Për herë të parë pranë plazhit të Tales në Lezhë është hapur një qendër shëndetësore verore në shërbim të pushuesve të shumtë ditorë që frekuentojnë këtë plazh. Ministrja Ogerta Manasirliu pa nga afër qendrën shëndetësore të Tales, e cila ofron shërbim 12 orësh.


Nisur nga nevoja që ka pasur vitin e kaluar dhe kërkesat e vazhdueshme për shkak të frekuentimit të lartë ditor të plazhit të Tales vendosëm hapjen e kësaj qendre verore si dhe vendosjen e një autoambulance fikse në zonën e plazhit. Janë 26 qendra verore që janë në dispozicion të pushuesve 24/7 në zonat turistike, për një sezon turistik të sigurt, tha Manastirliu.


Qendra shëndetësore e Tales, sikurse çdo qendër shëndetësore verore është e furnizuar me medikamentet bazë për çdo rast urgjence.


Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon edhe procesin e dezinsektimit pranë zonave turistike.


Deri tani janë kryer rreth 40 trajtime nga veriu në jug të vendit dhe ky proces do të vijojë deri në muajin shtator, për të garantuar një sezon turistik të sigurt.


21 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)