Sirianë të zemëruar kanë sulmuar ambasadën siriane në kryeqytetin egjiptian Kajro, për të protestuar kundër valës së re të dhunës në vendin e tyre. Aksionet të ngjashme ka pasur më parë edhe në Britaninë e Madhe, Gjermani dhe SHBA.

Opozitarë sirianë thonë se forcat e sigurisë të presidentit Bashar al-Assad kanë vrarë më shumë se 200 persona. Opozita flet për një masakër. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka planifikuar një mbledhje të posaçme, në të cilën do të votohet për një rezolutë për dhunën në Siri.

Moska ka sinjalizuar se nuk do ta mbështesë rezolutën, por nuk përjashton abstenimin. Vetoja ruse do ta pengonte miratimin e rezolutës.

Në anën tjetër, mediet shtetërore në Siri i kanë përgënjeshtruar raportet se forcat ushtarake janë për tu fajësuar për vrasjen e më se 200 njerëzve në qytetin qendror, Homs.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se forcat qeveritare kanë vrarë së paku 217 persona, gjatë sulmit me predha në këtë qytet, që ishte qendër e kryengritjes kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assadit, gjatë dhunës gati njëvjeçare në Siri.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Sana, për këto vrasje i ka fajësuar “grupet e armatosura terroriste” dhe ka vlerësuar se raportet për përfshirjen e ushtrisë janë “të pavërteta”.