Ndryshon përsëri kohëzgjatja e zhvillimit të provimeve të Maturës. Pas shqetësimit që kanë shfaqur prindërit dhe maturantët për kohën e shkurtër që iu ishte lënë të rinjve për zhvillimin e testit, autoritetet e arsimit kanë bërë gati propozimin për rikthimin e orareve të mëparshme, 2 orë e gjysmë për provimet e detyrueshme dhe 3 orë e gjysmë për ato me zgjedhje. Këto detaje bëhen të ditura nga drejtori i arsimit parauniversitar, Fatmir Vejsiu. “Kohëzgjatja e provimeve do të ndryshojë në favor të nxënësit. Përmbajtja e testit do të jetë siç ka qenë, 25 pyetje, 13 nga të cilat janë me alternativa, të vlerësuara me nga një pikë secila, dhe 12 do të jenë më zhvillim”, - pohon Vejsiu. Në fakt, kjo është hera e dytë që MASH tërhiqet nga propozimet e saj për kohën e provimeve. Fillimisht, MASH propozoi shkurtimin e kohës për provimet me detyrim nga 2 orë për secilin në 1 orë e gjysmë, ndërsa për dy provimet me zgjedhje, nga 4 orë për të dyja testet, në 3 të tilla. Por, kundërshtimi i bërë nga maturantët për këtë çështje bëri ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, t’u linte në dispozicion maturantëve nga 2 orë për çdo provim me detyrim dhe 3 për të dy provimet me zgjedhje. Një vit më parë, kohëzgjatja e provimeve të Maturës ishte 2 orë e 30 minuta për çdo provim me detyrim dhe 4 orë për të dy provimet me zgjedhje. Ndërkaq, drejtori i arsimit parauniversitar në MASH bën të ditur se këtë vit pritet të ndryshojë edhe formulari A2, ku listohen preferencat për pranimet në universitete. “Është një listë e gjatë që shtohet nga viti në vit me drejtimin e studimit. Në vitet e para ka qenë jo më shumë se 170, por me kalimin e kohës, me vendim të Këshillit të Ministrave, hapen degë të reja nëpër fakultete të ndryshme dhe këtë vit mund të shtohen edhe disa të tjera”, - shpjegon Vejsiu. Edhe këtë vit, sipas specialistëve të MASH, numri i pyetjeve në testim do të jetë i njëtë, ndërkohë që formulari, për renditjen e degëvë, do të plotësohet pas katër provimeve të Maturës në muajin korrik. Një tjetër risi për Matutën 2011 është shkurtimi i kohës së shpalljeve të rezultateve të çdo provimi. Kështu, sipas afateve të vendoursa nga MASH, këtë vit, rezultatet e çdo provimi të Maturës do të dalin jo më vonë se 10 ditë nga dhënia e secilit prej tyre, nga 15 ditë që ka qenë më parë.