Juna Musa ka përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Pasi mbaroi studimet, ajo aplikoi po në Fakultet për një bursë Master Shkencor në Amsterdam të Holandës. E pasi mbaroi edhe masterin, ajo erdhi në Shqipëri për të përfunduar edhe ciklin e tretë të studimeve, specializimin.


Pasi dërgoi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të kandiduar për specializim, asaj, ndër të tjera iu kërkua edhe dëshmia e gjuhës së huaj, siç e kërkon udhëzimi i Ministrisë së Arsimit.


E gjetur para këtij fakti, Juna Musa, në bazë të ligjit dërgoi një kopje të diplomës së saj të masterit në Amsterdam, Holandë. Sipas saj, për studimet në ciklin e tretë, neni 78 në ligjin për Arsimin e Lartë thuhet:


Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.


Por, aplikimi i saj për specializim u refuzua për mungesë dokumentacioni, pasi sipas dekanit dhe përgjegjëses së kurrikulave, asaj i nevojitej njësimi i diplomës.


Ndërkohë që aplikimet mbylleshin për 6 ditë, njësimi merr 3 muaj kohë dhe për më tepër nuk është pikë e përcaktuar në ligj. Sipas ligjit, njësimi kërkohet vetëm në rastin kur kandidon për studime të ciklit të dytë. E përcaktuar gjithashtu në ligj.

































Pas dyerve që iu përplasën në fytyrë, Juna Musa u ankua në emisionin Fiks Fare.


Gjatë intervistës së dhënë për Fiks Fare përpara Universitetit të Mjekësisë, Juna Musa thotë se ka zgjedhur të ankohet për një të drejtë që i takon me ligj, por që i është mohuar.


Universiteti i Mjekësisë ka refuzuar aplikimin tim për specializante. Unë jam studente që kam përfunduar studimet e ciklit të dytë me bursë nga i njëjti Fakultet. Është po ky Fakultet që ka marrë pranimin dhe më pas njoftimin e përfundimit të studimeve, e që sot po e vë në dyshim përfundimin ë këtij cikli dhe më kërkon njësimin e diplomës. Ndërkohë që ligji nuk e përcakton një gjë të tillë. Unë dua të dali e drejta, pasi si Dekanati, ashtu dhe Rektorati mbajnë të njëjtin qëndrim. Përmendin nenin 78 të ligjit, por nuk e zbatojnë atë, thotë Juna.


Sipas saj, pas ankesës së bërë edhe në Ministrinë e Arsimit, fillimisht iu tha se ka të drejtë, por më vonë, kur erdhi përgjigjja me shkrim, ishte mbajtur një tjetër qëndrim. Sipas tyre, ajo është studente që po aplikon për ciklin e dytë të studimeve. Juna thotë se, pavarësisht të gjithë këtij absurditeti që vazhdon shkresë pas shkrese, ajo është e vendosur tu shkojë gjërave deri në fund.


Bashkë më Juna Musën, gazetarët e Fiksit shkuan të takonin përgjegjësen e kurrikulave, e cila nuk pranoi të japë intervistë, por vazhdonte të këmbëngulte se njësimi i diplomës duhej bërë, edhe pse së bashku lexojnë ligjin, nenin 78, ku është përcaktuar fare qartë se nuk duhet njësimi.


Më pas, ajo pretendon që këtë përgjigje e ka kthyer dekani dhe është ai që duhet të përgjigjet në intervistë.


Xheladin Ndraçini, dekani i Fakultetit të Mjekësisë nuk pranoi të takonte gazetaren e Fiks Fare, por gjatë regjistrimit të telefonatës thotë se, interpretimi që po i bëhet ligjit sipas tij, është qëndrim personal i gazetares. Ai shprehet se Dekanati mban ende të njëjtin qëndrim që ka pasur në shkresën që ka kthyer përgjigje.


20 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)