I dashuri i këngëtares Elvana Gjata, biznesmeni Ervin Mata, i cili u përfshi në konfliktin e armatosur në ish-Bllok, i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kërkesë teksa u la i lirë pas vetëdorëzimit në polici.


Mata i ka kërkuar Prokurorisë që ai të shkojë e të japë shpjegime për ngjarjen, ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën mbrëmjen e 4 tetorit 2018.


Kërkesa e Matës iu është dorëzuar dy prokurorëve të çështjes, nga avokati mbrojtës, Alban Bengasi. Ajo është administruar dhe javën e ardhshme, i dashuri i Elvana Gjatës do të thirret për të dhënë versionin e tij për krimin, ku viktimë mbeti Fabiol Gaxha, dhe u plagosën biznesmeni Ervis Martinaj e miku i tij Elio Hato.


Ervin Mata, i fejuari i këngëtares Elvana Gjata, u lirua nga gjykata vetëm nën masën e detyrimit të paraqitjes. Vendimi i shkallës së parë është apeluar nga Prokuroria, e cila kërkon kthimin në burg të biznesmenit.


Sipas institucionit të akuzës, gjykata nuk i ka vlerësuar drejt provat dhe faktet duke caktuar një masë sigurie, që nuk i përgjigjet rëndësisë së ngjarjes. I dyshuari Mata u vetëdorëzua në polici, pesë muaj pas ngjarjes së rëndë.