Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May kërkoi nga udhëheqësit e Bashkimit Europian që të përqendrohen në arritjen e marrëveshjes për Brexit në dy muajt e ardhshëm, duke thënë se negociatat nuk do të zgjaten. May tha se Brexit është një sfidë “e komplikuar”, por duhet të përfundojë në kohë.


Në një darkë pune të mërkurën në Salsburg, May u tha 27 homologëve evropianë se prioritet i saj është mbajtja e lidhjeve ekonomike me BE-në dhe mbrojtja e Irlandës Veriore brenda Britanisë.


Brukseli këmbëngul se Irlanda e Veriut duhet të mbetet në përputhje me rregullat e saj, nëse nuk mund të gjendet një zgjidhje tjetër për t’i parandaluar kontrollet fizike të kalimit të mallrave në dhe nga Republika Irlandeze.


Brexit-i nënkupton procesin e daljes së Britanisë nga BE-ja, i cili duhet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm.


Ndër çështjet më të diskutueshme janë nivelet e integrimit të Britanisë me tregun e përbashkët të BE-së pas Brexit-it dhe natyra e kufirit midis Irlandës së Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, anëtare të BE-së.


19 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)