Drama, balet, teatër, ekspozita, koncerte dhe filma të artistëve shqiptarë e kosovarë do të vazhdojnë të shfaqen në institucionet kulturore të metropolit, në kuadër të muajit “Shqipëri-Kosovë”


Petrika GROSI

Një sërë aktivitetesh do të vazhdojnë të organizohen edhe përgjatë marsit, në kuadër të muajit të përbashkët kulturor “Shqipëri-Kosovë”. Kështu, nuk do të mungojë drama, baleti, teatri, ekspozitat e ndryshme, koncertet, filmat, apo veprimtari kushtuar librit etj. Të gjitha këto aktivitete do të organizohen nga institucionet shqiptare, në bashkëpunim edhe me institucionet e Kosovës dhe artistët kosovarë, por edhe nga ata artistë shqiptarë që trajtojnë tema në lidhje me marrëdhëniet historike të kombit, që historia e ndau barbarisht në dy pjesë. Pjesa më e madhe e këtyre ngjarjeve do të zhvillohen në institucionet kombëtare të artit dhe kulturës, të cilat janë në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sa i përket kinemasë, më 4 mars, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të shfaqë filmin e tretë të muajit “Shiqëri-Kosovë”, me titull “Uka i bjeshkëve të namuna”, prodhim i vitit 1968, me regjisor Miomir Stamenkoviç; kurse javës tjetër, më 11 mars, do të shfaqet filmi i katërt dhe i fundit i regjisorit Isa Qosja, “Rojet e mjegullës”, prodhim i vitit 1988. Nga filmi le të kalojmë te baleti; premiera absolute “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me koreografi të Agron Aliajt, kompozim të Nikolla Zoraqit dhe interpretimin e artistëve të TKOB-it, do të vijë sërish në kuadër të veprimtarive të muajit të përbashkët kulturor. Ajo do të shfaqet më datat 11-15 mars. Ndërsa në Teatrit Kombëtar, nga dy shfaqjet që ishin planifikuar të jepeshin, siç ishin “Çifti Martin” i rumunit Jonesko dhe “Tartufi” i Molierit, do të jepet vetëm “Tartufi” nga trupa e Teatrit Kombëtar të Kosovës. I kontaktuar nga ne, TK-ja nuk tregon shkaqet e heqjes nga kalendari të dramës së Joneskos, por konfirmon ngjitjen në skenën e tij vetëm pjesën e Molierit, e cila në Kosovë ka ngjallur kritika të shumta në median dhe kritikët e teatrit për realizimin e saj nën një vizion jashtë klasikes që i sheh protagonistët të veshur nën petkun mysliman.

Regjisor i shfaqjes do të jetë maqedono-gjermani Rahim Burhan, skenograf turku, Nurullah Tuncer, kostumograf një tjetër maqedonas, Blagoje Micevski dhe në rolet kryesore, aktorët Bajrush Mjaku, Çun Lajçi, Mentor Zyberaj, Blerta Syla, Bekim Guri, Florentina Ademi, Besnik Krapi, Asllan Hasaj etj.

Një aktivitet tjetër me interes do të jetë ai i datave 6-7 mars, i cili organizohet falë bashkëpunimit të Arkivit të Filmit (AQSHF) dhe Teatrit Kombëtar të Prishtinës. Është menduar që të bëhet projektimi i një montazhi me filma dokumentarë e kronikalë mbi temën “Marrëdhëniet kulturore Shqipëri – Kosovë në vitet ‘70”. Më 7-8 mars edhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të organizojë një ekspozitë e një koncert me temë kombëtare në kuadër të muajit të përbashkët kulturor “Shqipëri-Kosovë”. Më tej vijojmë me datën 10 mars, kur në Tiranë “Zëri kosovar” do të dëgjohet në Akademinë e Arteve. Interpretues në koncert do të jenë studentë nga Shqipëria dhe nga Kosova. Më 12 mars, gjithashtu, do të mbahet një takim i veçantë, siç është “Takimi i kompozitorëve mbarëshqiptarë në opera”, në të cilin pritet të jenë të pranishëm edhe dy ministrat e kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës, Ylli Pango e Valton Beqiri. Mbyllja e muajit kulturor “Shqipëri-Kosovë” është menduar të bëhet me anë të një maratone të lirë për të gjitha moshat në bulevardin “Zogu i Parë” deri në monumentin e “Nënë Terezës”, ku dhe do të ngrihet flaka olimpike.







3 Mars 2009