Publikohen nga MASH rezultatet e provimit të detyruar të letërsisë për Maturën Shtetërore 2012. Në provim morën pjesë rreth 41 000 maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore. Nxënësit maturantë të shkollës së mesme “Vitrina” pasi zhvilluan provimin e letërsisë konform rregullave dhe kritereve të përcaktuara nga MASH në ambientet e gjimnazit të Vorës, arritën rezultate pozitive. Procesi është mbikqyrur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet e saj të varësisë.


Pas përfundimit të procesit, testet e maturantëve u grumbulluan në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe u shpërndanë në qendrat e korrigjimeve për tu vlerësuar. Përkushtimi dhe puna maksimale gjatë viteve të gjimnazit i dha frytet e saj, pasi ata u vlerësuan me rezultate mjaft të kënaqshme. Referuar rezultateve të publikuara nga MASH, kalueshmëria e nxënësve maturantë të shkollës së mesme “Vitrina” është 100%. Të gjithë maturantët, prindërit e mësuesit dhe gjithë të interesuarit për provimin e kësaj lënde mund t’i gjejë përgjigjet dhe rezultatet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (www.mash.gov.al) tek rubrika njoftimet për shtyp.


Daniela Sula