Kryetari i Omonias dhe njëkohësisht dhe i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, në një prononcim publik ka rikthyer në skenë dhe një herë, duke dhënë dhe shpjegimet e tij, arsyet për vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të Omonis, ku i drejtohet Qeverisë shqiptare me qëllim miratimin e gjuhës greke në Shqipëri si gjuhë të dytë. Ai e cilëson si të domosdoshme njohjen e greqishtes si gjuhë të dytë zyrtare, kërkesë kjo që tashmë i është bërë zyrtarisht qeverisë nga organizata, e cila mbron interesat e minoritetit grek në vend. Edhe pse e pranon një fakt të tillë, Bollano është treguar jo i drejtpërdrejtë në përgjigjet e tij, por që vendimet e marra nga Këshilli i Omonias është i detyruar t i pranojë. Ai tha se “ unë si kryetar i komunitetit minoritar grek i mbështes maksimalisht të gjitha vendimet e marra nga anëtarët dhe Këshilli i Përgjithshëm i Omonias. Në kuadër të marrëdhënieve dhe bashkëpunimt me BE, në kuadër të të drejtave të njeriut dhe në kuadër paktit të stabilitetit, pakte të cilat një pjesë të tyre qeveria i ka ratifikuar dhe patjetër që këto janë në dobi të të dy popujve për një bashkëpunim për të frytshëm drejt një integrimi të plotë në BE”, - tha kryetari i Omonias. Për sa i përket vendimit të marrë nga Këshilli i Përgjithshëm për kërkesën për gjuhën greke Qeverisë Shqiptare ai nënvizoi se “unë nuk mund të analizoj vendimet që merr ky këshill, unë jam i detyruar si kryetar i saj t i vlerësoj dhe të përcjell imazhin e këtij minoriteti në kuadër të shtetit shqiptar”. Ka qenë pikërisht vendimi i marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Omonias në Sarandë, më 9 gusht, i cili i kërkon Qeverisë Shqiptare të ndjekë shembullin e Parlamentit të Maqedonisë, i cili sanksionoi gjuhën shqipe në vendin fqinj si gjuhë të dytë zyrtare në vend. Me të njëjtën logjikë, kjo organizatë me në krye Bollanon, kërkon që dhe gjuha greke të jetë gjuhë zyrtare e dytë në Shqipëri. Krybashkiaku i Himarës ka komentuar dhe çështjen e pronave dhe abrogimin ose jo të ligjit 7501, duke thënë se “ne absolutisht nuk kërkojmë abrogimin e ligjit 7501, por ne kërkojmë disa amendime, të cilat e çojnë drejt përmirësimit atë që kemi propozuar ne. Ne kemi propozuar amendimin e këtij ligji ku prona të zgjidhet në favor të pronarit dhe shqiptari të investojë në pronën e vet”,- përfundoi kryetari i Omonias.
Ky lajm është publikuar: 21/08/2008