qetë, buzagaz dhe gjithë vëmendje e dashuri ishte e ulur me mesin e grave të fondacionit “Nermim Vlora Falaski” që i festuan 80-vjetorin e lindjes. Kjo ditëlindje qëlloi të ishte edhe një rilindje e shëndetit të aktores. Më 8 mars, Margarita Xhepa kreu një operacion të vështirë, të cilin e përballoi me sukses. Tani shëndeti i saj është duke u rehabilituar. Margaritës iu dha dje edhe titulli “Nderi i fondacionit Nermin Vlora Falaski”, në të cilin ajo jep kontribut për aktivitete shoqërore e kulturore. “Nuk më lejon mjeku, por unë do të kisha ecur deri këtu. Më rri mbi kokë edhe im bir, Sokoli, që është kirurg. Duhet të kesh kujdes, të ruhesh, deri sa të mbushësh 6 javë nga dita që bëre operacionin dhe më pas do të ecësh vetë, jo si më parë, por si vajzë e re”,  më tha ai.  Po si ndjehet Margarita brenda vetes, në prag të ditëlindjes së 80-të. “Si nënë jam e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim, për shkak të profesionit im. Gjithsesi, si çdo nënë ndjehem e lumtur sepse mundimi nuk më shkoi dëm, pasi fëmijët e mi janë bërë të zotë për veten dhe shoqërinë”, thotë ajo. Pati shumë surpriza, dhë ndër to u lexua edhe letra e Dritëro Agollit, e cila ishte shumë emocionuese për aktoren dhe të pranishmit.
 
Festa dhe dhuratat
 
Ndër surprizat e shumta në këtë ditë të veçantë, është edhe torta gjigante dërguar nga komuniteti i shqiptarëve në Australinë e largët, shoqëruar me një letër të firmosur nga Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Australi, prof. Dr.Resmi Kamberaj. Pastaj vjen një telefonatë që i bëhet kryetares së fondacionit Zenepe Luka nga kryetari i KSH-së, Bujar Leskaj... Dreka e ditëlindjes do të sponsorizohet nga ai. Në këtë ditëlindje vjen edhe një dhuratë tjetër. Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër të shlyejë në “Spitalin Amerikan” faturën financiare, që arrin në rreth 10 milionë lekë të vjetra. Dje ia kaluan në bankë aktores. Një buqetë e madhe me lule ndër të tjera erdhi nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja. Pasdite ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i dërgoi një buqetë me lule në shtëpinë e saj, me një dedikim special.
 
Ja si shprehen artistët për Margaritën:

Reshat Arbana
 
Aktorë si Margarita mbeten pasuri e popullit, jo e politikë

 
Aktori i njohur Reshat Arbana rrëfen për “Shqiptarja.com”, kujtimet me aktoren. Ai prej vitesh ka krijuar për të imazhin e një gruaje të rrallë, të përkushtuar ndaj artit dhe familjes.
 
Zoti Arbana si dhe kur e keni njohur Margaritën për herë të parë si kolege?

-Unë Margaritën e njoha që nga vitet ’54-’55, kur ajo ishte bërë pjesë e Estradës së Tiranës dhe e kam ndjekur që në fillim kur isha i ri fare, në të gjitha premierat e Estradës nr 1 dhe numër 2 dhe më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Që atëherë ajo kaloi në kolektivin e Teatrit Kombëtar dhe që atëherë në kohë ka bërë emër në teatër. Ka lënë figura të shkëlqyera. Është një grua-divë për t’u admiruar  për t’u respektuar
 
Keni pasur role me Margarita Xhepën?

-Kemi realizuar me të disa role në filma dhe teatër dhe jam i lumtur. Janë shumë, por sot në këtë 80-vjetor, rëndësi ka që ndodhi dhe shërimi i saj. Kjo është një mrekulli dhe unë i uroj ta shohim sa më shpejt në skenë sepse populli e do, e admiron në çdo dalje të saj me role ne skenë dhe unë uroj që teatri shqiptar të mund te ketë edhe kohë më vonë aktore si Margarita.
 
Rolet më të bukura me të mund të na i kujtoni sot?

-I thonë 25 vjet që kur e kam pasur partnere në dramën “Vdekja e komisionarit”. E kisha gruan time në atë rol të rëndësishëm shumë. Nuk e  harroj përkushtimin e saj. E kam pasur partnere në disa filma, “Pylli i lirisë”, “Dora e ngrohtë”. Kujtoj sesi ajo përpiqej ta bënte të vërtetë rolin dhe në marrëdhëniet mes nesh vuante sinqerisht faktin që kishte djalin, që e kishte sjellë me vete e shkreta dhe që nuk donte që ai ta merrte atë rrugë. Pra kështu i luante ajo rolet, sikur të përjetonte një dramë reale, sikur të ishte drama e saj.
 
Po në jetë si e kujtoni?
 
-E kujtoj sesi i  përkushtohej familjes, në familje dhe në në teatër ajo kishte një dëshirë të patreguar për punën. Ai brezi i Margaritës, ka punuar shumë duke mos fituar asgjë, por vetëm emrin. Emrin Margarita, me shoqet e saj e ka fituar dhe nëse nuk do t’i njohin politikanët këta artistë, populli i ka jetuar thellë në ndërgjegjen e vet shoqërore dhe aktorë si Margarita mbeten artistë të popullit dhe pasuri e popullit.
 
 
Ajtene Krasniqi
 
Si e shikonin Margaritën me antena ilegale në Kosovë
 
Shkencëtarja e njohur kosovare, Ajtene Krasniqi, thotë se për Diasporën Margarita Xhepa ishte një simbol i gruas shqiptare intelektuale. Ajo thotë se: “Me fjalë të tjera kam dëshirë ta shoh në pullat postare, ta trashëgojnë gjeneratat e reja, Margarita Xhepën me portretin e saj. E shikonin Margaritën me antena të fshehura në kulm se e kishin të ndaluar ta shikonin televizionin shqiptar. Kur ishte filmi i Margaritës ata që e shihnin fshehur lajmëronin “Sot është Margarita, Margarita”. Atë  natë ne nuk hanin darkë, sepse nënat tona rrinin me ne të shikonim Margaritën. E shikonin dhe ne u rritëm me imazhin e saj. Sot jemi këtu për ta nderuar në 80-vjetorin e saj. E quanin veten me fat nëse jetonin në pallatin që kishte kulm, sepse në pallatet me çati të rrafshëta po t’i ktheje antenat nga Shqipëria ato do t’i dallonin të sigurimit, ndaj në shtëpitë me kulme ishte mrekulli. Tërë komshinjtë mblidheshin për të parë filmat shqiptarë”. 
 
 Teatri Kombëtar i uron 80-vjetorin Margarita Xhepës. Fotot e rralla te roleve
 
 
Teatri Kombëtar i uron sot me rastin e 80-vjetorit të lindjes së saj aktores së madhe të skenës dhe filmit Shqiptar, Nderit te Kombit, Margarita Xhepës. Në urimin e dërguar për mediat shkruhet: “Jetë të gjatë dhe të lumtur të mbushur plot me dashuri dhe suksese! Faleminderit për të gjitha kujtimet e pazëvendësueshme!” 

Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934 në Lushnjë, Shqipëri. Një nga Zonjat e Mëdha të teatrit shqiptar. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës. Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek "Majlinda" (Xh. Broja), Dafina tek "Lumi i vdekur" (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek "Cuca e maleve" (Loni Papa), Zonja Mëmë tek "Kush e solli Doruntinën" (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë), Nëna "Përballë vetes" (Ruzhdi Pulaha) etj.
Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek "Hamleti", Vajza e dytë tek "Mbreti Lir", Dado tek "Romeo e Xhulieta", Mbretëresha Margaret tek "Rikardi i III", të Shekspirit.
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek "Dhelpra dhe rrushtë" (Figereido), Lena tek "Xhaxha Vanja" (Çehov), Ledi Milford tek "Luiza Miler" (Shiler), Zonja Berling tek "Vizita e inspektorit" (Pristli), Zonja Lomen tek "Vdekja e një komisioneri" (A. Miller), Ana Andrejevna tek "Revizori" (Gogol), Marsela tek "Qeni i kopshtarit" (De Vega), Mashenka tek "Mashenka" (Afigenov), Shejla tek "Morali i zonjes Dulska" (Zapolska), apo Dado tek "Elektra" e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.


Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role të paharrueshme në kinematografi. së fundi ajo interpretoi gjithashtu ne filmin grek "Mirupafshim" (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit. Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën "Streha e të harruarve", një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjeçare.
 
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)