Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, përmes një deklarate për shtyp kanë përgëzuar partitë politike shqiptare për marrëveshjen e arritur, që do të bëjë të mundur mbajtjen e zgjedhjeve në datën 25 qershor.


Përgëzojmë partitë politike në Shqipëri për marrëveshjen e arritur, që do të çojë në mbajtjen e zgjedhjeve në 25 qershor 2017 me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Udhëheqësit politikë u janë përgjigjur pritshmërive të qytetarëve të tyre dhe treguan pjekuri demokratike, thuhet në deklaratë.


Zyrtarët e lartë të BE e cilësojnë marrëveshjen një hap të parë thelbësor që sipas tyre duhet pasua tashme me zbatimin në mënyrë që të përgatiten zgjedhjet me standarde ndërkombëtare.


Ky ishte një hap i parë thelbësor. Tani, kjo marrëveshje duhet të implementohet për të përgatitur zgjedhje me standarde ndërkombëtare. Duke qenë se vota në Parlament për ngritjen e organeve të vetting-ut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të vetting-ut, që është kyç për progresin drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të popullit të saj për një të ardhme më të mirë, thuhet në deklaratën e përbashkët të Mogherini dhe Hahn.


19 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)