***
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, por edhe sipas denoncimit të bërë nga i dëmtuari, N.L, ai ndodhej në qendër të qytetit. “Drejtori i shkollës N. L. ka qenë në xhiron e darkës së bashku me shokët e tij, duke biseduar. Në një moment, afër tij kanë ardhur dy djemtë, Blerim Kalluçi dhe Armando Qama dhe kanë nisur ta shajnë dhe pastaj ta qëllojnë me grushte”,- thonë burimet policore, duke iu referuar dëshmisë. Mësohet se e kanë goditur disa herë dhe pastaj janë larguar me vrap duke përfituar nga errësira e natës. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, fill pasi e njoftuan kolegët e drejtorit, që ndodheshin aty. Kanë qenë pikërisht ata që kanë bërë identifikimin e autorëve dhe kanë treguar në polici emrat e tyre. Një orë pas denoncimit, policia e vënë në kërkim ka bërë të mundur kapjen e tyre.
***
Sipas burimeve të policisë, në hetimet e para dy nxënësit kanë pohuar se drejtori i shkollës kishte gisht në mbetjen e tyre në klasë. Për këtë ata kanë pranuar se kanë dashur që të hakmerren. Sipas policisë, tashmë të dy ish- nxënësit, ndodhen në dhomat e izolimit dhe qëndrojnë në pritje të caktimit të masës së sigurisë nga gjykata. Ndaj tyre, rëndon akuza e goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim. Dje, oficerët e policisë gjyqësore kanë përpiluar dosjen dhe akuzat përkatëse për të dy adoleshentët, dhunues dhe i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.