Pas një gare të fortë e spektakli të jashtëzakonshëm, shpallen fituesit e rinj




E ka rrëmbyer Amerika këtë herë “Marie Krajën”, për ta shpënë përtej oqeanit jehonën e edicionit të 12-të të festivalit ndërkombëtar operistik që zhvillohet në metropolin shqiptar. Sara Heaton, sopranoja amerikanë është shpallur mbrëmë në darkë fituesja e çmimit të parë “Marie Kraja”. Ka qenë presidenti i këtij edicioni, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ai, që pasi ka ftuar krah tij në skenë dhe artisten e madhe, Nina Mula, ka dorëzuar këtë çmim, ndërsa të gjithë artistët dhe të pranishmit në sallë ishin ende nën efektin e atmosferës dhe emocioneve që shkaktoi jo vetëm gara, por edhe elementet e spektaklit që finalizuan këtë natë, ku u shpallën dhe disa fitues të tjerë. Juria ka vlerësuar si më të denjën për çmimin e dytë, soprano braziliane, Luçiana Distante, ndërsa për çmimin e tretë, Arjol Xhaferrin, (bass nga Shqipëria) dhe Lada Kysykovan (soprano nga Kazakistani). Ashtu siç ishte bërë e ditur edhe më parë, e pranishme në këtë edicion si presidente nderi e jurisë, Inva Mula, ka dhënë dy çmime në emër të fondacionit që drejton “Hi Classic”.


Në nder të 80-vjetorit të nënës së saj, artistes së madhe, Nina Mula, së cilës producentja Zana Çela i kishte kushtuar dhe një dokumentar në këtë finale, që risolli edhe një herë në vëmendje vlerat dhe kontributin që kjo këngëtare ka dhënë në skenën shqiptare, e bija e saj vlerësoi me çmimin “Nina Mula, shpresë për të ardhmen” dy këngëtarët e rinj shqiptarë, tenorin Klodian Kaçani dhe bassin Arjol Xhaferri, i cili (siç e konfirmon drejtori i Akademisë “La Scala”) ka fituar të drejtën edhe për të konkurruar në këtë akademi).


“Fondacioni “Hi Classic” ka si synim vlerësimin e traditës, por edhe inkurajimin e të rinjve. Kështu që pas çmimeve të nderit që u kemi dhënë artistëve të mëdhenj, Rifat Teqja e Drita Pelingu, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj këtij festivali, që është kthyer në një traditë tashmë për të nxjerrë çdo vit talente të mrekullueshme në muzikën lirike. Insistimi dhe pasioni që Zana Çela ka për këtë zhanër do të bëjë që ky festival të ketë jetëgjatësi”, - është shprehur Inva Mula.



Finalja, një sfidë e fortë mes 10 këngëtarëve


Ndarja e çmimeve ishte finalja e një nate të ndërtuar mbi një sfidë të fortë mes 10 këngëtarëve të kualifikuar nga juria, mes 17 konkurrentëve që morën pjesë në këtë festival. Çmimet ishin finalja e një nate, që krahas garës kishte në minutazhin e vet dhe një sërë numrash spektakolarë që ngjizën të shkuarën me të tashmen.


Pas një uverture pikante të luajtur nga orkestra e Radio-Televizionit Shqiptar, e cila nën drejtimin e dirigjentit italian Leonardo Quattrini, ka shoqëruar live të 17 konkurrentët pjesëmarrës, gara ka filluar me mezosopranon italiane, Romina Boscolo, për të vijuar më tej me sopranon nga Afrika e Jugut, Tsakane Masëangi, baritonin amerikan Ricardo Riviera, sopranon shqiptare, Blerta Zhegu, tenorin shqiptar Klodian Kaçani, sopranon nga Kazakistani, Lada Kysykova, tenorin nga Ukraina Igor Stroin, bassin nga Shqipëria, Arjol Xhaferri, sopranon braziliane, Lucioana Distante, për t’u mbyllur me sopranon amerikane, Rara Heaton.


Vlerësimi i jurisë ka qenë tejet pozitiv për secilin prej tyre dhe për edicionin të tërësinë e tij. Kryetar i jurisë, që edhe këtë vit ishte sërish Luca Targeti, drejtori i Akademisë së “La Scala”-s, ka gjykuar se ky festival ndërkombëtar që zhvillohet në Shqipëri është një mundësi shumë e mirë për të zbuluar e njohur zëra të rinj nga e gjithë bota. Ndërsa Cecilia Gasdia, një tjetër anëtare e kësaj jurie, me një famë mbarëkombëtare, e cilësoi në një nivel shumë të mirë pjesëmarrjen e këtij viti, duke mos nguruar të veçojë këngëtarët shqiptarë, të cilët duket se i kanë lënë përshtypje shumë të mirë.



Marie Kraja, rekuiem me rastin e 100-vjetorit


E ndërsa juria e përbërë nga emra të njohur ndërkombëtarë (kryetar i jurisë, Luca Targeti, drejtori i Akademisë së |La Scala”-s; presidente e jurisë, Inva Mula; anëtarë Cecilia Gasdia, Nancy Rhodes, drejtuese e Teatrit të ri të Operas së Nju Jorkut; Giovana Lomazi, zëvendëspresidente e Shoqatës Lirike dhe Koncertore Italiane ASLICO me qendër në Milano;


Curro Carreres, drejtor Artistik i Festivalit të Murcias; Danuza Luknisova, soliste e Teatrit të Operas së Sllovakisë, dhe Burhan Spahiu, një nga pedagogët më të suksesshëm të shkollës sonë të kantos) është tërhequr për të vendosur mbi çmimet “Marie Kraja”, mbrëmja ka vazhduar me spektaklin e saj. Një moment i veçantë i është kushtuar Inva Mulës dhe suksesit të saj të fundit me shfaqjen “Fausti” në Operan Nacionale të Parisit. Më pas, në ekranin e madh është shfaqur një dokumentar mbi jetën dhe vlerat e së madhes Marie Kraja. Ky rekuiem me rastin e 100- vjetorit të lindjes së saj është finalizuar me një performancë interesante të këngës “Who wants to live forever”, kënduar nga Frederik Ndoci e Semi Jaupaj. Etleva Golemi dhe Kastriot Tusha kanë qenë gjithashtu të ftuar për të sjellë të tjera performanca që kanë përfunduar në momentin kur të gjithë këngëtarët pjesëmarrës në festival kanë kënduar nga një këngë tradicionale të vendeve që përfaqësonin në konkurrim. Siç është bërë zakon, kënga e fundit është ajo e vendit ku zhvillohet ky festival ndërkombëtar. “Ta dish”, ishte melodia alla shqiptare që mbylli hareshëm, e siç e do zakoni këtë festival, që tashmë ka fituesit e saj të rinj, të cilët do ta përcjellin edhe këtë vit anembanë botës jehonën e “Marie Krajës”.