Dy të rinjtë, që masakruan dhe vranë studentin shqiptar Xhuliano Brahimllari janë dënuar me nga 24 vjet burg.


Gjykata në Bruksel  të enjten pasdite shpalli fajtor për krimin e ndodhur në qershor të 2015 belgun Vincent De Bruycker dhe maqedonasin Denis Nikolovska, informojnë mediat belge.


Trupi i 22-vjeçarit me origjinë nga Dukasi i Fierit ishte student në vitin e parë për Juridik dhe Kriminologji, në Koekelberg u gjet në një valixhe sportive në 9 qershor, pa kokë, këmbë e duar nga disa punëtorë. Hetuesit e identifikuan nga një tatuazh me një zambak dhe me inicialet e prindërve.


Policia asokohe arrestoi të riun belg dhe më pas maqedonasin. Dyshohet se të rinjtë ishin përfshirë në një trafik kanabisi dhe kishin kaluar së bashku së paku një pjesë të fundjavës në një apartament në Koekelberg.


Horrori në Belgjikë


Paraditen e 9 qershorit 2015, punëtorët e komunës Jette në Belgjikë, në kufirin midis Jette dhe Wemmel bënë një zbulim tronditës. Ata gjetën një valixhe të madhe sportive, me ngjyrë të verdhë, e cila kishte brenda një bust njeriu, të cilit i mungonte koka, parakrahët dhe një pjesë e këmbëve.


Pavarësisht se identifikimi i trupit të gjymtuar ishte i vështirë, më në fund u konkludua se ai i përkiste shqiptarit 22-vjeçar Xhuliano Brahimllari, nga Dukasi i Patosit. Mësohet se ka qenë një prej xhaxhallarëve që e ka identifikuar nëpërmjet tatuazhit që kishte në trup i riu. Ndonëse policia belge ka hetuar për të zbuluar autorët e krimit dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, deri tanimë gjithçka ka mbetur enigmë.


Fakt është që ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm banorët e komunës Jette në Belgjikë dhe studentët e Universitetit të Shkencave Juridike ku studionte i riu shqiptar, por edhe opinionin mbarëshqiptar. Nga mediat belge është publikuar se 22-vjeçari kishte vite që jetonte në Belgjikë, dhe se kishte pasur atje dy precedentë penalë.


Po sipas mediave belge, bëhej fjalë për një sherr me shokun e tij, të cilin e kishte rrahur me shkop bejsbolli. Për këtë ngjarje, ai u dënua fillimisht me 30 muaj burg, por më pas gjykata kishte vendosur dënimin me shërbim prove.


Policia belge e kishte arrestuar edhe në vitin 2014, pasi kishte rënë në gjurmët e një grupi kriminal, që trafikonte kanabis. Prokuroria nuk kishte arritur të gjente prova, ndaj e kishte lënë të lirë.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)