Jonida Tashi



Vetëm 50 studentëve do t’u jepet mundësia për të ndjekur studimet “Master” në mësuesi, për arsimin e mesëm, në Fakultetin e Shkencave Sociale gjatë këtij viti akademik. Masteri 1-vjeçar në mësuesi, për arsimin e mesën, në Fakultetin e Shkencave sociale në Tiranë do të ndiqet në lëndët “Shkenca sociale”. Qeveria ka miratuar vetëm 50 kuota pranimi për masterin e mësuesisë në arsimin e mesëm për këtë fakultet. Kurse në total për Universitetin e Tiranës janë miratuar 1020 kuota pranimi për studimet “Master” në mësuesi. Në përfundim të këtyre studimeve do të lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për arsimin e mesëm, në lëndët “Shkenca sociale”.

Tarifa

Tarifa vjetore e shkollimit që duhet të paguajë një student për ndjekjen e këtyre studimeve është 36 mijë lekë. Programet e studimeve “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për arsimin e mesëm, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit. Masteri 1-vjeçar për mësuesi gjatë këtij viti akademik mund të ndiqet edhe në tre fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës, për të cilat qeveria ka miratuar kuotat e pranimit. Përkatësisht tre fakultetet e UT-së, që do të ofrojnë mastera në mësuesi janë: Fakulteti i Histori-Filologjisë, ai i Shkencave të natyrës dhe Gjuhët e huaja. Megjithëse kuotat e pranimit për këto studime janë miratuar në 10-ditëshin e parë të muajit tetor, vendimi i qeverisë ka mbërritur ditën e djeshme në Drejtorinë e Kurrikulave dhe Standardeve në Universitetin e Tiranës. Pas marrjes së këtij vendimi, kjo drejtori e ka përcjellë atë në fakultetet përkatëse, në mënyrë që të nisin edhe aplikimet për këto studime.

Shpërndarja

Universiteti i Tiranës shpërndan kuotat e vëna në dispozicion në masën jo më pak se 30 për qind për studentët që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të Arsimit të Lartë, dhe jo më shumë se 70 për qind për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të Arsimit të Lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti i Tiranës ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët që janë diplomuar në të. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, të përcaktuara nga njësitë kryesore të Universitetit të Tiranës, bëhen publike. Kandidatët që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër, të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve, të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të ish-të përndjekurve politikë, që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi “Master i nivelit të parë” në mësuesi, në institucionet publike të Arsimit të Lartë, të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit.

Studentët

Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe nga cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. Në programet e studimit “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për arsimin e mesëm, për lëndët Fizikë, Matematikë apo kombinimet e tyre, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët me mesatare të ciklit të parë jo më ulët se nota 8 (tetë) nuk e paguajnë tarifën e shkollimit. Kuotat e pranimeve në programet e studimit “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për arsimin e mesëm, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.





Kuotat për Master në mësuesi në Universitetin e Tiranës



Në Fakultetin e Shkencave sociale:

në lëndët Shkenca sociale 50



Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja:

në lëndën Gjuhë angleze 180

në lëndën Gjuhë frënge 80

në lëndën Gjuhë gjermane 80

në lëndën Gjuhë italiane 120



Në Fakultetin Histori-Filologji:

në lëndën Gjuhë-letërsi 120

në lëndën Histori 100

në lëndën Gjeografi 100



Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës:

në lëndën Biologji 60

në lëndën Kimi 30

në lëndën Fizikë 60

në lëndën Matematikë 40







30 Tetor 2008