Dje gazeta “Dita” botoi pjesën e parë të kujtimeve të ish-ministrit të Mbrojtjes në vitin 1997, Shaqir Vukaj.


Ishte dita e parë e tij si ministër dhe në vazhdim ai tregton tmerret që ka parë se kishin bërë paraardhësit e tij demokratë në ato zyra. Urdhrat e Bashkim Gazidedes e të tjera. Këto janë pjesë nga libri Nga përgjakja e Shkodrës (prill 1991) tek gjakosja e Shqipërisë (pranverë 1997)


Shumë herë e kam menduar, përse ai presion ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, madje dhe tentativa për të hyrë brenda Gjithmonë kam dyshuar dhe vazhdoj të dyshoj se të dyja kanë pasur një qellim: të merrnin ose të zhduknin dokumentacionin që gjendej në ministri, ose që mund të kishte Zhulali në shtëpi. Dhe këto me të vetmin qëllim, për të zhdukur gjurmët e planeve, urdhrave që ishin përgatitur ato ditë në kuadrin e Operacionit Ushtarak kundër Jugut


(Vijon nga numri i kaluar)


Njoftimet që vazhdojnë të vinë janë nga më të pabesueshmet. Vazhdojnë në të katër anët e Shqipërisë sulmet mbi depot, repartet ushtarake sidomos në rrethet e Veriut. Telefonat nuk pushojnë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Njoftime pa fund për shkatërrime, grabitje deposh, repartesh. Njoftohemi se në Shkodër ka ushtarakë të vrarë e të plagosur, por të pakonfirmuara. Shqipëria është në kaos të plotë. Nga të gjitha anët vetëm lajme tronditëse.


Thuhej se banda të armatosura i janë afruar Tiranës, madje disa shëtisin të armatosur lirisht nëpër qytet. Ishte grabitur krejtësisht Akademia Ushtarake që kishte shërbyer si qendër grumbullimi e përgatitje e rezervistëve që vinin nga rrethet e Veriut. Aty ku kishte qenë dhe Shtabi i Operacionit me në krye gjeneral Bashkim Gazideden.


Më vinin lajme e njoftime se edhe Ministria e Mbrojtjes mund të sulmohej, por pritej të errësohet. Nga dreka ikën dhe një pjesë e mirë e punonjësve të ministrisë. Pyeta në se ministria është e siguruar me roje dhe çfarë armatimi ka për mbrojtje në rast sulmi. E kisha shumë të vështirë, sepse nuk dija kujt ti besoja. Nuk dija as organizimin për mbrojtjen e Ministrisë.


Duke parë situatën, kërkova që të bëhej thirrje nëpërmjet RTV ushtarakëve të liruar apo pensionistë që të paraqiteshin në repartet ku kishin shërbyer, thirrje që pati efektin e vet.


Me që në takimin e parë kishte diskutuar dhe kishte thënë se do ta mbrojmë me jetën tonë, bisedova me Drejtorin e Policisë Ushtarake, Bajram Malaj. Më tha se ushtarët e Batalionit të Sigurimit kanë ikur, por kemi marrë masat e duhura


Më thanë se në krye të rojeve të ministrisë është një njeri shumë besnik, Aqif Muça, tek i cili mund të kisha besim të plotë, dhe ashtu më doli gjatë gjithë atyre muajve që punova aty. Mbaj mend se një herë, kur po kërcënohej ministria, përveç efektivit që kishte aty, ai mori dhe familjarët për ta mbrojtur


Duke qenë se në ministri shërbimi i gatishmërisë kryhej nga një grup oficerësh që emërtohej Grupi i Drejtimit, shkova aty. Sipas rregullave ushtarake u paraqit N/kolonel Izmir Toska. Mu fiksua emri i tij, dhe sot i kam të ngulura në kujtesë fjalët e tij se, po të jetë nevoja, do ta mbrojmë ministrinë me jetën tonë


Me të gjithë flisja thjeshtë dhe vija re se u bënte përshtypje kjo mënyrë të foluri, që i bënte oficerët të çliroheshin nga tensioni që po flisnin me ministrin. Izmiri më informoi për detyrat që kryente Grupi i Drejtimit dhe më tregoi se çdo gjë që ndodhte, çdo urdhër që jepej etj. të gjitha mbaheshin në një libër ditar të cilin ma tregoi. U befasova kur pashë se çfarë ishte shkruar në të, për lëvizje trupash e teknike luftarake, për sulme, bombardime etj. etj. Mbasi shfletova disa faqe dhe lexova gjëra të tilla, për mua të pabesueshme deri në atë moment, aq sa nuk po i besoja syve. Në moment e vlerësova si një dokument me rendësi historike dhe i thashë se duhej ruajtur me çdo kusht. Megjithëse më vonë pashë edhe shumë dokumente të tjerë edhe më të rëndësishëm, që flisnin shumë për çka kishte projektuar e planifikuar gjenerali i ShIK-ut me shokët ë tij kundër popullit të vet


***


Megjithëse gjatë gjithë ditës dëgjoheshin krisma automatikësh që vinin nga rruga (Zyra ime ndodhej mbi rrugë. Dritaret binin nga njëra anë direkt mbi rrugë, ndërsa dritaret tjera, nga ana tjetër, mbi oborrin e ministrisë). Mbasi u errësua, u shtuan në mënyrë të dukshme krismat e automatikëve, nuk vonoi dhe dikush duket solli edhe një mitraloz, siç më thanë të rëndë, sepse unë nuk i dalloja, nga ku filluan të qëllojnë në ajër. Qitjet bëheshin direkt nën zyrën time dhe zhurma ishte e tillë, sa filluan të dridheshin edhe mobiliet e zyrës. Kuptohej se e gjitha kjo ishte për presion, sepse realisht nuk u ndërmor asnjë sulm ndaj ministrisë. Ndoshta edhe u frikësuan, sepse panë gatishmërinë e rojeve të cilët qëndronin në pozicione, të gatshëm për të hapur zjarr në çdo moment.


Atë natë, si dhe shumë net të tjera, gjatë atyre muajve fjeta në zyrë. Dua të vë në dukje një moment të rëndësishëm. Pothuajse i gjithë personeli i ministrisë kishte ikur në shtëpi, atë natë, ka qëndruar me mua zv/ministri Alfred Moisiu deri në orët vona të natës. Nuk donte të më linte vetëm për asnjë moment. Nga mesi i natës, kur ishin ralluar krismat e kam urdhëruar që të shkonte në shtëpi, sigurisht i shoqëruar nga ushtarakë të armatosur.


Shumë herë e kam menduar, përse ai presion ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. madje dhe tentativa për të hyrë brenda Për mendimin tim nuk ka qenë rastësi, që po atë natë, siç do të thoshte më vonë, ish Ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, ishte sulmuar dhe grabitur shtëpia e tij. Gjithmonë kam dyshuar dhe vazhdoj të dyshoj se të dyja kanë pasur një qellim: të merrnin ose të zhduknin dokumentacionin që gjendej në ministri, ose që mund të kishte Zhulali në shtëpi. Dhe këto me të vetmin qëllim, për të zhdukur gjurmët e planeve, urdhrave që ishin përgatitur ato ditë në kuadrin e Operacionit Ushtarak kundër Jugut


E enjte 13 mars


Sot që në mëngjes mora Komunikatën Operative, me firmën e N/Kolonel Izmirit. Për ta kuptuar situatën dhe për të parë se çkishte ndodhur një ditë më parë dhe çpo ndodhte në Shqipëri ato ditë, po e jap të plotë:


Gjatë ditës së djeshme turma të armatosura kanë vazhduar sulmet ndaj njësive të ushtrisë si dhe grabitjet e armatimit, municionit, rezervave ushqimore dhe veshmbathjes. Gjatë kryerjes së veprimeve për mbrojtjen e bk në Gruemirë, Shkodër ranë në krye të detyrës oficerët: Muhamet Hasmuja, me detyrë komandant baterie, Arben Hoxha, me detyrë komandant toge, një ushtar i paidentifikuar. Ushtar Edmond Lleshi, efektiv i BrK Yzberish, Janë plagosur dhe ndodhen në gjendje shumë të rëndë shtatë oficerë, Idajet Hoxha, oficer Ramadan Ceka, kapterët Nami Sejati, Muhamet Mata, ushtarët Jetmir Kullolli nga Puka, Paulin Lepuri nga Burreli, Urim Qoku nga Bulqiza, Paulin Marku nga Puka, dhe Fisnik Mucilla nga Peshkopia, që të gjithë efektivë të bk Gruemirë.


Nga ora 0.9.15 deri në ora 12.00 datë12.3.1997, janë sulmuar dhe është rrëmbyer armatimi, municioni dhe materialet e tjera në: shkollat e instruksionit të D2K në Pukë, komanda e D2K, bat BrAT Mjekës Elbasan, grup depot e BFU Rrëshen, depot BrK Burrel, në Klos e Burrel, BrK ( me kompletim) në Kolonjë Lushnjë.


Nga ora 12-15.30 u sulmuan dhe u grabiten: depot në Valikardë, BrK Burrel, AU Skënderbej, BrAKA Kamzë, Brk (me kompletim) Laç, bxh i BrXH-Nd. në Laç, ju vu zjarri rezervave të karburantit të BA Kuçovë, u sulmua dhe u grabit BrT dhe BrAP, Babru të D8K, BrK Lezhë, Ba Gjadër.


Nga ora 17 deri në orën 20.00 u sulmuan dhe u grabitën: grupi i helikopterëve Farkë, bat.AKA Domje, BrT Komando, Qendra e Kontroll Raportimit Lezhë, Shtabi i Br Raketave Selitë, Uzina e Riparimit të Artilerisë, BrK Libonik e BrK Pogradec, BrK (me kompletim) Shkozë, D8K, bat. AKA Elbasan, BrK Maminas, BrK (me kompletim) Romanat, depot e BFU Elbasan, BrK Tujan dhe Borizanë.


Nga ora 20.oo deri në orën 24 u sulmuan dhe u grabitën: grup depot e BFU Elbasan, në Gjergjan dhe Ullishtë, Këtu i është ven zjarr një depoje që paraqet rrezikshmëri për qytetin, shtabi i DIK, bat. AKA Lalës dhe komunikimit Marglliç, BrK Sharrë, BrK Krastë të D8K ku i kanë venë zjarrin truprojës; BrAP Gërdec dhe grup depot e BrK Shijak dhe Ndroq, depot e BFU Tiranë në Surel, Noj e Tufinë, të gjitha njësitë e D4K Korçë, Rajoni i PU Tiranë. Pas rrëmbimit të armëve ju vu zjarri objekteve të BrAP Gërdec, BrK me kompletim të D8K Shkozë. Tentativa u bënë për të hyrë dhe në Br Komunikimit, Shtabin e FMA-së dhe b. Sigurimit, por ndeshën në qëndresën e efektivave të reparteve, nga ku u detyruan të kthehen mbrapsht.


Rreth orës 05.15 dt. 13.3.1997 u sulmua BA Rinas si dhe ju vu zjarri godinës së pilotëve si dhe parkut të automjeteve në Gjadër.


Ne të gjitha repartet ka largime masive të ushtarëve.


E lexova me dhimbje atë letër ku përmblidhej gjithçka e keqe që e kishte zënë ushtrinë, ose më mirë të thuash Shqipërinë. Gjithandej grabitje, shkatërrime, djegie dhe çështë më e rënda, tashmë kishim edhe ushtarakë të vrarë në mbrojte të reparteve ushtarake.


Kështu e gjeti dita e 13 marsit ushtrinë shqiptare. Nuk dija nga tia filloja. Më dukeshin të pa besueshme ato që kisha lexuar. Porosita Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Adem Çobanin që të lidhej me kë të mundte për të marrë vesh më mirë se çpo ndodhte. U lidha me Kryeministrin dhe i fola për situatën, por edhe ai nuk kishte çtë thoshte, vetëm dëgjonte. Edhe ai, tepër i lodhur e i dëshpëruar, më dha lajme të tjera për shkatërrime të objekteve civile, grabitje e djegie bankash, ndërtesash zyrtare, gjykatash, arkivash etj. Ula telefonin dhe sesi më erdhi në mend, Shqipëria është marrosur


Krahas komunikatës, njoftohem për sulme e grabitje edhe në disa reparte të tjera. Por njëkohësisht më njoftojnë se është sulmuar disa herë Brigada Komando e Zarll Herrit, por ushtarakët po e mbrojnë me jetën e tyre dhe disa herë i kanë detyruar banditët të zmbrapseshin ja një shembull, mendova me vete, si mbrohen repartet kur oficerët janë ushtarakë të vërtetë dhe patriotë.


Megjithatë duhej të ruaja gjakftohtësinë, tu jepja kurajë e tu rrisja moralin oficerëve, disa prej të cilëve filluan të jepnin dorëheqjen e të kërkonin të largoheshin nga ushtria. I pari më erdhi Shefi i Personelit, gjeneral Aleko Laze. Me pretekstin se ishte në moshë dhe në prag të pensionit kërkoi të largohej. Dukej burrë i mirë dhe me sinqeritetin që tregonte të bënte për vete. I kërkova të qëndronte. U bind. Punova me të deri në fund, sa isha në atë ministri dhe vazhdoj të ruaj edhe sot përshtypjet më të mira për të si njeri.


Nuk vonoi dhe më erdhi Z/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Armando Vinçani. Ai, tepër i prekur, me lot në sy, kërkoi me çdo kusht të largohej, të jepte dorëheqjen. Insistonte në kërkesën e tij, sepse, sipas tij, atë nuk e kishte pyetur askush për ato që kishin ndodhur në ushtri dhe tani duhej të mbante përgjegjësi. Sigurisht, ai kishte përgjegjësitë e veta, por tani nuk ishte koha për dorëheqje. Mbasi e dëgjova i thashë, shko në shtëpi, qetësohu dhe pastaj bisedojmë. Pyeta Shefin e Shtabit për të dhe më tha se është njeri i mirë, dhe ashtu është, si të ka thënë ai, nuk e ka pyetur askush për asgjë. Armando më dëgjoi, u kthye dhe punuam bashkë deri ditën që u largova. Ruaj mendim të mirë e konsideratë për të si njeri e si ushtarak që, detyrën që e ngarkova si përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes pranë Forcave Shumëkombëshe e kreu siç duhet.


Më bëri përshtypje se më kërkoi dorëheqjen edhe sekretarja e ministrit. Po ti i thashë, përse do të largohesh. Unë jam motra e Blerim Çelës, më tha, prandaj gjej një njeri tëndin. Unë nuk jam privat këtu i thashë, nuk kam ardhur të heq njerëz nga puna, për mua nuk ka rendësi motra e kujt je, për mua ka rendësi të bësh punën, të mos flasësh me të tjerët për ato që dëgjon këtu, prandaj vazhdo e qetë. Punova me të deri ditën e fundit dhe nuk pata asnjë problem, madje, kur e pyesja për ata që më kërkonin takim, më tregonte edhe për padrejtësitë që u ishin bërë në të kaluarën Edhe sekretarja tjetër, që nuk kishte qenë në Shqipëri kur ndodhën ngjarjet, mbasi u kthye, më tha se unë jam e persekutuar politikisht, prandaj merr një tjetër në vend tim.


Shko moj vajzë, i thashë duke qeshur, puno në qoftë se don të punosh.


Sikur u çlirua dhe vazhdoi edhe ajo deri ditën që u largova.


Po kështu pati edhe ndonjë tjetër që kërkoi të largohej, por me që e morën vesh se unë nuk pranoja dorëheqje, disa u mjaftuan vetëm me ndonjë letër drejtuar Ministrit të Mbrojtjes, ku nuk merrej vesh se çthoshin e çkërkonin. Ndoshta kishte prej atyre që ishin penduar për çkishin bërë, ose të paktën që nuk ishin larguar më parë


Megjithatë ato ditë nuk pranova asnjë dorëheqje. Pati ndonjë oficer që u largua dhe nuk gjendej ku ishtedhe që më vonë kërkonte të dilte si hero nëpërmjet intervistave e shkrimeve neper gazeta. Duket kështu ndodhë në jetë. Kisha dëgjuar për disa të tillë, të cilët, gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, nuk dihej ku kishin qenë e çkishin bërë, më vonë kërkonin të dilnin si heronj, madje ndonjë edhe kishte dalë


Edhe me datë 13 vazhduan gjatë gjithë ditës të vinin lajme për grabitje e shpërthime deposh. Grabitje armësh e municionesh në regjimentin e Kimisë, në depot në Ndroq, Shijak, Marikaj, Rumanat, Porto Romano etj. Marrim vesh se disa anije ushtarake të Durrësit dhe Shëngjinit, bashkë me armatimin janë nisur drejt Italisë. Gjithandej keq e më keq, zi e më zi


(Ekskluzive/Ditari i ish-ministrit të Mbrojtjes (II) botuar ne gazeten DITA)


(Vijon)


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter