Vjen më në fund edhe zyrtarizimi. Mërgim Mavraj nuk është më një futbollist i Hamburgut. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare zgjidhi me konsensus kontratën që e lidhte me klubin gjerman deri në verën e vitit 2019-të dhe tashmë është një lojtar i lirë në treg dhe mund të firmosë me skuadrën që dëshiron.


Pas shumë kontradiktash me Hamburgun që e nxorri jashtë skuadre Mavrajn që nga marsi i kaluar 32-vjeçari arriti akordin për tu shkëputur nga klubi që këtë sezon për herë të parë në historinë e tij do të militojë në Bundesligën e 2-të. Drejtuesit e Hamburgut vendosën ta lejonin mbrojtësin shqiptar të largohej një vit më herët nga sa parashikohej në kontratë sepse paga prej rreth 2 milionë eurosh në sezon e Mavrajt peshonte shumë në arkat e Hamburgut. Hamburgu në komunikatën ku njofton prishjen e kontratës e falenderon Mavrajn për kontributin e dhënë dhe i uron suksese për të ardhmen.


Tashmë kuqeziu mund të shqyrtojë me imtësi ofertat dhe mund të vendosë për të ardhmen. Për Mavrajn interesohen disa klube turke por edhe Palermo në Serinë B e Deportivo La Coruna në Spanjë që këtë sezon do të luajë në Segunda Division.


18 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)