Një studim për Kosovën në regjimin e Titos, menjëherë pas viteve që pasuan Luftën e Dytë Botërore, kur ajo mbeti nën jugosllavi. Martin Camaj, 32 vjeçar, e shkroi këtë shënim mbi Kosovën sipas kërkesës së Mustafa Krujës. Studimin ia ka dërguar të shoqëruar me një letër, ku ai zbulon shumë ndjesi personale dhe informacione të vyera biografike mbi këtë periudhë të jetës së tij. Camaj, ndodhej në Romë, me gruan Ninën, e cila ishte e sëmurë, ndërsa ai në një moment mjaft dëshpërues mbi të ardhmen e karrierës së tij. Ajo çka kishte lënë pas krahëve Shqipëria, në regjimin komunist dukej se ishte një kapitull i mbyllur për të, por edhe periudha e studimeve filologjike me prof. Bariqin, janë ndërprerë. Ëndrra e tij është të vijojë në rrugën e studimeve, dhe e deklaron hapur dhe në këtë letër se nuk ka asnjë dëshirë të përzihet në çështje politike. Studimi i tij mbi Kosovën, po ashtu ofron informacione e analiza të vyera mbi tablonë e jetës shoqërore, kulturore dhe mbi të gjitha politike në Kosovën e mbetur nën regjimin e Titos. Çka ofronte tabloja e Revolucionit Komunist në Kosovë, çfarë politikash po gatuante udhëheqja e ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, si depërtuan malazezët në tokat e bejlerëve të pasur kosovare dhe si u manipulua populli i varfër kosovar, duke i ofruar një pjesë të tokave të konfiskuara. Duke mos e zhvilluar industrinë në Kosovë, por duke shfrytëzuar deri në ekstrem pasuritë natyrore të saj që cilat dërgoheshin në serbi, Kosova mbeti e varfër, e kjo situatë, sipas Camajt bëri që vendasit të shpërnguleshin e të kërkonin punë gjetkë në vendet e ish-Jugosllavisë. Ja çfarë shkruan Camaj në mendimet e tij mbi Kosovën: “Mosindustrializimi i këtij vendi ka shkaktuar “pecallben” tek shqiptarët  d.m.th. shpërndarjen e shqiptarëve nëpër tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 punëtorë krahi shqiptarë tue përfshi edhe spataxhit”... Mjaft ngacmuese është analiza që Camaj bën për jetën shoqërore dhe kulturore në Kosovë, duke i bërë këto “shënime” mjaft grishëse për t’i lexuar prej kujtdo. “RILINDASI” i sjell më poshtë për lexuesit këto shënime dhe letrën e Camaj, të plota, zbardhur me besnikëri nga origjinali. Letra është gjendur në arkivin e Mustafa Krujës.

Letra
Romë, 15 / 3 / 57
Fort i nderti dhe i dashuni Mustafa,
Po i përgjegjem dëshirës suej shum vonë. Ju lutem me më falë. Arsyenat janë të shumta që s'mujta t'iau pregadis me kohë nji mendim temin mbi gjendjen kosovare. Kam pasë gruen shum të smuet dhe vetë isha shum i tronditun mbasi ende nuk po shof ngjasë të mirë për nji sistemim të përkohshëm deri sa të vijë dita e emigrimit. Prof. Koliqi më ka ndihmue sa ka mujtë, por unë jam shum larg dëshirës dhe qëllimit tem në jetë: që të vijoj studimet filologjike shqipe të fillueme me prof. Bariqin.
Këtu po iu mbylli dhe ato pak mendime mbi Kosovë. I shkrova pa ndonji përpunim stili ase gjuhe, ashtu si më erdhën, si t'isha qenë tue bisedue me ju kambkryq, shqiptarçe. Nëse mund të më shkrueni, shfaqni ju lutem mendimin tuej mbi këto faqe tue më pyetë mbi ndonji send që nuk mund ta keni të kjartë. E kam pasë shum vështirë me iau përmbledhë në pak fjalë mendimin tem mbi Kosovë, pse kam jetue shum në Jugosllavi, sigurisht kam shum me thanë mbi ket vend, pse për me analizue çashtjen tonë atje, duhet me njoftë mirë dhe Jugosllavin e soçme. Çashtja kosovare duhet studjue dhe shikue në shum pikpamje, aq ma tepër ata që shkruejnë mbi të në Prendim sod haptas ndër publikacjone të ndryshme. Pozitën teme në Jugosllavi iau kanë zbulue jugosllavëve shqiptarët në Prendim, tue më lëvdue në shtyp dhe letra, të cilat iau dërgojshin njerëzve në Jugosllavi. Atyne që bajnë këso gabimesh iau kam thanë aqik.
Kjo lloj politike ase problematike don shkencatarë sikurse jeni ju, që njifni mirë të kaluemen dhe studjoni shkencatarisht të tashmen. Me këtë nuk due të iu thërras që të shkrueni mbi këso gjanash ju, por kënaqem që interesoheni për çashtjet tona kombtare pse kemi nevojë, ase ma mirë, kanë nevojë njerzit që merren me kso problemesh me u këshillue në shum pikpamje nga të vjetrit, nga shkencatarët e historjanët, gja që vetë komunistat e rij e bajnë. Prandej me sinqeritetin ma të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmenin n'idealin kombtar, flijimet tueja për ket ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e lindun për intriga né na çojnë të vjelltë.Më shkrou dhe Genci për ju dhe u kënaqa për fjalët që tha mbi ju se jeni plot energji e se punoni për shkencën shqiptare. Ju uroj jetë, shëndet e punë të mbara me gjithë zemër.
Unë e kam vendosë nji herë e mirë mos me u përzi ndër dallavere politike, mbasi nuk ndjej kurfarë vokacjonit për ket drejtim. Dëshira ma e madhe e emja asht me vijue profesjonin tem.
Ju përshëndes përzemërsisht
Martini
Të fala shum Nina
P.s. A i muert librat që iau dërgova për Zefin? Abonimi i Gencit në Tempo?

Studimi
ÇASHTJA KOSOVARE
Çashtja kosovare mundet me u vrejtë, në të vërtetë dhe ashtu si vrehet, në pikpamje të ndryshme, mun dhe nga vetë shqiptarët nacjonalista. Qe, p.sh. emigracjoni këtu në Prendim qenka i damë dysh për sa i përket çashtjes kosovare: " luftë dhe alarmim pse mbaroi Kosova!" bertitka nji pjesë. Nësa pjesa tjetër qenka e mendimit që mos të bahet fort zhurmë rreth kësaj çashtje, por të pritet nji moment ma i pershtatun ase ma aktual për të ba ndonji veprim diplomatik. Pak a shum dhe në Shqipni nacjonalistat ndahen po në dy opinjone. Gjithkush asht kureshtar me dijtë, por ma tepër se askush jugosllavët, se çka mendon qeverija e soçme shqiptare mbi ket çashtje. Mbas mendimit tem ata të Tiranës nuk kanë qëndrim të caktuem në ket mes, pse ata, si në çdo gja tjetër, janë të mvarun prej rusëve. Asht e vërtetë se rusët machiavelista nacjonalizmin shqiptar e shfrytzojnë ndër rasa të ndryshme si mjet presjoni kundra Jugosllavis, por rusët në kurrnji rasë nuk kanë me qenë në favor të shqiptarëve të Kosovës. Çka mendojnë jugosllavët? Si partija komuniste jugosllave ashtu dhe çdo rrymë tjetër mbrenda këtij shteti qi ka në program nji pushtet jugosllav, qofshin kta dhe kroatë ase sllovenë, nuk e lëshon Kosovën pa gjak e luftë. Kosovarët ket gja e dijnë shum mirë, prandej çdo intelektual dhe njeri që mendon realisht ndër shqiptarët nën Jugosllavi e ka humbë shpresën në fuqin fizike dhe u mbetet me shpresue se ishalla ka me ardhë nji ditë kur fuqitë e mëdha, për interesa të veta, kanë me urdhnue jugosllavët që të rrinë në caqet e veta e t'i lanë shqiptarët me jetue si donë ata. Me ket mendim bashkohem dhe unë, megjithse asht mjaft fatalist. Kosovarët shqiptarë bajnë detyrën e vet: mundohen me ruejtë ata çka kanë me të gjitha forcat e veta. Masa e intelektualve të rij, pergjithsisht, lot nji politikë "bashkimi dhe vllaznimi", gja që nuk asht aspak bindëse për kurrnji grup etnik në Jugosllavin e soçme! Asht interesant me u gjete në qytetin e Prishtinës në kohë të mbrames kur populli del në shëtitore: nuk mundesh me e gjetë nji grup të përziem serbë e shqiptarë, por fare janë të ndamë dyshë, në nji anë serbët e në nji anë shqiptarët. Udhëheqsija e partis, përkundra asht nji klikë krejtsisht e izolueme e perzieme me dy kombësinat pa dallim. Por, për t'iau paraqitë gjendjen kosovare ase shqiptare në Jugosllavi, duhet hjedhë nji sy fakteve historike ç'prej 1945 deri në sod, tue vu në dukje shkurtimisht dhe shkaqet.

Revolucjoni komunist në Kosovë
Revolucjoni komunist në Kosovë ka qenë krejtësisht specifik, shikue nga Titoja me shokë qyshë atëherë nën prizmin nacjonal. Në të vërtetë ky revolucjon ka realizue këto masa:
I. Hakmarrje e serbëve, malazezve e maqedonasve kundra shqiptarëve që u përpoqën të bajnë Shqipnin e madhe. Ket gja ata e kryen me dorën e shqiptarëve. ( shi. Albanski jugoslovenski - V. Dedjer).
II. Shtypja e beglerëve, tregtarve dhe shtëpijave të para shqiptare dhe marrja e tokave të tyne për t'iau shpërndá kryesisht malazezve, tue qenë këta i vetmi element që mund t'u bajnë ball shqiptarëve, dhe tepricën tjerëve fshatarëve shqiptarë të vorfën, me qëllim me i afrue dhe me i zbutë tue ba me harrue skenat e përgjakshme. Nga shpërndamja e tokave shqiptarët nuk kanë përfitue për këto arsye:
A) Fryma konservatore "po na i dau shkau tokat e parisë shqiptare e nesër njisoj kanë me na i marrë pse iau ka lanë baba".
B) Fryma e kolektivizimit komunist në kundërshtim me individualizmin e fshatarit tonë (gja analoge dhe në Malsin e Shkodrës, ku as dy % nuk kanë përfitue nga reforma agrare).C)Kosovari psikologjikisht e ka ndie vehten plotsisht të mujtun tue ra për së dytit në robni, prandej nuk ka pasë zemër të kërkojë përfitim prej beneficeve të revolucjonit si elementi ma i vorfën në Jugosllavi. Karakteristikë kryesore në mardhanjet e shqiptarëve e të qeverisë jugosllave asht mosbesimi reciprok.
Fakte vërtetuese: moskujdesi i qeverisë që në Kosovë e Metohi të ngrihen fabrika, elektrane ase të hapen udhë të reja si në Krahinat e tjera jugosllave.. Nga ana tjetër ky vend asht i mbushun me landë të para që nuk përpunohen në vend, por trasportohen në Serbi, gja kjo krejt në kundërshtim me parimin Marxisto - leninist. Mos të harrohet dhe se Kosmeti asht zyrtarisht Krahinë autonome prandej duhet të kishte nji autonomi ekonomike. Mosindustrializimi i ketij vendi ka shkaktue "pecallben" tek shqiptarët d.m.th. shperndamjen e shqiptarëve neper tanë shtetin për të gjetë punë, sidomos në kohën e dimnit. (Në dimnin e vjetit 1956 vetëm në Beograd ka pasë ma se 14.000 puntorë krahi shqiptarë tue perfshi edhe spataxhit. U dokumentue me nji reportazhë pregatitë nga disa studenta shqiptarë në Beograd nergut për revistën e ilustrueme ZANI I RINIS. Ky artikull qe censurue dhe ndalue.)
Nga të gjithë këta na dalin disa pyetje: a thue jugosllavët ase ma pikërisht komiteti qendruer i partis komuniste jugosllave parashef se do t'a humbi Kosovën nji ditë, prandej nuk derdh kapital në te, por e shfrytzon? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun per zhvillim industrijal, dhe se në në rasën e ndoj lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit ka ma ngjasë sepse ata në të vërtetë krejt industrin e randë, sidomos industrin ushtarake, e kanë perqendrue në krahinat malore të Bosnes, mirë e mprojtun nga Lindja e nga Prendimi. Por asgjamangut kjo nuk e justifikon moskujdesin për Kosmet, pse në të njajtin pozicjon strategjik gjindet edhe Maqedonija e cila ka përfitue ma tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Sod rrallë mundesh me gjetë maqedonas nëpër vende ase republika tjera tue kërkue punë, si para lufte. Partija komuniste jugosllave e ka shpëtue ket popull, i cili u gjinte në kapërcyell mes dy kombsive që dojshin me e pervetsue: serbët e bullgarët luftojnë tash dheta vjet rreth këtij vendi të vorfën për t'a asimilue tue shtypë çdo individualitet të tij me mënyrna shovene. Maqedonasit sod e ndiejnë vehten të lirë kombtarisht: kanë gjuhën e vet, kulturën e vet (letërsin, universitetin dhe folklorën e vet me kangët e bukura). E pra ky popull dhe qeveri maqedone sjellet me shqiptarë ma keq se çdo grup tjetër etnik nën shtetin jugosllav. Psikologjikisht asht fare e kuptueshme nji gja e tillë: ata tue qenë hala të ligësht dronë edhe hijen e vet. Mbasi ra fjala dhe mbi antagonizmin dhe shovenizmin mes këtyne kombësive ballkanike, due të shprehi nji ide dhe deshirë qi i rrin në zemër çdo intelektualit të ri ballkanas: zhdukja e anmiqsinave dhe idenave mes kombsivet tona. E vetmja mënyrë dhe rrugdalje asht nji konfederacjon ballkanik, që nji ditë, natyrisht në kushte tjera shoqnore dhe ekonomike, do të vijë. Do të vijë atëherë kur Ballkani të industrijalizohet ase ma mirë atëherë kur bujqt tue punue tokën me mjete moderne kanë me prodhue për vehte mjaft bereqet dhe kanë me e ndie nevojën e hapsis për të shpërnda prodhimet e veta. Por sod Ballkani asht nji vend mizerje, ku njerzit ase kombet, tue pasë barkun thatë, kujtojnë se ia ka fajin ai i vogli që asht gjallë, prandej bahet bishë karshi të ligshtit.Masa e re ka fillue t'interesohet shum për mjeshtrina të ndryshme vetëm tash në kohët e fundit. Nësa kora e vjetër vazhdon të qindrojë n'at lëvozhgën e vet që asht fanatizmi fetar dhe nacjonal, rinija shkon tue humbë fare dhe ndjenjat fetare, kështu që sod shumica e intelektualve të rij o asht injorante dhe indiferente ndaj fés ose ateiste. Puntorija e minierave (puntorija hamalle) e sidomos ajo e Trepçes 80 % asht shqiptare. Tash së fundit në Trepçë kanë shkue dhe tre inxhinjera shqiptarë, shokë të mij nga Universiteti. Përsa i përket lanjes mbas dore të Kosmetit në lamën e industrijalizimit elaborues nuk dij çka me thanë. Nga nji qëndrim i tillë i jugosllavëve, mund të na dalin vetvetiu dy pyetje: a thue këta do t'a parashofin se nji ditë kanë me humbë ket krahinë, prandej nuk derdhin kapital në te dhe vetëm mendojnë t'a shfrytzojnë? A thue Kosmeti nuk asht vend strategjik ushtarakisht i përshtatun për zhvillimin industrijal dhe në rasën e ndonji lufte ata kishin me e humbë për së shpejti? Kjo e fundit kishte me qenë ma e arsyeshme po mos të bante kontrast pozicjoni i Maqedonis që, megjithse në rasë lufte kishte me ra e para, ka përparuema tepër se çdo krahinë tjetër jugosllave në ngritjen dhe përparimin industrijal dhe ekonomik. Megjithkte maqedonasit janë diskriminatort ma të mdhaj karshi shqiptarëve të cilët hjekun të zit e ullinit nën ta. Mun maqedonasit me ne janë tregue shum brutalë dhe të parët kanë fillue me i tëbue shqiptarët për Turki. Në lidhje me qindrimin ekonomik që mbajnë jugosllavët me shqiptarët ase me Kosovë unë kam ket mendim: nuk donë që Kosmeti të përparojë fort, kështu që të mbesë gjithmonë i mvarun prej tyne. Nga ana tjetër as nji Kosmet "xhungla" nuk u intereson per shumë arsyena që kuptohen kollaj.

GJENDJA SHOQNORE E
SHQIPTARËVE NË KOSMET
Asht shum e natyrshme që nji shoqni, e cila mbrenda 15 vjet ka kalue nëpër nji luftë dhe nëpër nji revolucjon të hatashëm, të ketë pësue ndryshime shum të mëdha. Thanja e ndonji definicjonit në ket mes nga unë nuk kishte me qenë me vend, mbasi, tue qenë me mish e me shpirt për gjeneracjonin e ri, sigurisht do të jepsha diçka shum subjektive. Shqiptarët e rij e të vjetër në Jugosllavi i bashkon, përgjithësisht, nji mendim i përbashkët: lirija kombtare. Të parët janë militanta, të dytët nuk donë kompromise dhe e evitojnë "shkan" në çdo mënyrë. Te të dy palët asht nji tendencë e aqikët: donë me qenë ata vetëm zota të Kosovës, prandej jam i bindun se nuk kishin me ra dakord as me shqiptarët e Shqipnis së nesërme. Për sa i perket dallimit të mbrendshëm po paraqes nji mendim superficial të serbëve të Kosovës. Këta intimisht mes tyne shqiptarët i ndajnë në tri kategori : "arnauti" shqiptarët katundarë të tipit të vjetër, me plis të bardhë në krye, gadi me e perpijë serbin në të parën rasë; "šiptari" janë shqiptarët me pantallona e xhaketa, mësuesa, nënpunsa etj.; "albanci" shqiptarët e ardhun prej Shqipnis e të ngulun në Kosovë. Ky asht nji dallim populluer e shum superficial, por shum interesant kur merret para syshë se prej kuj asht bâ.

GJENDJA KULTURORE
Suksesi ma i madh asht në lamën e arsimit dhe të kulturës. Poqese shkon njeriu në vend, shef gjith këto shkolla, sidomos t'ulta, mbetet i habitun. Gjaja që të ban ma tepër përshtypje asht zelli i arsimtarëve që me nji rrogë shum të vogël punojnë natë e ditë me nji vetmohim të çuditshëm. Prandej nuk duhet të na habisin qëndrimi i sllavëve që nuk na donë as na kanë dashtë kurr të mirën e që përpiqen me çdo mënyrë me i paksue. Mjerisht ata janë kujtue se shkolla në shqiptarë asht ba dhe nji symbol ase, ma mirë me thanë, nji mjet për me shprehë ndjesitë kombtare. Kisha me thanë (dhe nuk jam i vetëm në ket gjykim) se Beogradi gjindet para nji problemi shum të madh se si me e ndalë ket zhvillim që ata e quejnë "anormal". Ai proçesi i shtërngimit, që filloi me shpalljen e turqve në Kosmet dhe mandej me emigrimin e tyne, me gjyqet e trillueme "irredentistash" dhe "kominformbyroistash", nuk ka mbarue ende. Njerzija shqiptare tash së fundit ka fillue me u lodhë, pse ju e dini se jeta me pushkë në faqe gjithnji mund t'i merzitet çdo idealistit. Ket gjendje shpirtnore e kam provue dhe unë, sidomos kur më mbyllën derën e çdo bashkpunimit me revista shqipe ase mundsin e botimeve në vehte. Organet (UDB, komitetet e partive etj.) që merren me demaskimin e elementave "të rrezikshëm" dijnë me i lujtë kaq mjeshtrisht spilcat dhe intrigat sa që nuk e din se kah të erdh e keqja. Me shum mjeshtri ia dalin dhe me shtij grindje, mosbesim mes intelektualve shqiptarë, të cilët tash në kohët e fundit kanë fillue me zanë mend pak, sidomos me mbylljen e Institutit albanologjik në Prishtinë dhe me gjyqet e trillueme. Tue lanë në njanën anë shkollat pse aktiviteti i tyne asht tashma shum i njoftun, Kosova ka përparue shum në pikpamje kulturore shqiptare nëpërmjet të theatrave dhe grupeve folkloristike. Kemi theatrin shqiptar profesjonal të Prishtinës, i quejtun "theatri i krahinës autonome Kosmet" i cili jep shfaqje në gjuhën shqipe nëpër tanë Kosmetin dhe Maqedonin. Tri herë bile kanë qenë dhe në Beograd theatrat profesjonalë të Shkupit, Mitrovicës e Pejës. Në Prizrend dhe në të tana qytetet e tjera ku gjindet shkolla e mesme në gjuhën shqipe funkcjonojnë grupet artistike, ku jepen shfaqje theatrale e folkloritike (kërcime popullore shqiptare, kangë me melodinat e bukura kosovare). Deri në vitin 1954 Kosova ka pasë dhe grupin artistik ase folkloristik, që mandej u shkri në ate të Serbis. Kërcimet e bukura të Kosovës shqiptare (kërcimi i Rrugovës rreth nuses me shpata, Shota - kërcimi i djalit dhe i vajzës me ritmin e gjallë e lirik) kanë ba për vehte të tanë publikun jugosllav dhe kanë fitue rekordin si në Jugosllavi ashtu dhe në Europë dhe Azi. Më ka pasë ba përshtypje të hatashme në sallën "Kolar?ev" të Beogradit kur duelën në skenë shqiptarët me veshjen e bukur të malsorëve të Rrugovës dhe me shpata të hjekun filluen dyluftimin për nusen. Në kërcim i ndiqte vetëm tupani, kështu që kur lëshoshin kambën për tokë u dridhte krejt salla. Ishte e para herë që u jepte nji shfaqje e tillë në Beograd me 1949 (tetuer), prandej publiku u entuziazmue për së tepërmi. Koreografët deri tash vonë nuk kanë ba asnji ndryshim, por i kanë lanë ashtu si kanë qenë origjinale. Folklora deri tash ishte nji mjet që qeverija e perdorte për njofjen dhe afrimin e popujve "jugosllav" mes tyne. Mirëpo nji gja e tillë ne na ka vleftë shum pse gjeneracjoni i ri jugosllav asht në evolucjon e sipër dhe vjen kadalë kadalë tue ndrrue mendimin e etënve mbi shqiptarë. Unë kam pasë shum shokë e miq mocatarë të mij e që sot janë doktora, inzhinjera etj. që simpatizojnë dhe flasin e pohojnë se populli shqiptar asht elementi ma i shtypun në Ballkan. Por asgjamangut unë jam plotësisht i bindun se çdo qeveri që të vijë në Beograd ka me luftue deri në pikën e fundit për Kosovë. Tash së fundit janë gjetë dhe disa minjera të reja me metale shum të kushtueshme dhe krejt fusha e Kosovës asht e vendosun mbi qymyr gurit; po e lamë Trepçën dhe pyjet e Kosovës që shfrytzohen gazep. Unë jam i mendimit se popujt e Ballkanit janë shum afër pse kanë dhe nji influencë kulture e histori të përbashkët, por mjerisht sod për sod jemi të shtrënguem dhe na me qenë shovena. Në këto kushte zhvillimi njerzit nuk munden me mendue ndryshej.Fitorja ma e madhja në pikpamje të kulturës ka qenë Instituti albanologjik i Prishtinës. Qe hapë në vjetin 1953 me ndihmën e Millovan Gjilasit. Ky burrë i ka pasë dashtë fort shqiptarët, shum kush thotë bile se dhe ai asht vetë me origjinë shqiptare. Mbasi kishte ra prej pozite, jam njoftë me te në bibliotekën kryesore të Beligradit po bahen 15 muej. Në bisedë e sipër më pyeti si shkon Instituti i Prishtinës. Fill mbas kësaj pyetje nuk mujta me ndejë pa ia shprehë simpatin e shqiptarëve për te. Shtova se ndër ne flitet se ai asht origjinë shqiptare e se në Malsi kemi plot njerz me emnin Gila. "Unë jam Vasojeviq" m'u pergjegj e "sigurisht kam gjak shqiptari në vehte së pakut nepermjet grave që ia kemi grabitë njani tjetrit." Dhe filloi me qeshë. Më foli dhe mbi historin e Vasojeviqve e malësorve, pse ai asht njeri me kulturë të madhe. Si fëmijë kishte ruejtë baktit me çobajt e Kelmendit dhe në fund më foli kundra politikanëve që ndajnë popujt. Instituti posa ka pasë fillue punën: u mblodh mbrenda nji kohe të shkurtën nji mori kangësh e prrallash, që më duket i kanë hjedhë të gjitha në kosh. Kur ishte tue u organizue, ka ra shpesh dhe biseda mbi ju. Kryetarit Elhami Nimanit i kam folë shpesh për ju. "Sa të fillojmë botimin e anualit" më pat thanë "do të ta grishim të marri pjesë." Edhe ndër komunista kosovarë keni një simpati shum të madhe, pse këta (shumica) para së gjithash janë shqiptarë. Por Instituti në fjalë, në të vërtetën mbaroi edhe për mend të shqiptarëve e, mbasi nga fillimi prej shumkuj në Beograd nuk qe pa me sy të mirë, gjetën shkaqe me e mbyllë, aq ma tepër kur u dinte nga të gjithë se asht hapë me ndihmën e Gjilasit. Tash qendrat ma të nalta mbi studimet shqiptare janë grupi albanologjik i Beogradit me tre profesora: V. Dancetoviq, Idriz Ajeti, Anton Çeta; me tre vetë në specializim mbas laurës, Dragan Micoviç, Enver Gjergjeku e Abdullah Zajmi; me afër 70 nxanës gadi të githë shqiptarë. Ky asht grupi ase kathedra ma e fortë albanologjike jashta vendit. Bariqi, si u kam shkrue, asht kryetar i Institutit Balkanologjik në Sarajevë dhe 80 % të studimeve që dalin në anualin që asht në shtyp janë mbi shqiptarë.

Romë 15 /III/ 1957


Foto: (Nga e majta (i dyti) Lin Delija, (i pesti) M. Camaj, i gjashti Viktor Koliqi. Foto e vitit 1957, vit kur u shkrua ky studim dhe kjo letër)

(Shkrimi u publikua ne suplementin RILINDASI 20 janar 2013)

(sg/shqiptarja.com)