“Korrigjimi i provimeve me zgjedhje, të cilave iu nënshtruan rreth 38 mijë maturantë në shkallë vendi, ka përfunduar dhe aktualisht po printohen me qëllim që të publikohen nesër në të gjitha shkollat e arsimit të mesëm”, tha Drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj.

Me publikimin e rezultateve të këtyre provimeve pritet që së shpejti të përcaktohen dhe fituesit e të drejtave të studimit në 11 universitetet publike të vendit, sipas kuotave të përcaktuara për vitin e ri akademik.

Pas kryerjes së kësaj procedure pritet të nisë dhe procesi i përllogaritjes së komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore 2009, nëpërmjet së cilës bëhet listimi i kandidatëve fitues sipas kuotave të aprovuara për çdo universitet publik që do të çelet gjatë vitit akademik 2009-2010.

Veç rezultateve të arritura në të katër provimet e maturës, peshë të veçantë në përzgjedhjen e fituesve do të luajë edhe nota mesatare e shkollës së mesme.