SHKRUAN: Jonida Tashi 30-12-2011 11:06

Programet e plota për Gjuhë-Letërsinë dhe Matematikën. Ministri i Arsimit përcakton listën e lëndëve për provimet e Maturës 2012, ku përfshihen 22 nga kurrikula bërthamë dhe 18 nga kurrikula me zgjedhje





Ministria e Arsimit shpall zyrtarisht programet orientuese për provimet e Maturës 2012. Në total bëhet fjalë për plot 40 programe, nga të cilat, 22 lëndë i përkasin kurrikulës bërthamë dhe 18 të tjerat kurrikulës me zgjedhje. Matura Shtetërore 2012 do të jetë më e ngarkuar, pasi do të shtohen dy provime të reja të detyrueshme. Një nga këto provime që do të futen për herë të parë në testimet e Maturës është gjuha e huaj e parë, që maturantët kanë mësuar në gjimnaz, ndërsa tjetri ka të bëjë me maturantët e shkollave profesionale. Këta të fundit, ndryshe nga më parë, kur i nënshtroheshin një testimi shkollor profesional para se të futeshin në provimet e Maturës, këtë vit do të kenë edhe provime Mature profesionale. Vitin e ardhshëm, në provimet e Maturës, maturantët do të japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje vetjake. Lëndët e përbashkëta për të gjithë maturantët do të jenë: Gjuha shqipe dhe Letërsia bërthamë, Matematika bërthamë dhe gjuha e huaj e parë. Ndërkaq, një tjetër risi në Maturën 2012 është edhe fakti që për herë të parë maturantët do t’i përzgjedhin lëndët me zgjedhje, jo vetëm sipas dëshirës, por edhe sipas krediteve. Kështu, maturantët duhet t’i zgjedhin lëndët për provimet me zgjedhje sipas dy kritereve kryesore, që janë: shuma e krediteve të këtyre lëndëve të jetë jo më e vogël se 8 dhe numri i lëndëve me zgjedhje të jetë 2 ose 3.


Lëndët


MASH ka përcaktuar listën e lëndëve të provimeve me zgjedhje të Maturës 2012, ku përfshihen lëndë nga kurrikula bërthamë dhe nga kurrikula me zgjedhje. Më konkretisht, nga kurrikula bërthamë, për të gjitha shkollat e mesme, maturantët mund të përzgjedhin si lëndë me zgjedhje: gjuhën e huaj të parë, kiminë, fizikën, biologjinë, shkencat e tokës, qytetarinë, historinë, gjeografinë, ekonominë, teknologjinë. Kurse lëndët histori muzike, harmoni, histori arti, anatomi, histori baleti mund të përzgjidhen vetëm nga maturantët e shkollave artistike, dhe teoria profesionale vetëm nga ata të shkollave profesionale. Ndërkohë, nga kurrikula me zgjedhje maturantët mund të përzgjidhen plot 18 lëndë, që janë: letërsi e thelluar, matematikë e thelluar, fizikë e thelluar, kimi e thelluar, biologji e thelluar, trashëgimi kulturore, sociologji, histori e thelluar, gjeografi e thelluar, psikologji, filozofi, ekonomi e thelluar, teknologji e thelluar dhe gjuhë e huaj e dytë, angleze, italiane, franceze, gjermane, spanjolle. Sipas udhëzimit, çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja, me kusht që njëra të trajtohet si gjuhë e huaj e parë (10 kredite), ndërsa tjetra si gjuhë e huaj e dytë (6 kredite). Po ashtu, çdo maturant ka të drejtë të zgjedhë nga lista e lëndëve që i përkasin kurrikulës me zgjedhje, një apo më shumë lëndë, pavarësisht nëse i ka zgjedhur ose jo apo i janë ofruar ose jo nga shkolla gjatë viteve të studimit në shkollën e mesme. Lënda “Trashëgimi kulturore” përmban trashëgiminë kulturore shqiptare (2 kredite) dhe trashëgiminë kulturore europiane (2 kredite). Maturantët që do të përzgjedhin këtë lëndë do të testohen duke e trajtuar atë si një të tërë me 4 kredite. Po kështu edhe lënda “Histori e thelluar” përmban histori të qytetërimit botëror (2 kredite) dhe histori të qytetërimit shqiptar (2 kredite). Edhe në këtë rast, maturantët që do të zgjedhin këtë lëndë do të testohen duke e trajtuar atë si një e tërë me 4 kredite. Sakaq, programet orientuese të lëndëve me zgjedhje si nga kurrikula bërthamë ashtu edhe nga ajo e lirë, do të jenë të njëjta për të gjithë maturantët që plotësojnë Formularin A1 dhe A1Z.




Kurrikula bërthamë


Lëndët


1.Anatomi artistike


2.Anglisht (gjuhë e huaj e parë)


3.Biologji bërthamë


4.Ekonomi bërthamë


5.Fizikë bërthamë


6.Frëngjisht (gjuhë e huaj e parë)


7.Gjeografi bërthamë


8.Gjuhë shqipe dhe letërsi bërthamë (i detyruar) gjimnazi dhe gjimnazi me orientim gjuhësor


9.Harmoni


10.Histori muzike


11.Histori arti


12.Histori baleti


13.Histori bërthamë


14.Italisht (gjuhë e huaj e parë)


15.Kimi bërthamë


16.Matematika bërthamë, provim i detyruar, gjimnazi


17.Qytetari


18.Teknologji bërthamë


19.Gjuhë shqipe dhe letërsi (artistike). Provim i detyruar


20.Matematika (i detyruar), shkollat artistike 3-vjeçare


21.Shkencat e tokës


22.Matematika me orientim gjuhësor (i detyruar)



Kurrikula me zgjedhje


Lëndët


1.Anglisht (gjuhë e huaj e dytë)


2.Biologji e thelluar


3.Ekonomi e thelluar


4.Filozofi


5.Frëngjisht (gjuhë e huaj e dytë)


6.Gjeografi e thelluar


7.Gjermanisht (gjuhë e huaj e dytë)


8.Histori e thelluar


9.Italisht (gjuhë e huaj e dytë)


10.Kimi e thelluar


11.Letërsi e thelluar


12.Matematika e thelluar


13.Psikologji


14.Sociologji


15.Spanjisht (gjuhë e huaj e dytë)


16.Fizika e thelluar


17.Teknologji e thelluar


18.Trashëgimi kulturore