Qeveria ka ndërmarrë për këtë vit zbatimin e procedurave të reja tatimore. Përmes një ligji të ri, i cili pritet të hyjë në fuqi brenda 2008-s, pritet një përmirësim cilësor në kuadrin ligjor tatimor si në mirëfunksionimin e administratës tatimore, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve publike ndaj tatimpaguesve. Ky ligj pritet t’i japë fund çdo informaliteti në administratën e Tatimeve, nga ku pritet që edhe vetë biznesi të hyjë në një dimension më të plotë formalizimi të veprimtarisë së tij. Nga ana e biznesit këto procedura janë mirëpritur, duke vënë theksin në rëndësinë në një sërë avantazhesh që vijnë me këtë ligj të ri. Kështu, përfaqësues të biznesit vendas janë shprehur në lidhje me procedurat e reja tatimore se ai përcakton metoda të reja vlerësimi, afate më fleksibël për ankimet që mund të bëjë biznesi, si dhe më tepër hapësirë për gjykimin e njoftimeve të nëpunësit tatimor. Biznesi cilëson si avantazh dhe përcaktim pozitiv edhe uljen në vlerë të gjobave të detyrueshme të biznesit ndaj tatimorëve, duke e konsideruar këtë ulje deri në 50 për qind. Megjithatë, ky ligj ka lënë hapësirë për rezerva nga ana e komunitetit të biznesit në lidhje me nevojën që ata kanë për ngritjen dhe krijimin e institucioneve të posaçme për apelimin e ankesave të bëra nga biznesi për tatimorët. Kështu, në mënyrë permanente biznesi vijon të kërkojë ngritjen e gjykatave administrative, të cilat do të mund të bënim gjykimin luajal të ankesave që vijnë nga ana e bizneset për zbatimin e gjobave të padrejta nga ana e tatimorëve. Procedurat e reja tatimore do të përfshijnë në skemën e ndryshimeve biznesin e madh dhe atë të vogël, duke e vënë theksin në mbajtjen e bilanceve dhe futjen e kuponit tatimor për regjistrimin e çdo blerjeje që do të kryhet.





Bode çon për përmirësim në Kuvend “Procedurat tatimore”



Ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti dje para dy komisioneve në Kuvend, të Ekonomisë dhe të Ligjeve, projektligjin "Për Procedurat tatimore". Ministri Bode u shpreh se "projektligji synon përmirësime në administrimin e detyrimeve tatimore, si dhe rregullon parimet e organizimit dhe të funksionimit të administratës tatimore". Sipas ministrit Bode, nevoja e një ligji të ri për procedurat tatimore erdhi pasi të metat dhe mangësitë e ligjit aktual për procedurat tatimore inkurajojnë lulëzimin e ekonomisë informale, e cila bazohet te transaksioni i parasë "cash". Bode ka shtuar se, "ky projektligj është produkt i një bashkëpunimi të gjatë mes Ministrisë së Financave dhe USAID-it, në kuadrin e programit të Sfidës së Mijëvjeçarit". Sipas tij, projektligji u iniciua, nisur nga nevoja e madhe për të ndryshuar Ligjin "Për procedurat tatimore", i bërë rreth 10 vite më parë dhe që nuk reflekton ndryshimet e pësuara gjatë kësaj periudhe, si në mjedisin ekonomik, ligjor në Shqipëri, ashtu edhe në standardet e miratuara nga një sërë institucionesh ndërkombëtare, me të cilët Shqipëria ka marrëveshje. Kreu i Financave, Bode, u shpreh se "reformat e fundit për normat dhe strukturën e tatimeve nuk do të mundin të realizojnë objektivat për investime dhe të ardhura tatimore më të larta, pa ndërhyrjen e disa reformave administrative, që mund të rrisin nivelin e transparencës, drejtësisë dhe eficencës në procesin e mbledhjes së tatimeve". Bode tha se në hartimin e projektligjit është përfshirë në një proces të gjerë konsultimi publik, ku janë marrë edhe opinionet e përfaqësuesve të biznesit dhe organizmave ndërkombëtarë. Projektligji përmban katër parime, adoptimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe të BE-së, mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve, përdorimin e metodave moderne të administratës tatimore dhe minimizimin e konflikteve tatimore dhe harmonizimin e sanksioneve tatimore. Projektligji "Për procedurat tatimore" për nxitjen e zbatimin e ligjit në pajtim edhe me praktikat më të mira të shteteve të BE-së, bën konsolidimin e të gjitha gjobave tatimore, si dhe vendos gjobat më të larta për shkeljet më të rënda të evazionit fiskal.



Licencimi i bizneseve, në 2007-n u arkëtuan 40 milionë lekë



Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë vitit 2007 rriti dukshëm numrin e licencimit të subjekteve private, krahasuar me vitin 2006. Si pasojë, vetëm nga aktiviteti i licencimit, METE derdhi në buxhetin e shtetit, në 11 muajt e parë të 2007-s, rreth 40 milionë lekë, si efekt i pagesës për marrjen e licencës. Burime zyrtare të METE-s bënë të ditur se në 2007-n u licencuan 162 subjekte në sektorin minerar, me 100 licenca me shumë se në vitin 2006, u trajtuan 450 kërkesa në sektorin minerar (ose 200 kërkesa më shumë se vitin e kaluar). Gjithashtu, METE rishikoi gjatë vitit që shkoi programet vjetore për më shumë se 282 subjekte minerare, ndërsa u licencuan edhe 7 subjekte të tjera në sektorin hidrokarbur, si dhe 9 subjekte në sektorin e lojërave të fatit.





27 Mars 2008