protesta

Me dhjetëra e qindra maturantë janë grumbulluar para hyrjes së Kuvendit për të protestuar kundër reformës që po rrezikon të ardhmen e tyre. Me pankarta në duar "Universiteti i studentëve, jo i klientëve", "Nuk jemi kavie laboratori", "Rikthim i sistemit meritë-preferencë", maturantët kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të Lindita Nikollës. Maturantët kanë folur për përshkallëzim të protestës nëse Rama-Nikolla nuk tërhiqet nga ky vendim klientelist

Në ditën e dytë të protestës kundër sistemit të ri të maturës që la jashtë listave paraprake të fitueseve mijëra nxënës me nota të shkëlqyera, maturantët përsëritën thirrjen për dorëheqjen e ministres së arsimit dhe kërkuan rikthimin e sistemit të vjetër meritë-preferencë. Një grup maturantësh u mblodhën përpara Parlamentit në ditën e dytë të protestës së tyre kundër sistemit të ri të maturës, që ndryshoi në minutë të fundit mënyrën e llogaritjes së pikëve, duke lënë jashtë listave paraprake të fituesve mijëra maturantë me mesatare të larta. Maturantët protestues mbanin në duar pankarta si "Universiteti i studentëve, jo i klientëve", "Nuk jemi kavie laboratori", "Rikthim i sistemit meritë-preferencë" dhe e shoqëruan protestën e tyre me thirrjet "turp" dhe fishkëllima ndaj deputetëve që po hynin në parlament. Protestuesit i bënë sërish thirrje ministres së arsimit Lindita Nikolla të japë dorëheqjen, pasi e quajtën të dështuar skemën e maturës së këtij viti. Situata u tensionua dhe nxënësit u përballën me policinë për disa minuta pas një përpjekjeje nga ana e tyre për të bllokuar hyrjen e godinës së parlamentit duke kërkuar që ministrja e arsimit Lindita Nikolla t'i përgjigjet personalisht kërkesës së tyre për kthimin e sistemit të vjetër, sipas të cilit, maturantët me nota të larta kishin llogaritur të shpalleshin fitues në degët e preferuara. Zanafilla e problemit nis me goditjen e dy elementëve kryesorë mbi të cilët bazohej Matura Shtetërore: meritën dhe preferencën. Ministria e Arsimit për të gjetur formulën sesi të favorizoj klientelën e universiteteve private ka vepruar pjesërisht me ligjin e vjetër të arsimit të larte dhe pjesërisht me ligjin e ri të miratuar vitin e shkuar. Maturantët u orientuan gabim që në zgjedhjet e lëndëve. Shumë prej tyre zgjodhën lëndë që nuk stimulonin fitimin e preferencës së tyre. Maturantët ishin përgatitur sipas Maturës Hyrëse, që do të thotë se pesha e provimeve të maturës ishte superiore ndaj mesatares së përgjithshme, në totalin e pikëve. Por ndodhi e kundërta. Kriteret e vendosura nga senatet për mënyrën e përllogaritjes së pikëve si shumë midis pikëve nga mesatarja e përgjithshme, nga provimet e maturës dhe nga grup lëndët, nuk iu bënë të njohura nxënësve në momentin e aplikimit. Ata aplikuan apriori. Kjo solli çorientimin dhe rastësinë e radhës. Ministria, ndërkohë, toleroi me dashje lëvizjen e kritereve të përllogaritjes së pikëve, duke krijuar një mos barazi dhe diskriminimin për maturantët, nga vetë Universitetet. Diku, pesha e mesatares së përgjithshme sipas përqindjeve ishte më e lartë se ajo e maturës, ose anasjelltas. Diku pesha e grup lëndëve sipas degëve e fakulteteve, sipas përqindjes që zë në totalin e pikëve, prevaloi mbi dy të parat. Koeficentët ponderues të lëndëve bërthamë apo të thelluar dhe me zgjedhje, për të cilat maturantët ishin investuar, nuk u morën në konsideratë. Me këto veprime dhe mosveprime, Ministria e Arsimit goditi meritën dhe preferencën, duke krijuar kështu një kaos që do të vazhdojë gjatë. Ajo që shihet qartazi është që Reforma e dyshes Rama-Nikolla po u mbyll derën e universitetit maturantëve, që nuk vijnë nga familje mbajtura ekonomikisht, por që kanë një mesatare relativisht të lartë. Gjithçka po kryhet për të favorizuar klientelën.