Mërgim Mavrajn ishim mësuar ta shihnim shumë herë në rolin e shpëtimtarit aty në repartin e mbrojtjes, por sot kapitenin e tradhtuan nervat dhe u ndëshkua me një karton të kuq të panevojshëm që në minutën e 24-t, situatë që vendosi ecurinë e takimit.


Jeni penduar për atë ngjarje, që solli kartonin e kuq për ju?


Dua tu kërkoj ndjesë të gjithë shqiptarëve, pasi nuk duhet kurrsesi që të bëja atë veprim. Nuk më lejohej mua që të bëja atë veprim, pasi jam kapiteni dhe lojtari me më shumë eksperiencë. Gjithsesi them se u provokova, pasi nuk bëra fare faull dhe thjesht u mbrojta ndaj ardhjes me vrull të kundërshtarit. Por, jam penduar për veprimin.


Mendoni se kartoni i kuq ndaj jush, ishte vendimtar në fatin e takimit?


Ne kemi luajtur me 10 lojtarë edhe herë të tjera dhe kemi treguar se dimë ta menaxhojmë këtë situatë. Por dalja e kapitenit me karton të kuq, që në minutat e para, natyrisht që është shumë e rëndë për skuadrën.


A kishte mundësi skuadra të sakrifikonte dhe të jepte më shumë sot?


Besoj që ai goli i parë, i pësuar aq shpejt, na preu vrullin me të cilin e nisëm ndeshjen dhe më pas kartoni i kuq, e nxori lojën nga normaliteti. Është shumë e vështirë, që të menaxhosh situatën, kur përballesh me situata të tilla.


Duket sikur nuk po shohim Mërgimin që ne njohim


Normalisht që nuk mund të jem në formën maksimale për 12 vite me radhë në karrierë, aq më tepër pas atij viti të vështirë që kalova. Por edhe të vlerësosh formën time fizike, për vetëm 20 minuta lojë, ka vend për diskutim. Futbolli është lojë rezultatesh dhe kur ato mungojnë, të gjithë kapemi me një gabim, apo me një karton të kuq. Unë kam kaluar një vit të vështirë dhe të gjithë e dimë, por nuk mund të gjendet asnjëherë përgjegjësia te një lojtar i vetëm.


17 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)